Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka reaguar për sulmin rus me dron në Galați të Rumanisë që plagosi dy persona, përfshirë një të mitur.
Ministria shpreh solidaritet ndaj Rumanisë, ndërsa thotë se përshkallëzimi “serioz dhe i papërgjegjshëm” nga Rusia nënvizon “absurditetin dhe koston njerëzore” të luftës së saj ndaj Ukrainës.
“Shqipëria dënon sulmin rus me dron në Galați, Rumani, i cili goditi një ndërtesë banimi dhe plagosi civilë, përfshirë një të mitur.
Shprehim solidaritetin tonë të plotë me popullin dhe autoritetet e Rumanisë dhe u urojmë shërim të shpejtë dhe të plotë të plagosurve.
Ky incident përfaqëson një përshkallëzim serioz dhe të papërgjegjshëm nga ana e Federatës Ruse dhe nënvizon më tej absurditetin dhe koston njerëzore të luftës së Rusisë kundër Ukrainës, pasojat e së cilës vazhdojnë të kërcënojnë sigurinë dhe mbrojtjen e civilëve përtej kufijve të Ukrainës.
Shqipëria do të vazhdojë të qëndrojë në solidaritet të plotë me aleatët dhe partnerët tanë, në mbështetje të përpjekjeve të koordinuara për t'i dhënë fund kësaj lufte në mbrojtje të paqes, sigurisë dhe parimeve themelore të së drejtës ndërkombëtare”, thuhet në deklaratën e shpërndarë në rrjetin X.
Lajmi kryesor:
Droni rus godet Rumaninë, reagon Bukureshti: Përshkallëzim i rëndë, kemi informuar NATO-n! Aleanca: Do të forcojmë mbrojtjen (VIDEO)








