Superliga shqiptare e futbollit do luajë javën e 15-të në dy ditë. Të mërkurë dhe të enjtë në orare të ndryshme do luhen pesë sfida, teksa spikat derbi mes Tiranës dhe Partizanit. Të mërkurë në 20:00 të gjitha rrugët të dërgojnë në "Air Albania", me shkallët e stadiumit që pritet të jenë të mbushura.
Të mërkurë gjithçka nis në orën 13:00 me duelin Kukësi - Laçi. Në "Kukës Arena" Rraman Hallaçi do kërkojë të marrë pikët e para në rikthimin te ekipi A i verilindorëve, për t'iu larguar fundit. Në 20:00 skena është për Tiranën dhe Partizanin që veç 90 minutave në fushë do luajnë edhe për kreun e klasifikimit në "Air Albania".
Të enjte në 13:00 zhvillohen dy duele. Erzeni luan në "Niko Dovana" me Bylis, ndërsa Kastrioti luan me Egnatian në stadiumin e Kamzës. Në orën 15:45 zhvillohet edhe sfida tjetër mes Vllaznisë dhe Teutës në "Loro Boriçi".