Sulmi terrorist në SHBA, shkon në 15 numri i viktimave, 35 të plagosur! Biden: Vrasësi, veteran amerikan i frymëzuar nga ISIS! Zbulohen pamjet e sulmit (VIDEO)

New York- Armiku i brendshëm, lindur në Amerikë, rritur në forcat e armatosura, por me flamurin e ISIS-it në makinë. Ndoshta i ndihmuar nga ndonjë grup terrorist i huaj, që e ka përdorur si një Kalë Troje për të depërtuar në mbrojtjen e kombit më vigjilent në botë, ose nga bashkëpunëtorë që i kanë shpëtuar kapjes.

Shamsud-Din Bahar Jabbar, masakruesi i New Orleans-it që vrau të paktën 15 persona ndërsa festonin ardhjen e vitit të ri, është stuhia e përsosur. Ëndrra më e tmerrshme e Shteteve të Bashkuara, pikërisht për shkak të vështirësisë për ta parandaluar.

Dinamika ishte pak pas orës tre të mëngjesit, natën e Vitit të Ri, kur një furgon i bardhë hyri në Bourbon Street. Zemra e French Quarter, gjithmonë qendra e jetës së natës në New Orleans, midis lokaleve që mbajnë gjallë traditën e jazz-it si Preservation Hall dhe restoranteve që shërbejnë gumbo, supën e preferuar të Louis Armstrong. Por, shoferi nuk kishte ardhur për të festuar. Shamsud-Din Bahar Jabbar, 42 vjeç, me origjinë nga Teksasi, kishte një plan vdekjeprurës. Një plan që kishte lindur ndoshta në ndonjë cep të mendjes së këtij veterani të ushtrisë, i cili për vite kishte mbrojtur Amerikën, por tani kishte vendosur ta plagoste.

Ai kishte veshur sërish uniformën kamuflazhi dhe kishte ngarkuar pushkën. Kishte përgatitur dy mjete shpërthyese artizanale, për t’i shpërthyer mes njerëzve, duke shkaktuar sa më shumë viktima të ishte e mundur. Por objektivi i parë ishin njerëzit që festonin Vitin e Ri në rrugë, për t’i shtypur me furgonin e bardhë. «E pashë furgonin – tregoi për CNN dëshmitarja Kimberly Stricklyn – që po synonte njerëzit. Gjithçka ndodhi aq shpejt, sa kalimtarët nuk arritën të kuptonin çfarë po ndodhte. Pastaj pamë të vdekur dhe të plagosur kudo». Më pas, vrasësi doli nga mjeti dhe filloi të qëllonte me armë, por policia ndërhyri dhe në përplasjen me armë që pasoi, Jabbar u vra.

Bilanci

Bilanci ende paraprak flet për të paktën 15 të vdekur dhe 35 të plagosur. Guvernatori i Luizianës, Jeff Landry, e quajti menjëherë një «akt të tmerrshëm dhune». Kryetarja e bashkisë së New Orleans-it, LaToya Cantrell, dhe mbikëqyrësja e policisë lokale, Anne Kirkpatrick, e cilësuan një «akt terrorizmi». Sipas Kirkpatrick, «vrasësi tregoi sjellje shumë të qëllimshme dhe tentoi të godiste sa më shumë njerëz të ishte e mundur. Ai ishte shumë i vendosur për të shkaktuar një masakër».

Hija e ISIS-it

Pak më vonë, në një konferencë shtypi, agjentja speciale ndihmëse e FBI-së, Alethea Duncan, zbuloi dyshimin më shqetësues: «Nuk besojmë se Shamsud-Din Bahar Jabbar ishte përgjegjësi i vetëm. Furgoni Ford duket se ishte marrë me qira. Po punojmë për të konfirmuar se si autori e mori këtë mjet. Flamuri i ISIS-it ishte vendosur në një pozicion të dukshëm në makinë, dhe FBI-ja po punon për të përcaktuar lidhjet dhe shoqatat e mundshme të subjektit me organizata terroriste». Pak më vonë, u bë e ditur se hetuesit kishin parë një video ku shfaqeshin tre burra dhe një grua, të cilët ndoshta po vendosnin eksplozivë pranë vendit të sulmit.

Nëse kjo konfirmohet, do të bëhej fjalë për një aksion të koordinuar me bashkëpunëtorë të tjerë, të cilët tani mund të jenë të lirë dhe të vendosur për të goditur sërish, ndoshta në emër të një organizate terroriste që i kishte rekrutuar në SHBA, për të anashkaluar kontrollet e ashpra të vendosura pas sulmeve të 11 shtatorit, të cilat e kanë bërë më të vështirë goditjen nga militantët që vijnë nga jashtë.

Video në rrjetet sociale para sulmit

Sipas raportimeve të CNN, atentatori kishte realizuar disa video para masakrës, duke përfshirë një ku pohonte se ishte bashkuar me ISIS-in. Në regjistrime, Jabbar flet për divorcin e tij dhe për faktin se fillimisht kishte planifikuar të bashkonte familjen e tij për një «festë» me qëllimin për t’i vrarë. Ai flet gjithashtu për ëndrra që kishte pasur, të cilat e kishin shtyrë drejt ISIS-it.

Biden: “Hetime për lidhje të mundshme me shpërthimin në Las Vegas”

«FBI-ja më informoi se atentatori i New Orleans-it ishte një qytetar amerikan, kishte shërbyer në ushtrinë amerikane dhe kishte qenë në rezervë deri disa vite më parë, si dhe kishte postuar video në rrjetet sociale para sulmit, ku thoshte se donte të vriste» – deklaroi Joe Biden nga Camp David. Ai shtoi se sulmuesi ishte frymëzuar nga ISIS-i dhe se hetuesit do të vazhdojnë të kërkojnë çdo lidhje ose bashkëpunëtor. «Nuk ka asnjë justifikim për dhunën e çfarëdo lloji dhe nuk do të tolerojmë asnjë sulm ndaj komuniteteve tona» – theksoi presidenti.

Biden shtoi gjithashtu se forcat e rendit po hetojnë nëse sulmi me furgon në New Orleans ka lidhje me shpërthimin e një Tesla Cybertruck përpara Trump Hotel në Las Vegas.

Pasardhësi i tij Trump, ndërkohë, e drejtoi menjëherë gishtin drejt emigracionit ilegal: «Kur thashë se kriminelët që vijnë janë shumë më të këqij se ata që kemi në vendin tonë – shkroi ai në rrjetin e tij social Truth – kjo deklaratë u hodh poshtë vazhdimisht nga Demokratët dhe mediat Fake News, por u provua e vërtetë. Shkalla e krimit në vendin tonë është në një nivel që askush nuk e ka parë më parë». Por ndoshta jo siç e përshkruan ai. Kësaj here, bëhet fjalë për krim të brendshëm.

Një ujk i vetmuar që është radikalizuar vetë, ose është rekrutuar nga terroristë që nuk mund të hynin më në SHBA për t’i goditur. Gjithsesi, një makth, por ndryshe nga ai që e obsesionon Trump.

Tashmë janë zbuluar edhe pamjet e videos kur ajutori hyn befasisht në turmë me makinën e tij me ngjyrë të bardhë, duke rritur shpejtësinë dhe pa frikë, edhe pse aty ndodhej i parkuar në gadishmëri një mjet policie.

Hetimet zbuluan se ish-ushtaraku ishte i divorcuar së fundmi dhe me probleme të mëdha financiare.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:11
FBI: Asnjë lidhje mes sulmit terrorist në New Orleans dhe shpërthimit të ‘Tesla’-s para hotelit të Trump

1735841187_masakraeneworleansteslacybertruck.jpg

Foto: Sulmi terrorrist në New Orleans dhe shpërthimi i Tesla’-s para hotelit të Trump

Sulmi terrorist në New Orleans dhe shpërthimi i Tesla’-s para hotelit të Trump nuk kanë asnjë lidhje me njëra tjetrën. Kështu tha sot gjatë një deklarate për shtyp Chris Raia, zëvendës ndihmësdrejtori i divizionit të antiterrorizmit të FBI-së.

"Në këtë pikë, nuk ka asnjë lidhje përfundimtare midis sulmit këtu në New Orleans dhe atij në Las Vegas," tha Chris Raia.

Më tej Raia shtoi se hetimet vazhdojnë për zbardhjen e të dyja çështjeve.

Jemi në faza shumë të hershme të hetimit, por megjithatë po ndjekim të gjitha drejtimet e mundshme dhe nuk përjashtojmë asgjë”, nënvizoi ai.

Ora 11:12
Hetuesit dyshojnë se sulmi terrorist në New Orleans është i lidhur me shpërthimin e ‘Tesla’-s para hotelit të Trump! Ja detajet e zbuluara

 

Detaje të reja që lidhin dy ngjarjet e fundit në SHBA, me 16 të vdekur dhe dhjetëra të plagosur: Sulmi terrorist në New Orleans dhe shpërthimi i makinës “Tesla” para hotelit të presidentit Donald Trump.

Mediat raportojnë se Matthew Lievelsbergerpersoni përgjegjës për shpërthimin e mjetit Tesla Cybertruck përpara hotelit ‘Trump International’ shërbeu në të njëjtën bazë ushtarake me terroristin e Nju Orlinsit, Shamsood-Deen Jabbar.

Oficerët e zbatimit të ligjit bastisën një shtëpi që i përkiste një 37-vjeçari nga Kolorado të mërkurën mbrëma. I dyshuari ka një përgatitje ushtarake dhe ka shërbyer në të njëjtën bazë si Shamsud Din Jabbar, i cili vrau 15 persona me një makinë me qira në Nju Orlins në orët e para të Vitit të Ri.

Burimet nga organet e zbatimit të ligjit kanë zbuluar se makinat e përdorura në të dy sulmet ishin marrë me qira përmes Turo, dhe ato ishin të dyja automjete elektrike, duke shkaktuar shqetësime se ngjarjet janë të lidhura.

Zbulimi vjen pak pasi policia në Las Vegas konfirmoi se po verifikonte ndonjë lidhje të mundshme midis dy personave, informon "La Repubblica".

I dyshuari me Cybertruck kishte disa adresa në Kolorado Springs të lidhura me emrin e tij. Të mërkurën mbrëma, FBI mbërriti në një kompleks shtëpish në qytet të lidhur me të. Policia ka siguruar publikun se nuk dyshon se ka ndonjë kërcënim të vazhdueshëm për komunitetin.

Personi nga Kolorado dyshohet se ka marrë me qira Cybertruck-un në Kolorado dhe e ka çuar atë përtej kufirit të mërkurën në mëngjes. Në një konferencë për shtyp, sherifi Kevin McMahill tha se makina mbërriti në Las Vegas në orën 7:30 të mëngjesit. Shpërthimi ndodhi në orën 08:40 në zonën e shërbëtorit jashtë hotelit.

Shoferi i Tesla Cybertruck ishte i vetmi i vdekur dhe autoritetet besojnë se struktura e kamionçinës së kompanisë së Elon Musk ndikoi në parandalimin e dëmtimeve të mëtejshme, sepse mjeti ishte në gjendje të kufizonte pjesën më të madhe të shpërthimit.

Në vendin e shpërthimit u gjetën fishekzjarrë të djegur, bombola gazi dhe karburant. Disa orë më parë në Nju Orlins, Shamsud Din Jabbar, 42 vjeç, futi një makinë elektrike në turmë, duke vrarë 15 këmbësorë dhe duke plagosur dhjetëra të tjerë.

Policia zbuloi të mërkurën pasdite (1 Janar) se aktualisht po heton lidhjet e mundshme dhe nuk ka përjashtuar ende asgjë.

Matthew Lievelsberger dhe Shamsood-Deen Jabbar, dy ish-ushtarakët e dyshuar për sulmet
Ora 10:40
VIDEO/ Sulmi terrorist në SHBA, ja momenti kur makina e autorit hyn në turmë dhe vret njerëzit! Ish-ushtaraku me probleme financiare dhe i divorcuar

Mediat amerikane kanë publikuar momentin kur autori i sulmit terrorist në New Orleans hyri në turmën që po festonte ndërrimin e viteve dhe vrau të paktën 15 persona dhe plagosi dhjetëra të tjera duke gdhirë 1 Janari 2025 në SHBA.

Autoritetet po hetojnë mundësinë që mund të ketë të tjerë të përfshirë në sulm, ndërsa përpiqen të mbledhin më shumë informacion rreth sulmuesit Shamsud-Din Jabbar.

Hetime edhe për të përcaktuar motivin e sulmit nga ish-ushtaraku, të cilit iu gjet flamur i ISIS në makinë, para se të vetëvritej siç u raportua. 

Në videon e publikuar nga New York Post, duket kamioni i bardhë i 42-vjeçarit që fillimisht kalon ngadalë në rrugën kryesore dhe kur i afrohet një prej mjeteve të policisë i parkuar në hyrje të rrugicës ku po festohej, merr kthesë të befasishme dhe me shpejtësi të lartë. 

Hyn në turmë dhe gjithçka tjetër më pas është e njohur nga raportimet. Teksa makina e policisë e ndjek nga pas dhe njerëzit nisin të vrapojnë nga frika mes ulërimave.

Nga hetimet janë zbuluar problemet e mëdha financiare të autorit, divorci i përjetuar dhe shfaqja si fans i ISIS. Video nga vendi i sulmit po bëjnë tashmë edhe xhiron e internetit. 

SI.E./E.H/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A jeni dakord me vendimin e gjykatës për detyrim paraqitje të Berishës?



×

Lajmi i fundit

Meloni fluturon për në SHBA për një takim me Trump në Mar-a-Lago, ja çfarë pritet të diskutohet

Meloni fluturon për në SHBA për një takim me Trump në Mar-a-Lago, ja çfarë pritet të diskutohet