'Superkupën nuk e lë për 3 pikët', Lerda optimist para ndeshjes me Kukësin. Hoxha: Ta nisim me fitore

'Superkupën nuk e lë për 3 pikët', Lerda optimist para ndeshjes me Kukësin. Hoxha: Ta nisim me fitore

Te Partizani, që këtë sezon të ri të Superligës e nis si kampion në fuqi, janë të vetëdijshëm për vështirësitë e ndeshjes së parë me Kukësin. Në prag të takimit me verilindorët, që të dielën I mposhtën për Superkupën e Shqipërisë, trajneri Italian Franco Lerda dukej shumë optmist.

Pas ndeshjes së Superkupës, Duro deklaroi se Kukësi ia fali fitoren Partizanit. Çfarë mendoni dhe a prisni që t’ua falë sërish ndeshjen?

Është opinioni i tij, unë e respektoj. Ndeshjen e pamë të gjithë, ishte e ekuilibruar, një pjesë për secilën skuadër. Ne bëmë më mirë se ata në shtesa. Por, tani duhet të mendojmë për atë që vjen nesër (sot), sepse atë që kaloi e arkivuam.

Nga ndryshon një finale Superkupe nga një ndeshje kampionati?

Për mua ajo që vjen është më e rëndësishmja, sepse duhet ta luajmë. Jo se nuk ishte ajo e Superkupës, sepse është një trofe që e donim shumë, por ajo që mbetet për t’u luajtur është gjithnjë më e rëndësishme. Si kampionët në fuqi i keni të gjithë kundër.

Keni ndonjë strategji për të mbrojtur titullin, apo do vijoni ndeshje pas ndeshjeje?

Ne mendojmë ndeshje pas ndeshjeje. Ilaçi është ajo e punës në vazhdimësi, duke u mundur të përgatisim ndeshjet në mënyrën më të mirë, si psikologjike dhe tekniko-taktike. Të mendosh se kur je kampion të gjithë kundërshtarët do të japim diçka më shumë, ndaj ne duhet të jemi gati edhe për këtë.

A është përgatitur ndryshe kjo ndeshje me Kukësin në krahasim me atë të Superkupës?

Kjo ndeshje vjen pas katër ditësh, ndaj duhet të rikuperonim fizikisht dhe psikologjikisht lojtarët. Kjo është më e rëndësishmja në përgatitjen e takimit për nesër.

A fiksuat ndonjë pikë të fortë të Kukësit?

Kukësi ka një skuadër të mirë, lojtarë të mirë dhe trajner të përgatitur. Ndaj, për ne do të jetë e vështirë, e pamë katër ditë më parë dhe nuk na pret një ndeshje e lehtë. Por, besoj tek djemtë e mij, edhe pse e respektojmë Kukësin. Është një ndeshje transferte përballë një rivali direkt.

Do ju kënaqte edhe një pikë?

Unë para një ndeshje mendoj si të arrij maksimumin. Pastaj, nëse do të vijë një pikë duhet parë se në çfarë kushtesh vjen.

Kampionati starton nesër, ndërsa merkato vazhdon. Prisni ndonjë surprizë në merkato?

Këtë pyetje duhet t’ia bëni klubit. Unë tani po mendoj dhe përgatis ndeshjen e nesërme. Ajo që do të ndodhë deri në fund të merkatos, vjen më vonë.

Do e falje Superkupën për tri pikët në kampionat?

Superkupën nuk e lë dot, sepse e fituam. Nesër do të jetë një tjetër ndeshje, totalisht ndryshe. Nis nga 0 me 0 dhe do shohim çfarë përballje do të jetë. Por, kupën do e mbajmë, nuk e ndërrojmë më.

 

Ndërkohë për sfidën e parë të kampionatit foli edhe kapiteni Alban Hoxha. I pyetur për vështirësitë që ka Partizani përballë një skuadra si Kukësi ai u shpreh:

“Kukësi është një ekip i fortë, nga më të fortët nga pretendentët. Por, një fitore të rrit moralin dhe shpreson që gjithë kampionatin të mbash vendin e parë dhe të luash për kampion. Shpresoj tek një fitore, që do të na shërbejë edhe për moralin dhe do të jetë një fillim i mirë për kampionatin.

Kukësi është i rrezikshëm në sulm, ka pasur probleme në mbrojtje, por kjo pjesë u takon atyre. Ne duhet të fokusohemi tek ekipi ynë dhe të mos lëmë shumë hapësira për kundërshtarin, në mbrojtje sidomos.

Goli i parë ka qenë aksidental në Superkupë, ku nuk u morëm vesh mirë dhe këto pjesë duhet t’i eliminojmë dhe të vazhdojmë përpara. Kam marrëdhënie të mira me Duron, është ndër më të mirët që kam pasur si trajner. Por, secili do të fitojë dhe të fitojë më i miri. Dua t’i uroj suksese trajnerit për këtë sezon”.

A do të ishit i kënqur me një pikë nga kjo ndeshje?

“Ne jemi ekip i ndërtuar për kampion dhe me çdo ekip luajmë për tri pikët. Por, edhe trajneri e tha që duhet të shohësh lojën. Nëse do marrësh një pikë dhe mënyrën si do e marrësh, mund të jesh dhe i kënaqur, ose mund të jesh duke fituar dhe pastaj barazohesh. Por, ne do luajmë për tri pikë si gjithnjë”.

A mendoni se do të kenëi mbështetje të madhe të tifozëve në ndeshjen e parë ta kampionatit pavarësisht se luani në transfertë?

“Tifozët gjithmonë kanë qenë lojtari ynë i 12-të, meqë është hapja e kampionatit, Tirana është afër, mendoj se do jenë në stadium. Janë mbështetje dhe kanë qenë gjatë gjithë viteve që kam qenë këtu. Shpresoj të vazhdojë edhe këtë vit”.

Ne.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Propozimi i PS, a na duhet një reformë e re anti-korrupsion?



×

Lajmi i fundit

Pse qet shkelma?

Pse qet shkelma?