TIRANË - Ministria e Punëve të Jashtme e Shqipërisë ka reaguar në lidhje me zhvillimet në Siri dhe përgatitjet që po bën SHBA-ja dhe Franca për të sulmuar këtë vend. MPJ ka deklaruar se vendi ynë është i gatshëm të ofrojë ndihmë. Pas ministrisë, ka reaguar në Facebook edhe kryeministri në detyrë Sali Berisha, i cili ka kërkuar tejkalimin e OKB-së dhe ndërhyrjen në siri për të shpëtuar popullsinë civile.
 
ORA 14.20 BERISHA: SIRIA, TË TEJKALOHET OKB-ja
"Deri sa të përdoret veto në Këshillin e Sigurimit për të mbrojtur regjime kasapesh ndaj kombeve të tyre, rruga e vetme për të mbrojtur OKB-në dhe Kartën e saj universale është tejkalimi i vetos së KS, ndëshkimi shembullor i atyre që kryejne krime kundër njerëzimit, genocide me armë të shfarosjes në masë apo mjete të tjera", shkruan sot Kryeministri Sali Berisha në rrejtin social "Facebook".
Siç faktojnë prova shumë të qarta,thekson Berisha, diktatori sirian al-Asad, ka përdorur gazin nervin dhe ka helmuar për vdekje mbi 1400 fëmije, gra, burra, civilë të pambrojtur në lagjet e Damaskut.
Sipas tij, në mungesë të ndëshkimit të tij, OKB me Këshillin e Sigurimit të saj, do të shnderrohej në mburojë botërore të regjimeve mizore diktatoriale. "Prandaj ne besojmë se SHBA, si vendi me përgjegjësi kryesore për paqen dhe sigurinë në botë, por edhe vendet e tjera të lira, kanë të drejtë dhe duhet të vendosin vlerat universale të mishëruara në Kushtetutat e tyre dhe Kartën universale të OKB-së",- shkruan Kryeministri Berisha.

ORA 13.47 MPJ: SHQIPËRIA E GATSHME PËR TË DHËNË NDIHMË
Shqipëria është e gatshme të mbështesë çdo veprim të SHBA-së dhe NATO-s për t'i dhënë fund masakrave në Siri, bëri të ditur sot, Ministria e Punëve të Jashtme.
 
“Duke ndjekur me shqetësim situatën në Siri, Shqipëria ka qenë dhe mbetet e gatshme të mbështesë politikisht, por dhe me të gjitha mundësitë, si vend anëtar i NATO-s, SHBA-të dhe Aleancën e Atlantikut të Veriut, në çdo veprim që duhet të ndërmerret për t’i dhënë fund masakrimit të popullsisë siriane dhe mbështetur opozitën siriane në ndërtimin e një Sirie të lirë dhe demokratike”, - thuhet në deklaratën e MPJ-së.
 
Sipas ministrisë së Jashtme, “të dhënat e fundit të bëra publike nga Sekretari Amerikan, John Kerry, që dëshmojnë me fakte të pakundërshtueshme përdorimin e armëve kimike kundër popullsisë së pafajshme civile, nga regjimi kriminal sirian, duhet të vënë në lëvizje komunitetin ndërkombëtar që të marrë masa të menjëhershme dhe të vendosura ndaj këtyre veprimeve të tilla barbare, të cilësuara si krime kundër njerëzimit”.
 
Redaksia online
(ac/sg/shqiptarja.com)