VLORË - Policia e Vlorës ka zbardhur të plotë një ngjarje të rëndë të dy viteve më parë që lidhet me grabitjen e nje dege të Bankës Raiffeisen në qytetin bregdetar. Nga hetimet e kryera ka rezultuar se autorët e grabitjes janë shtetasit Nardi dhe Joni Idrizi të dy vëllezër të arrestuar pak kohë më parë në kuadër të operacionit "SFIDA 2".

Zbulimi i autorëve erdhi pas sigurimit të provave shkresore nga ana e policisë. Po sot policia e Vlorës ka publikuar dhe fotot e grabitjes me armë dy vite më parë të siguruara nga kamerat e sigurisë brenda Degës së Bankës.
Filiali i Raiffeisen Bank në rrugën Transballkanike u grabit në dhjetor të 2010 në orët e pasdrekes ku dy grabitësit e maskuar dhe të armatosur me automatikë rrëmbyen nën kërcënimin e armëve të gjitha paratë që ndodheshin aty.

Gjatë aksionit të tyre grabitës, dy agresorët kanë izoluar policin roje duke e lënduar atë dhe menjëherë pasi kanë marrë paratë janë zhdukur në drejtim të paditur. Identifikimi i grabitësve është bërë i mundur vetëm pas dy vitesh për shkak se ata ishin të maskuar. Dy autorët e vjedhjes së bankës ishin arrestuar në 26 gusht të këtij viti në Vlorë pasi u akuzuan fillimisht si autorë të grabitjes së disa pikave të karburantit dhe kazinove në qytet. Grupi i mësipërm drejtohej nga shtetasi Nardi Idrizi i cilësuar si person me rrezikshëmri të lartë shoqërore dhe i identifikuar dhe provuar si person i cili ka hapur zjarr në të gjitha rastet si ndaj qytetarëve në tentativat për grabitje, ashtu dhe ndaj patrullave policore.

(ns/shqiptarja.com)