Kryeministri Edi Rama ka dënuar një sulm në rezidencën e ambasadorit të Emirateve të Bashkuara Arabe në Khartoum nga një avion ushtarak sudanez të ndodhur më 1 tetor.

Rama shkruan në një postim në platformën ‘X’ se ky sulm është një shkelje e të drejtës ndërkombëtare dhe se Shqipëria qëndron në krah të Emirateve të Bashkuara Arabe

“Shqipëria dënon me vendosmëri sulmin frikacak në rezidencën e ambasadorit të Emirateve të Bashkuara Arabe në Khartoum. Kjo shkelje flagrante e së drejtës ndërkombëtare dhe çdo norme diplomatike nuk duhet të mbetet e pakundërshtueshme. Shqipëria qëndron në krah të Emirateve të Bashkuara Arabe, duke bërë thirrje për respektim të plotë të Konventës së Vjenës dhe mbrojtje të plotë diplomatike. Ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve që t'i japin përparësi paqes dhe të respektojnë ligjin ndërkombëtar”, shkruan Rama.

Më 1 tetor, Emiratet e Bashkuara Arabe thanë se rezidenca e ambasadorit të tyre në Khartoum u sulmua nga një avion ushtarak sudanez duke e dënuar si sulm të urryer.

Qeveria ushtarake e Sudanit hodhi poshtë akuzat nga Emiratet e Bashkuara Arabe se forcat e saj kanë bombarduar rezidencën e ambasadorit në Khartoum, duke akuzuar për sulmin forcat rivale paraushtarake të Mbështetjes së Shpejtë (RSF).