“Super aplikacioni” - platforma për të menaxhuar gjithçka në internetin e Rusisë

“Super aplikacioni” - platforma për të menaxhuar gjithçka në internetin e Rusisë

Foto ilustruese

Do të mund t’i paguani taksat. Do të mund të shpërndani, pëlqeni, të ndërhyni në video. Do të mund të regjistroni fëmijën tuaj në kopsht. Do të mund t’iu dërgoni mesazhe miqve, të paguani gjobën e trafikut, të lëshoni muzikë, të gjeni një partner biznesi, romantik, dhe më shumë – dhe do të mund të thirreni për të luftuar në Ukrainë.

Të gjitha në një vend, në vetëm pak klikime për ta shkarkuar aplikacionin.

Çfarë mund të shkojë keq?

Quhet “super aplikacion”. Kina tashmë e ka të vetin, quhet WeChat.

Dhe duket se edhe Rusia do ta ketë të vetin – shumë shpejt.

Për vite, autoritetet ruse kanë ndërtuar infrastrukturë të re në atë që e quan “internet sovran”.

Lufta e Rusisë në Ukrainë, e nisur në shkurt të vitit 2022, i ka rritur edhe më shumë përpjekjet në këtë drejtim, çka përfshin shpërbërjen e një prej kompanive më të admiruara në internet, Yandex.

Tani, autoriteteve u kërkohet të krijojnë një tjetër pajisje, për të cilën aktivistët dhe ekspertët thonë se do t’iu japë zyrtarëve më shumë mundësi për t’i mbikëqyrur shtetasit rusë – dhe për ta censuruar e manipuluar informacionin online.

“Përveç nëse objektivi kryesor është përmirësimi i jetës së njerëzve, arsyeja tjetër e qartë është për të pasur kontroll mbi të dhënat”, ka thënë Philipp Dietrich, zyrtar në Këshillin Gjerman për Marrëdhënie të Huaja, dhe autor i një raporti për përpjekjet e Rusisë që të shtrijë më shumë kontroll mbi internetin.

“Për secilin shtet autoritar, ky është skenari i ëndrrave”, ka thënë ai për Radion Evropa e Lirë.

“Ne i kemi dëgjuar këto fantazi për kohë të gjatë”, ka thënë Sarkis Darbinyan, ekspert ligjor për politika kibernetike në grupin avokues rus, Roskomsvoboda.

“Dhe, natyrisht, autoritetet ruse do të dëshironin të kishin një pikë të kyçjes për të gjitha rrjetet sociale, për mesazhet e shpejta, dhe për ta bërë atë përmes një llogarie shtetërore. Dhe tani, për shkak të ‘sovranizimit’ të internetit, gjithçka po ndodh shumë shpejt”.

“Megjithatë, mendoj se njerëzit nuk e kuptojnë këtë. Dhe ky është problemi”, ka thënë ai.

“Shumë njerëz nuk e kuptojnë ende vlerën e të mbrojturit të të dhënave personale”.

Sistem për Aktivitetet e Kërkimit Operativ

Përpjekjet e autoriteteve ruse për të zgjatur dorën në të dhënat në internet daton prej fundit të viteve ’90, me zhvillim të diçkaje të quajtur Sistemi për Aktivitetet e Kërkimit Operativ.

I njohur me akronimin rus SORM, sistemi përfshin instalim të detyrueshëm të pajisjeve speciale nga të gjithë ofruesit e shërbimeve të internetit, duke lejuar agjencinë ruse të inteligjencës, Shërbimin Federal të Sigurisë, që të mbledhë dhe mbikëqyrë gjithçka rreth internetit në Rusi.

Sistemi është zgjeruar dhe avancuar ndër vite, duke e bërë më të lehtë për shtetin që të zmbrapsë shumë rreziqe për sigurinë.

Avancimi ka përfshirë edhe inspektime më të thella, përfshirë të dhënat teknike dhe informacion mbi rrjetin.

Në fundin e viteve 2010, parlamenti, i kontrolluar prej Kremlinit, e ka miratuar një seri të ligjeve, që u kërkon kompanive të mëdha në internet, sikurse Google, Facebook dhe Apple, që t’i përfshijnë serverët e tyre në territorin rus – duke e bërë më të lehtë për autoritetet që të kontrollojnë trafikun.

Më 2019, ligjvënësit e kanë miratuar një legjislacion, me qëllim të asaj që e kanë quajtur “funksionim i sigurt” i internetit.

Ligji e ka zgjeruar mundësinë për rregullatorin shtetëror Roskomnadzor, që t’i fusë në listë të zezë dhe t’i bllokojë disa faqe, më pas rrjetet private të kyçjeve, dhe të ketë informacione mbi identitetin e përdoruesve dhe lokacionin e tyre.

Ligji, po ashtu, i ka dhënë mundësi Roskomnadzorit që të zvogëlojë shpejtësinë e internetit.

Në mars të vitit 2021, rregullatorët pamundësuan qasjen në Twitter, tani i njohur si X, pasi kompania ka refuzuar që t’i heqë disa postime që kanë qenë në kundërshtim me rregulloret ruse.

Më vonë, rregullatorët rusë kanë kryer një test më të madh, duke tentuar ta shkëpusin Rusinë prej internetit global, test, që sipas autoriteteve, është kryer me sukses.

Fshijeni Yandex-in. Shtypni VK

Autoritetet ruse kanë tentuar të fitojnë kontroll edhe në disa prej kompanive më të mëdha dhe më të suksesshme në internet.

Yandex është rritur përtej makinës së saj të kërkimit, e cila ka dominuar brenda Rusisë, duke u zgjeruar edhe në shërbime tjera, përfshirë hartat, bankë muzikore, dorëzim ushqimesh, dhe robotë.

Më 2019, pas disa muajve presion, Yandex është pajtuar që të ndërmarrë ristrukturim, që ka nënkuptuar rritje të monitorimit qeveritar – dhe bllokim të përpjekjeve që të ardhmen të udhëhiqet prej ndonjë faktori të jashtëm.

Pas nisjes së luftës në Ukrainë, Yandex ka nisur t’i censurojë lajmet për luftën, duke e mashtruar algoritmin dhe duke çuar përpara informacione që janë autorizuar prej burimeve shtetërore të lajmeve.

Disa muaj më vonë, kompania ka thënë se i ka shitur dy platformat kryesore për lajme dhe argëtim te një tjetër gjigant teknologjik, dikur të njohur si Mail.ru, ndërsa tani VK.

Yandex, selia e së cilës ka qenë për një kohë të gjatë në Holandë, është përballur me shumë vështirësi gjatë riogranizimit, nën një plan që do ta ndante atë në entitet rus dhe kompani të huaj.

Këto përpjekje tani janë kanalizuar, pasi ka raportime se entiteti holandez e ka humbur plotësisht kontrollin në asetet e Yandex-it rus.

VK, në anën tjetër, është duke u rritur çdo ditë.

‘Përfshirja e popullsisë në një rrjet social të brendshëm, të kontrolluar’

Duke e pasur në themel korporatën e Mair.ru, VK, është marrë nën kontroll më 2014, kur themeluesi i saj, Pavel Durov është përjashtuar.

Manjati rus, i lidhur me Kremlinin, Alisher Usmanov është bërë aksionari kryesor.

Më 2021, kompania VK është ristrukturuar përmes një marrëveshjeje të komplikuar, duke i dhënë aksione të mëdha entitetit të ri, të quajtur MF Technologies.

Ai entitet kontrollohet prej konglomeratit shtetëror Rostec, prej gjigantit shtetëror të gazit natyror Gazprom, dhe kompanisë së sigurimeve të kontrolluar prej Yury Kovalchukut, aleatit të ngushtë të presidentit rus, Vladimir Putin.

Shef i ri ekzekutiv është bërë Vladimir Kiriyenko, i biri i një ndihmësi të Putinit, njëherësh ish-pjesëtar i bordit të kompanisë së telekomunikacionit, Rostelecom.

Një familjar i Kovalchukut është emëruar zyrtar i lartë ekzekutiv i kompanisë.

“VK nuk është kompani e thjeshtë e teknologjisë informative në Rusi, është e kontrolluar prej shtetit dhe çon përpara ideologji dhe synime të inteligjencës”, ka thënë Dietrich.

“Shteti rus u shtyn njerëzit ta përdorin VKontakten, dhe askush nuk e kupton se qëllimi kryesor është që duke vepruar ashtu, njerëzit bllokohen në një rrjet social të brendshëm, plotësisht të kontrolluar”.

VK është rritur dukshëm prej marsit të vitit 2022, kur autoritetet kanë thënë se do ta klasifikojnë Facebook-un dhe disa platforma tjera, përfshirë Instagram-in, si ekstremiste, që nënkupton bllokimin e tyre.

Më pas hyn në lojë Gosuslugi, platformë qeveritare në internet, e cila besohet se i ka rreth 100 milionë rusë të rregullt në faqe.

Gosuslugi i ka thjeshtuar jetët e miliona njerëzve, duke ua lehtësuar shumë procedura burokratike.

“Nëse një person mund të marrë pasaportë me ndihmën e Gosuslugit dhe nuk frikësohet të veprojë ashtu, atëherë pse të mos bindet që edhe mund të votojë përmes asaj platformë? Është shumë më e lehtë që rezultatet e votimit të manipulohen online, sesa fizikisht”, ka thënë gazetari rus Andrei Pertsev, në një analizë të shkruar në prill.

Prej vitit 2022, Gosuslugi ka integruar edhe shumë shërbime tjera, përfshirë VK-në.

Roskomnadzor e përdor, po ashtu, Gosuslugin për t’i paralajmëruar rusët për platformat e bllokuara, sikurse Instagrami dhe për t’i inkurajuar rusët që të kalojnë në VK, apo në një platformë tjetër më të vogël, të quajtur Odnoklassniki.

“Meqë Rusia është shtet që ka autoritet mbi platformat në internet, përfshirë rrjetet sociale si VK dhe Odnoklassniki, me mbulim të dhjetëra miliona përdoruesve, ne shpresojmë që tranzicioni juaj në këto platforma do të ndodhë shpejt dhe që në të ardhmen të zbuloni mundësi të reja për komunikim dhe biznes”, ka thënë agjencia në një mesazh dërguar miliona përdoruesve të Gosuslugit.

Aty përfshihet edhe thirrja për të luftuar.

Në fund të prillit, ligjvënësit e kanë miratuar një legjislacion që mundëson dërgimin e thirrjeve elektronike, të cilat konsiderohen thirrje zyrtare shtetërore për shërbim ushtarak.

Dështimi për t’u paraqitur nënkupton humbje të përfitimeve të rëndësishme, përfshirë të drejtën për të blerë dhe shitur shtëpi, për të vozitur makinën, dhe për të marrë hua në bankë.

‘Pasoja të rënda’

“Për aq sa di, ky projekti ‘super aplikacion’ është ëndërr afatgjate e disa zyrtarëve të lartë rusë, të paktën ata që i kanë pasur sytë kah Kina, si shtet që menaxhon ‘hapësirën e informacionit’”, ka thënë Julien Nocetti, hulumtues në Institutin francez për Marrëdhënie Ndërkombëtare, me specializim në Rusi dhe hapësirë kibernetike.

Projekti nuk ka funksionuar ende, ka thënë ai, për dy arsye.

“E para lidhet me konfiguracion krejtësisht ndryshe të hapësirës kibernetike të Rusisë, në krahasim me atë të Kinës. E dyta lidhet me traditën e përvetësimit të shumë projekteve digjitale të financuara nga qeveria që një dekadë e gjysmë në këtë shtet”.

Për VK-në, apo për disa kompani tjera të rrjeteve sociale, sikurse X, krijimi i një super aplikacioni ka logjikë ekonomike, sepse mbledh shumë shërbime në një vend, duke rritur të hyrat.

VK e përmend vazhdimisht këtë gjë në faqen e saj.

Mirëpo integrimi i shërbimeve qeveritare, sikurse Gosuslugi, e bën atë potencialisht të dëmshëm”, ka thënë Deitrich.

Shembull, një përdorues rus i VK-së mund të verifikojë identitetin e tij/saj, duke e përdorur profilin në Gosuslugi.

“Pse të kombinohen këto dyja?” ka pyetur ai.

“A mund të imagjinoni diçka të ngjashme në Evropë? A mendoni se ekziston një shtet tjetër që do të bashkëpunonte me Facebook-un dhe do të thoshte ‘po patjetër, vetëm merrni të gjitha të dhënat e qytetarëve, apo u jepni atyre qasje në aplikacionin tuaj’”.

Për autoritetet, përdorimi i teknikave të bllokimit dhe vëzhgimit, sikurse SORM, ka kufizime të mëdha: kërkon burime masive kompjuterike dhe serverë, për të monitoruar sasi të mëdha të të dhënave që qarkullojnë nëpër botë.

Rusia, po ashtu, nuk ka aftësi të brendshme për të ndërtuar shumë pajisje SORM, ka thënë Dietrich: shumë ende varen prej pjesëve të importuara – problem i krijuar për shkak të sanksioneve dhe sigurisë.

Shtojeni këtu edhe faktin që një numër në rritje i rusëve po funksionojnë me rrjet privat dhe pajisje për mbrojte të privatësisë, sikurse Tor, sepse e bën më të vështirë monitorimin e të dhënave.

Mirëpo, nëse e keni një “super aplikacion” të integruar, që njerëzit e përdorin çdo ditë për gjëra të ndryshme, të mëdha e të vogla, atëherë jeta e qytetarëve bëhet më e lehtë.

Duke marrë parasysh ofruesit privatë të shërbimeve të internetit, dhe për shkak të rritjes së popullaritetit të platformave të Perëndimit, sikurse Facebook-u dhe Instagram-i, është bërë e vështirë për autoritetet që të vendosin kontroll në RuNet, si quhet shpesh internet i Rusisë.

“Prandaj, ata duhet të mendojnë për ndërtim të aplikacioneve dhe shërbimeve të tyre lokale, përmes së cilave fuqizohen”, ka thënë Roya Ensafi profesoreshë e inxhinierisë kompjuterike në Universitetin e Miçiganit, dhe bashkë-autore e shumë studimeve për internetin në Rusi.

“Nëse mund të krijoni një aplikacion që përfshin vëzhgim dhe censurë në të, atëherë zgjatet dora e kontrollit”, ka thënë ai.

“Secilën herë e më shumë ndërtohet një ekosistem vëzhgimi, që më pas mund të kontrollohet lehtë prej Qeverisë, sepse përdoruesit duhet ta përdorin atë medoemos. Këtu shoh vetëm pasoja të rënda. Kjo më duket ide e tmerrshme”, ka thënë mes tjerash ajo./ REL

K.M/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

MPJD i kundërpërgjigjet Beogradit, ia refuzon kërkesën për vizitë një ministri serb

MPJD i kundërpërgjigjet Beogradit, ia refuzon kërkesën për vizitë një ministri serb