Superliga shqiptare e futbollit nisi këtë të shtunë me raundin e 24-t. Tri pikë shkuan për Teutën që përmbysi 2-1 Bylisin, ndërsa Vora ndali në barazimin 1-1 Egnatian.

Në stadiumin e Vorës, vendasit barazuan 1-1 kundër kampionëve në fuqi të Egnatias. Sfida nisi më mirë për miqtë nga Rrogozhina, teksa ishte Fernando me një 'panenka' nga pika e bardhë e 11 metërshit që kaloi Egnatian në epërsi. Vendasit nuk u dorëzuan dhe patën shanset e tyre, por goli i barazimit erdhi vetëm tre minuta para fundit të ndeshjes me autor Irgi Kasallën.

Në fund dy skuadrat ndanë nga një pikë, që më shumë vlerë ka për Vorën. Vorakët i kanë dhënë një asist Vllaznisë për t'u shkëputur në krye të klasifikimit, ndërsa përballë do kenë AF Elbasanin të dielën në 'Loro Boriçi'. Në rast se AF Elbasani do fitonte, do kishim një barazim në krye të renditjes.

Në stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit, Teuta u rikthye te fitorja duke përmbysur 2-1 Bylisin. Ishin ballshiotët ata që shënuan me kapitenin Marku pas tre minutave lojë. Dy minuta më vonë, Teuta barazoi me Wotlain, i cili goditi me kokë topin e ardhur nga një goditje këndi.

Kapiteni i Teutës, Blerim Kotobelli realizoi një supergol në minutën e 56-të. Ai mori përsipër goditjen e dënimit, të dhënë në kufijtë e 16-metërshit, duke e dërguar topin në rrjetë. Kotobelli shpërtheu menjëherë në lot, teksa ia dedikoi golin të atit, të ndarë nga jeta katër ditë më parë.

Superliga, raundi i 24-t:

E shtunë, 14 shkurt 2026

13:30 Vora 1-1 Egnatia

16:30 Teuta 2-1 Bylis

E diel, 15 shkurt 2026

16:30

Dinamo - Flamurtari

Partizani - Tirana

19:30 Vllaznia - AF Elbasani

Renditja: