Babai i të riut që ka humbur jetën në sulmin vetvrasës në Mynih është shprehur për një media Kosovare se do të ktheheshim pas një jave. Naim Zabërgja, babai i Dijamant Zabërgja i cili është kosovari i tretë i vrarë në sulmin terrorist në Mynih ka treguar momentin e fundit që ka kaluar me të birin që tashmë nuk jeton më.

“Kemi planifikuar që të vijmë pas një jave së bashku por ja që ndodhi ky rast dhe nuk erdhëm së bashku”. “Momentin e fundit e kam parë një ditë më herët, ai ka shkuar tek motra e tij e cila banon në afërsi të vendit ku ka ndodhur sulmi”.

 Zabërgja ka treguar edhe se si ka ndodhur momenti tragjik ku i biri i tij ka ndërruar jetë. “Rreth orës 18:00 ka dalë me një shok të tij gjerman tek qendra tregtare,ata kanë marrë nga një pije dhe kanë dalë jashtë dyqanit, ku dorasi ka qenë në afërsi dhe ka shtënë tek ata”.

“Shoku i tij ka arritur të ikë e është kthyer prapa ku nuk e ka parë më Diamantin e më nuk ka ditur asgjë”.
Ai ka treguar se lajmin tragjik e ka kuptuar në orën 4 të mëngjesit kur edhe ka shkuar Policia në shtëpi për ti informuar.

“Gjatë tërë kësaj kohe kemi telefonuar e nuk kemi pasur përgjigje mirëpo kemi mbetur me shpresën që është në atë zonë e nuk i ka ndodhur asgjë”, shprehet Babai. 

Redaksia Online
(M.Ç/shqiptarja.com)