Sot në orën 16:00 Superliga shqiptare e futbollit do të zhvillojë pesë takimet e raundit të 35-të, ose thënë ndryshe të parafundit për sezonin e rregullt. Fundjava e shkuar ishte e turpshme në futbollin shqiptar dhe raundi i 34-t do të mbetet një njollë turpi për tolerimet që skuadrat bënë në fushë, teksa katër nga pesë takimet ishin parashikuar nga kompanitë e basteve sesi do të përfundonin.

Më së paku skuadrat kanë bërë aleanca mes tyre në dëm të klubeve të tjera, aty ku bashkohen interesat ekonomike, politike dhe miqësore. Edhe pse fundjava e shkuar bëri bujë për tolerimet në fushë (për të mos thënë trukimet e ndeshjeve), edhe sot në faqet ndërkombëtare të basteve sheh koeficientë jo normal për vetë formën e ekipeve dhe pozitat në klasifikim.

Dyshime për Dinamo - Vora

Në stadiumin 'Air Albania' Dinamo e cila është pranë sigurimit të zonës 'Final 4' pret Vorën, me këta të fundit që janë në vallen e mbijetesës dhe kanë nevojë për pikë. Një nga kompanitë më të fuqishme të basteve në botë, 'Bet365', e ka kuotuar fitoren e Dinamos me koeficientin 5.00, ndërsa fitoren e Vorës me 1.5, diçka jo normale për metodën e tyre të punës, e cila bazohet në renditjen e klubeve, formën e tyre dhe objektivat. Por nuk mjafton kaq. Fitorja e Vorës dje ishte kuotuar me koeficientin 2.9, pra më lart se sot që është ulur në 1.5, çka do të thotë se mund të jenë hedhur shuma të majme parash në baste, që e kanë detyruar kompaninë të ulë marshin e fitimit për lojtarët e basteve.

Koeficientët e hapjes dhe ata aktual të Dinamo - Vora

Flamurtari i vendit të fundit e ka të sigurt fitoren kundër Teutës

Si të mos mjaftonin katër golat e shënuar kundër Partizanit në fitoren 1-4 të disa ditëve më parë, gjë që ishte parashikuar nga bastet, edhe sot Flamurtari ka një koeficient modest (1.28) për fitoren kundër Teutës (kuotohet 8.00). Paçka se durrsakët ndërruan trajnerin dhe janë në vallen e mbijetesës, vlonjatët duket se e kanë 'në xhep' fitoren dhe bastet nuk është se gënjejnë në të tilla parashikime. Teuta ndeshjen e fundit e luan kundër Egnatias që e ka siguruar zonën 'Final 4', ndaj llogaritë mund të jenë bërë dhe në dy javët e fundit mund të na shohin sytë çudira në fushë. Çudira që mund të kenë nevojë për hetime.

Dy ndeshjet e sotme të Superligës që janë kuotuar në baste

Veç ndeshjeve të mësipërme, sot luhen edhe KF Tirana - Vllaznia, Bylis - AF Elbasani dhe Egnatia - Partizani të cilat nuk janë fare në baste. Na mbetet vetëm të shpresojmë në 'gabimet' e bookmakersave për të mos parë maskaradën e radhës në futbollin elitar shqiptar, i cili është braktisur nga tifozët.

Superliga, raundi 35-të:

E mërkurë, 05 maj 2026 - 16:00

Bylis - AF Elbasani

Dinamo - Vora

Egnatia - Partizani

Flamurtari - Teuta

KF Tirana - Vllaznia

Superliga, raundi 36-të (i fundit):

E diel, 10 maj 2026 - 16:00

AF Elbasani - KF Tirana

Partizani - Dinamo

Teuta - Egnatia

Vllaznia - Flamurtari

Vora - Bylis

Renditja: