Java e 34-t e Superligës shqiptare të futbollit do të luhet e gjitha ditën e shtunë, më 2 maj, në orën 16:00. Një javë mjaft interesante, ku çdo skuadër synon maksimumin në objektivat e saj, nga mbijetesa te gara për “Final 4”.
Vora pret AF Elbasanin në këtë javë të 34-t, në një përballje që pritet e fortë dhe e luftuar. Vorakët kërkojnë pikë të rëndësishme për mbijetesën, ndërsa verdheblutë synojnë të marrin maksimumin e pikëve në kuadër të fazës “Final 4”.
Ndërkohë, Vllaznia do të presë Bylisin në stadiumin “Loro Boriçi”, në një tjetër sfidë me peshë për renditjen. Takime interesante priten edhe në Durrës dhe Tiranë. Teuta do të përballet me Tiranën në stadiumin “Niko Dovana”, ndërsa Partizani pret Flamurtarin në stadiumin “Arena e Demave”.
Në kryeqytet, një tjetër duel i rëndësishëm do të zhvillohet mes Dinamos dhe Egnatias në stadiumin “Air Albania”.
Superliga, raundi 34:
FK Vora - AF Elbasani, 2 maj 2026, ora 16:00, stadiumi “KF Vora”
Vllaznia - Bylis, 2 maj 2026, ora 16:00, stadiumi “Loro Boriçi”
Teuta - Tirana, 2 maj 2026, ora 16:00, stadiumi “Niko Dovana”
Partizani - Flamurtari, 2 maj 2026, ora 16:00, stadiumi “Arena e Demave”
Dinamo - Egnatia, 2 maj 2026, ora 16:00, stadiumi “Air Albania”
Renditja
Vllaznia dhe Bylisi luajnë të shtunën në orën 16:00 në 'Loro Boriçi' të Shkodrës. Sfida vlen për raundin e 34-t të Superligës, ndërsa për mediet foli mbrojtësi i Vllaznisë, Erdenis Gurishta. Ai tha se Bylisi është një rival që meriton respekt, ndërsa të tijtë duhet të futen në fushën e lojës për tri pikë dhe kreun, paçka se e kanë siguruar zonën 'Final 4'.
Gurishta tha se Vllaznia nuk ka nevojë për aleanca dhe se titullin do ta fitojë në fushë pa i thënë askujt faleminderit.
"Pjesa psikologjike në këtë moment nuk është ajo e duhura. Megjithatë, nuk ka mbaruar akoma asgjë. Duhet medoemos të merren tre pikët me Bylisin për të rikthyer moralin dhe entuziazmin tek ekipi. Nuk ka vend për zhgënjim, sepse kemi edhe tre ndeshje përpara 'Final 4'.
Rivalët - Bylisi duhet vlerësuar maksimalisht. Duhet të kemi vlerësimin dhe seriozitetin e duhur gjatë ndeshjes. Është ndeshje e vështirë. Bylisi meriton vlerësim maksimal, sepse ka futbollistë cilësorë brenda ekipit të tij. Për ne, është i vlefshëm tri pikëshi dhe duhet ta marrim me çdo kusht.
A ka aleatë Vllaznia? Vllaznia ka luajtur vetëm, pa aleanca. Në qoftë se e meritojmë për ta marrë titullin kampion, do ta marrim pa i thënë faleminderit askujt. Jemi vetëm në këtë garë dhe në fushën e lojës. Përgjatë gjithë sezonit, e kemi merituar që të jemi në krye të tabelës. Kemi qenë shumicën e kohës aty.
Ndoshta, herë pas here për gabimet tona apo për mungesë përqendrimi e kemi humbur vendin e parë, por gjithsesi jemi në lojë. Nuk na interesojnë ekipet e tjera. Nuk na interesojnë llogaritë e ekipeve të tjera. Ne jemi në lojë për nëntë pikë dhe në qoftë se i marrim këto nëntë pikë, jam i sigurt që do të jemi në vendin e parë dhe do të shkojmë në 'Final 4' me një motivim tjetër dhe me një moral tjetër", tha Gurishta për mediet.
Shkodranët kanë tre ndeshje radhazi pa fitore, mes tyre dy humbjet e fundit kundër Dinamos dhe AF Elbasanit, çka ka bërë që të humbasin kreun. Shkodranët do garojnë në 'Final 4' pas sezonit të rregullt dhe shpresojnë që të sigurojnë titullin kampion në Superligë pas një mungese 25-vjeçare.
Komente









