Sulmi në Manchester, politika 
shqiptare dënon aktin terrorist

Sulmi në Manchester, politika <br />shqiptare dënon aktin terrorist
Politika shqiptare është bashkuar në reagimet kundër sulmeve terroriste në Arenën e Mançesterit. Disa nga politikanët shqiptarë kanë shprehur solidarizim me Britaninë dhe kanë shprehur ngushëllimet për ngjarjen e ndodhur. 
 
Nishani: Vendet e lira s'do gjunjëzohen nga terrorizmi
 
Presidenti i Republikës ka shprehur ngushëllimet për viktimat e akteve terroriste në Arenën e Mançesterit dhe solidaritetin me qytetarët e autoritetet britanike
 
Presidenti Nishani gjithashtu i ka uruar dhe shërim të shpejtë të lënduarve nga sulmi, ndërsa ka dënuar aktet mizore dhe nxitësit e tyre.
 
Reagimi i Presidentit Nishani
 
Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bujar Nishani shpreh hidhërimin e thellë mbi viktimat e pafajshme dhe të plagosurit e shumtë të akteve të mbrëmshme terroriste në Arenën e Mançesterit në Britaninë e Madhe.
 
Presidenti Nishani i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjarëve e të dashurve të viktimave dhe autoriteteve britanike, ndërsa të lënduarve u uron shërim sa më të shpejtë.
 
Në solidaritet të plotë me qytetarët dhe autoritetet britanike, Presidenti Nishani i  dënon me forcë këto akte mizore dhe nxitësit e tyre, duke theksuar se terrorizmi nuk do të arrijë t’i mposhtë e gjunjëzojë vendet e shoqëritë e lira.
 
Bushati: Dënojmë aktin, s'ka shqiptarë të lënduar
 
Ministria e Punëve të Jashtme ka dënuar aktin barbar në Manchester ku humbën jetën 22 persona dhe u plagosën dhjetëra të tjerë.
 
Ministri Bushati u shpreh i trishtuar nga sulmi dhe duke shprehur solidaritetin për qëndresën ndaj këtij akti barbar, u transmetoi ngushëllime familjeve dhe të afërmve të viktimave.
 
Shqipëria do të vijojë të qëndrojë me vendosmëri përkrah vendeve mike dhe aleate në çdo përpjekje në luftë kundër akteve të tilla.
 
Ambasada e RSH-së në Londër po e ndjek situatën në vijimësi dhe nga informacionet e deritanishme nuk rezulton të ketë shtetas shqiptarë të lënduar.
 
Ambasada në Londër është në komunikim të vazhdueshëm me organet policore.
 
Për çdo rast numri i emergjencës së Ambasadës shqiptare në Londër është  +44 (0) 75 18662630, njofton ministria e jashtme.

PD: Akt i shëmtuar e brutal

Partia Demokratike e Shqipërisë ka dënuar me forcë sulmin terrorist të mbrëmshëm në Arenën e Mançesterit, ku gjeten vdekjen 22 njerëz të pafajshëm dhe 59 të tjerë u plagosen.
 
"Ky akt terrorist i shëmtuar dhe brutal është një tjetër shembull se si barbaria e terrorizmit cenon jetën e qytetarëve të pafajshëm në mbarë boten. Partia Demokratike qëndron sot në krah të popullit të Britanisë së Madhe për të kapërcyer këtë fatkeqësi dhe për të luftuar edhe më ashpër ndaj terrorizmit botëror. Mendjet dhe lutjet tona janë sot me familjet e viktimave, dhe solidariteti ynë njerëzor dhe politik me aleatin tonë të çmuar, Mbretërinë e Bashkuar të Britanisë së Madhe", thuhen në reagimin e PD.

Meta: Krim barbar, tragjedi për botën
 
Sulmi i ndodhur në Mançester është dënuar edhe nga kryetari i Kuvendit, Ilir Meta. Ai i ka quajtur sulmin si akt barbar dhe që nuk ka tronditur vetëm Britaninë por të gjithë botën.
 
Reagimi i Metës
 
I nderuar zoti Kryetar,
 
Me hidhërim dhe keqardhje të thellë mësova lajmin tronditës për sulmin e tmerrshëm në Mançester ku shumë të rinj humbën jetën në moshën e tyre më të bukur. Sulmi në Mançester është një krim barbar i cili nuk është tragjedi vetëm për vendin tuaj por për gjithë botën e qytetëruar.
 
Në emër të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë dhe timin personal më lejoni t’ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta Ju dhe të gjithë familjarëve që humbën njerëzit e tyre më të shtrenjtë e t’ju siguroj se Shqipëria dhe shqiptarët qëndrojnë pranë popullit tuaj në këtë çast të vështirë dhe përkrah gjithë botës së civilizuar në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar.
 
Më lejoni mik i shtrenjtë të bashkoj lutjet e mia të sinqerta për viktimat e pafajshme që shpirtrat e tyre të prehen në paqe dhe t’u uroj shërim të shpejtë të gjithë të lënduarve.
 
Duke Ju përcjellë ndjenjat e miqësisë së sinqertë dhe solidaritetit të plotë.
 
Sinqerisht
 
Ilir META
Sh. T. Z. John BERCOË
Kryetar i Dhomës së Deputetëve
LONDON

Blushi: Sa herë që bota duket e sigurt, ndodh diçka
 
Kreu i LIBRA-s, Ben Blushi përmes një statusi në rrjetin social 'Facebook' ka reaguar për sulmin terrorist në Mançester. Blushi ka shprehur ngushëllimin e tij për sulmin duke u solidarizuar me viktimat.
 
"Sa herë që bota duket më e sigurt, ndodh diçka që kujton se ka qenë krejt e kundërta", thekson ndër të tjera Blushi.
 
Statusi i Blushit në Facebook
 
Ngushëllime viktimave në Mançester gjatë një koncerti të Ana Grandes. Sa herë që bota na duket më e sigurt, ndodh diçka që na kujton se nuk kemi patur të drejtë. Është siguria e pasigurisë së përhershme.
 
Redaksia Online
B.B/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si po përballohet situata e krijuar nga zjarret në vend?



×

Lajmi i fundit

Delvinë/ Zjarr i madh mes fshatrave Vllahat dhe Kostar, flakët rrezikojnë banesat

Delvinë/ Zjarr i madh mes fshatrave Vllahat dhe Kostar, flakët rrezikojnë banesat