Departamenti amerikan i Drejtësisë ka njoftuar ngritjen e akuzave ndaj tre personave të dyshuar të mbështetur nga Irani, të cilët, sipas autoriteteve amerikane, janë përfshirë në një seri komplotesh në Shtetet e Bashkuara dhe Evropë.
Sipas Departamentit, agjentë iranianë kanë “organizuar së fundmi një komplot terrorist në një bazë ajrore në Mbretërinë e Bashkuar”. Departamenti pretendon se ata kanë qenë të përfshirë në incidentin e rëndë të shtatorit pranë bazës RAF Fairford, ku ishin të dislokuara forcat e armatosura amerikane.
Njëri prej të dyshuarve, me shtetësi të dyfishtë iraniane dhe irakiane, akuzohet se ka komunikuar me persona në Mbretërinë e Bashkuar nga një burg në Nju Jork, ku ndodhet në pritje të gjykimit për akuza të mëparshme. Dy të tjerët akuzohen se kanë kryer komunikime të ngjashme nga Irani.
Teherani i ka mohuar kategorikisht çdo përfshirje në incidentin në RAF Fairford.
Shtatë persona janë arrestuar në Mbretërinë e Bashkuar në lidhje me këtë ngjarje, e cila doli në dritë pasi u raportua për praninë e disa furgonëve të dyshimtë pranë bazës ajrore.
Sipas Departamentit amerikan të Drejtësisë, iraniani Mohsen Mohajeri, irakiani Mohammad Ali al-Hassani dhe shtetasi me dy nënshtetësi iraniane dhe irakiane Mohammad Baqer Saad Dawood al-Saadi janë akuzuar në një aktakuzë me tetë pika, e bërë publike të martën.
Ata akuzohen për planifikimin e sulmeve në Evropë, të cilat pretendohet se janë kryer në emër të një organizate të ashtuquajtur Harakat Ashab al-Yamin al-Islamiya (Lëvizja Islamike e Njerëzve të Dorës së Djathtë – HAYI).
“Nga 18 sulmet terroriste të pretenduara në Evropë gjatë pranverës së vitit 2026, për të cilat HAYI mori përgjegjësinë, shtatë ndodhën në Mbretërinë e Bashkuar”, thuhet në deklaratën e Departamentit të Drejtësisë.
Sipas të njëjtit burim, sulmet përfshinin “vënie zjarresh, përdorim eksplozivësh dhe, në një rast, një sulm me thikë në Londër, që për pak sa nuk përfundoi me vdekjen e dy hebrenjve, njëri prej të cilëve me shtetësi të dyfishtë amerikane dhe britanike”.
Dy hebrenjtë u sulmuan me thikë në Golders Green, në veri të Londrës, në muajin prill. Një i dyshuar pritet të dalë në gjyq vitin e ardhshëm.
“Kjo aktakuzë me tetë pika tregon vendosmërinë e Iranit për të kryer sulme terroriste në Evropë dhe SHBA”, deklaroi drejtori i FBI-së, Kash Patel.
Ai shtoi se njëri prej tre të akuzuarve “dyshohet se ka dërguar mesazhe të koduara për të ndihmuar në organizimin e akteve të ardhshme të dhunës”, ndërsa ndodhej në paraburgim.
Sipas Patel, të akuzuarit ishin të përfshirë në afro 20 sulme të mbetura në tentativë, në mbështetje të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) dhe milicisë irakiane Kataib Hezbollah, e mbështetur nga Teherani.
Më 27 shtator, pranë bazës ajrore RAF Fairford, në rajonin e Cotsëolds, në Gloucestershire të Anglisë, u shpall një incident madhor, pasi u vunë re tre furgonë të dyshimtë pranë instalimeve ushtarake.
Në furgonë nuk u gjetën materiale shpërthyese, por u sekuestrua një sasi benzine.
Sipas Departamentit amerikan të Drejtësisë, në muajin gusht al-Hassani “dyshohet se u dha udhëzime dhe pagoi persona të tjerë” në Mbretërinë e Bashkuar për të ndërmarrë veprime paraprake dhe për të organizuar logjistikën e komplotit të dyshuar terrorist në RAF Fairford.
Më 22 gusht, al-Hassani pagoi një person për të kryer “vëzhgimin paraprak të perimetrit të bazës RAF Fairford”, thuhet në deklaratën e departamentit.
Në shtator, sipas akuzave, ai pagoi disa persona për ta ndihmuar në përgatitjen e planit.
Sipas deklaratës, kjo përfshinte sigurimin e furgonëve dhe fuçive me karburant, kërkimin për blerjen e përshpejtuesve kimikë të djegies, përfshirë sasi të mëdha të klorurit të kaliumit, si dhe blerjen e objekteve metalike që mund të përdoreshin si copëza shpërthyese.
Të dyshuarit më pas u përpoqën t'u jepnin furgonëve pamjen e automjeteve që përdoreshin nga një kompani furnizimi me karburant dhe një kompani që merrej me pajisjet për pishina, sipas DOJ-së.
“Më 26 shtator, al-Hassani dyshohet se u kërkoi personave të tjerë të drejtonin tre furgonë, disa prej të cilëve më vonë rezultuan se përmbanin fuçi me karburant, drejt bazës RAF Fairford”.
Departamenti amerikan bëri të ditur gjithashtu se al-Hassani ishte “në komunikim të shpeshtë” me drejtuesit e furgonëve dhe i ndihmonte ata të përcaktonin itinerarin.
“Të paktën dy nga tre furgonët, gjatë rrugës drejt perimetrit të RAF Fairford, u përballën me një postbllok sigurie dhe nuk u lejuan të vazhdonin në itinerarin e planifikuar”, thuhet në deklaratë.
Furgonët u vunë re në orët e para të 27 shtatorit nga një fermer vendas, i cili po kthehej në shtëpi pas një feste dhe njoftoi policinë.
Ambasada iraniane në Londër deklaroi se “i hedh poshtë kategorikisht dhe i dënon fuqimisht spekulimet e pabazuara dhe dashakeqe” që e lidhin Iranin me incidentin.
Muajin e kaluar, dy shtetas britanikë dolën para gjykatës në lidhje me komplotin e dyshuar me lidhje iraniane.
Pas incidentit, Shtetet e Bashkuara tërhoqën të gjithë bombarduesit e tyre nga baza RAF Fairford. Presidenti Donald Trump përmendi “disa kërcënime” ndaj bazës si arsye për këtë vendim.
RAF Fairford është përdorur nga Forcat Ajrore Amerikane (USAF) prej dekadash.
Gjatë muajve të fundit, SHBA-ja ka nisur prej kësaj baze bombarduesit B-1 dhe B-52 drejt Lindjes së Mesme për të kryer sulme të cilësuara si “mbrojtëse” ndaj Iranit.
Në muajin korrik, Irani deklaroi se “çdo bazë që përdoret për agresion kundër territorit iranian përbën një objektiv legjitim për forcat tona”./BBC








Komente
Komento