Supertrafikanti lidhje telefonike 
me ish-prefektin e PD në Berat
VD/Hoxha:Nuk kam folur me Hysenin

Supertrafikanti lidhje telefonike <br />me ish-prefektin e PD në Berat<br />VD/Hoxha:Nuk kam folur me Hysenin
TIRANE - Ilir Hyseni i konsideruar si kreu i trafikut të kokainës kapur në Xibrakë të Elbesanit, pak ditë para se të mbërrinte në Shqipëri kur ishte në Gjermani për të organizuar trafikun e kokainës ka mbajtur kontakte telefonike me ish-prefektin e Beratit Bujar Hoxha i zgjedhur i Partisë Demokratike. 

Ky fakt konfirmohet për A1Report nga burime pranë Prokurorisë së Krimve të Rënda ku Hyseni me numrin e tij të telefonit 069xxxxxxx ka biseduar me numrin 06920xx523 në dispozicion të ish-prefektit të Berishës. Lidhjet telefonike mes Hysenit dhe një farë “Bujari” u konfirmuan dhe nga Gjykata që vendosi burg për Ermal Hoxhën.

Referuar të dhënave të siguruara nga A1Report, ish prefekti i Beratit zotëron një biznes bojërash në qytetin e Beratit, ndërsa ende mbetet për të sqaruar origjina e lidhja e Hysenit me ish-Prefektin. 

Të njëjtat burime bënë me dije se fillimisht numri i telefonit 06920xx523 i identifikuar thjesht si Bujar, e më pas ka rezultuar se është ish-prefekti Hoxha. 

Aktualisht Hoxha nuk është marrë në pyetje në lidhje me njohjet që ka me Hysenin, ndërsa ai është listuar tek personat që do të pyeten për veprimtarinë e grupit kokaina. Po ashtu referuar të dhënave online, rezulton se ish-prefekti Hoxha prej disa kohësh në biznesin e tij te bojërave kishte lidhje dhe me Gjermaninë.


faksimile bujar
(Faksimile: Komunikimi telefonik i Ilir Hysenit me Bujar Hoxhën)

Hoxha per A1 Report: Nuk e njoh Ilir Hysenin, nuk kam folur ne telefon
Në një lidhje të drejtpërdrejtë telefonike për A1 Report, ish-prefekti i Beratit Bujar Hoxha mohoi të kishte pasur komunikim telefonik me trafikantin Ilir Hyseni. Gazetares të A1 Report Erjona Rusi iu desh t’i sqaronte live ngjarjen ish-prefektit, pasi Hoxha u shpreh se nuk kishte dijeni për çfarë bëhej fjalë. Ai tha se për shkak të bizneseve të tij ai merr telefonata të shumta në celularin e tij, por tha se nuk ka kontaktuar me Hysenin. Ai tha se ende nuk është marrë në pyetje nga prokuroria por se është i gatshëm të përgjigjet për çdo akuzë që rëndon ndaj tij. Gjate bisedes se drejteperdrejte ne studio, Hoxha pranoi se ka nje firme ne Gjermani.

Më poshtë intervista telefonike e Bujar Hoxhës për A1 Report: 
Bujar Hoxha: Përshëndetje
Erjona Rusi: Faleminderit për këtë bisedë telefonike që po realizojmë bashkë, jemi në transmetim të drejtpërdrejtë. Do doja të iu pyesja, ju a jeni në dijeni të fakteve të bëra publike nga Prokuroria e Krimeve të Rënda se Ilir Hyseni, një prej personave të arrestuar në operacionin më 14 janar në trafikun e kokainës në Xibrakë të Elbasanit, ka patur kontakte telefonike me një numër që rezulton të jetë numri i telefonit tuaj.
Bujar Hoxha: Ka pasur lidhje telefonike?
Erjona Rusi: Ka pasur bisedë telefonike. Kështu rezulton nga burime të Prokurorisë.
Bujar Hoxha: Tani konktate telefonike, unë kam 3000 kontakte në telefon dhe nuk e di kush është Iliri dhe për çfarë bëhet fjalë.
Erjona Rusi: Ilir Hyseni është një prej personave të arrestuar gjatë operacionit në Xibrakë të Elbasanit më 14 janar ku u zbulua dhe laboratori i drogës. Është përgjuar numri i tij i telefonit, dhe mes disa numrave me të cilët ai ka kontaktuar gjatë kohës që ndodhej në Gjermani, sipas Prokurorisë, rezulton të jetë edhe numri i juaj i telefonit. Ju keni dijeni? E njihni personalisht Ilir Hysenin?
Bujar Hoxha: Jo nuk e njoh Ilir Hysenin personalisht. Mua më kontaktojnë shumë numra dhe unë jam gjatë gjithë kohës në lëvizje, prej 20 vjetësh në aktivitet, biznes. Tani unë nuk e di kush është ky. Edhe një herë nuk e di për se bëhet fjalë, për këtë zotërinë. Për çfarë bëhet fjalë, nuk kam ndonjë dijeni.
Erjona Rusi: Ju keni kontaktuar ndonjëherë me Ilir Hysenin?
Bujar Hoxha: Nuk kam kontaktuar me Ilir Hysenin. Po më vjen çudi nga Prokuroria e Krimeve të Rënda kur unë jam gjithë ditën në aktivitet, gjithë ditën në Berat, gjithë ditën në Tiranë.
Erjona Rusi: Ju jeni i gatshëm të flisni në Prokurori nëse iu kërkojnë të iu marrin në pyetje në lidhje me këtë?
Bujar Hoxha: Absolutisht. Unë jam qytetar i lirë dhe mund të paraqitem çdo ditë para kujtdo institucioni shtetëror. Ju po më telefononi dhe po më thoni se jemi në transmetim direkt.
Erjona Rusi: Vetëm pak çaste më parë ka dalë ky lajm zoti Hoxha dhe për të qenë korrekt kërkuam të iu kontaktojmë dhe të iu pyesim në lidhje me këtë çështje. Vetëm pak çaste më parë është konfirmuar nga burime të Prokurorisë së Krimeve të Rënda.
Bujar Hoxha: Thashë edhe një herë. Unë jam një qytetar i lirë që flas me të gjithë, me kryeministrin,qoftë me çdo person të lirë, qoftë edhe me persona që kanë përgjegjësi ndaj shtetit, si ky zotëria, por që të përmendet emri im tani që po flasim në televizion, pa ndonjë shkak, se ky zotëria mund të ketë edhe 1000 miq të tjerë. Pse u dashka unë si pikë referimi në televizion që të transmetohet një lajm i tillë.
Erjona Rusi: Por sepse gjithsesi ju jeni person publik zoti Hoxha, jeni qytetar i lirë, por jeni edhe ish-Prefekti i Beratit apo jo?
Bujar Hoxha: Po
Erjona Rusi: Pikërisht prandaj bëhet edhe më rëndësishme përmasa e lajmit. Nëse do të ishte një qytetar i thjeshtë ndryshojnë gjërat. Ju jeni ish-Prefekti i Beratit, keni pasur një pozicion politik dhe mbani përgjegjësi edhe për këtë.
Bujar Hoxha: Absolutisht mbaj përgjegjësi për çdo gjë që bëj.
Erjona Rusi: Pikërisht. Unë nuk dua të iu akuzoj për asgjë, nuk më lejohet. E vetmja pyetje është nëse ju mbani mend, keni kontaktuar me këtë njeri apo jo që quhet Ilir Hyseni?
Bujar Hoxha: As nuk e mbaj mend fare këtë person.
Erjona Rusi: Nuk e mbani mend të keni kontaktuar me të?
Bujar Hoxha: Po po, nuk e mbaj mend.
Erjona Rusi: Bëhet fjalë për disa ditë përpara datës 14 janar, kur Ilir Hyseni ndodhej në Gjermani.
Bujar Hoxha: Tani çfarë ka bërë zotëria në fjalë, ashtu si çdo qytetar, do të përgjigjet para drejtësisë nëse bën diçka.
Erjona Rusi: Por ju thatë se gjatë ditës ju komunikoni me njerëz nga më të ndryshmit?
Bujar Hoxha: Po zonjë sepse unë jam biznesmen. Kam mbajtur një post publik. Jam shumë krenar që e kam mbajtur atë post publik, sikur jam krenar që jam biznesmen 24 vjeçar.
Erjona Rusi: Nuk po vë në dyshim asgjë, por për shkak të biznesit që keni, mund të keni kontakte edhe jashtë vendit?
Bujar Hoxha: Absolutisht në të gjithë botën.
Erjona Rusi: Edhe në Gjermani. Pra ju nuk e përjashtoni mundësinë që të keni pasur kontakte edhe me Ilir Hysenin por nuk e mbani mend?
Bujar Hoxha: Unë nuk e njoh fare. Unë në Gjermani kam kontakte vetëm me firmën “Bayern” me të cilën mbaj kontakte.
Erjona Rusi: Dakord zoti Hoxha. Por ju vetë personalisht keni ndodnjë reagim lidhur me këtë fakt që bëhet publik?
Bujar Hoxha: Tani vërtetë që unë kalova në një shqetësim real, të cilën do ta denoncoj.
Erjona Rusi: Të denonconi kë?
Bujar Hoxha: Qoftë këtë që e ka dhënë si lajm, edhe lajmin patjetër sepse ka përgjegjësi morale çdo lajm apo jo? Vërtetë jeni gazetarë të lirë në këtë botë të lirë, por nuk mund të akuzoni në këtë mënyrë.
Erjona Rusi: Ky fakt bëhet publik nga një institucion publik. Ne as nuk e kemi shpikur, as nuk e kemi sajuar. Ky është një fakt që bëhet publik.
Bujar Hoxha: Nuk e di zonjë. Por edhe ju si gazetarë, si në jetën tuaj edhe në telefonin tuaj shumë njerëz të cilët mund të bëjnë diçka tjetër. Nesër edhe ju po të keni kontakte, nëse ai ka bërë një shkelje penale do të thotë se ju jeni me atë person? Çfarë ka lidhje?
Erjona Rusi: Zoti Hoxha asnjë nuk po iu akuzon. Po themi ka dalë një fakt nga Prokuroria, pra është një lajm i bërë publik nga Prokuroria, nuk është një lajm që e bëjmë publik ne si media. Për të qenë korrekt ne iu kërkuam një reagim. Je keni të drejtë të thoni çfarë të doni, prandaj jemi në transmetim të drejtpërdrejtë.
Bujar Hoxha: Edhe një herë, unë do të reagoj për këtë lajm. Do ta çoj, do ta denoncoj, do të shkoj në gjykatë. Do të kërkoj në përse të përmendet emri im, për asgjë. Ashtu sikur ne pasi të mbarojmë punë bashkë, unë do të kontaktoj në zyrën time me dikë që më vjen, dhe personi pa kaluar 20 minuta, mund të bëjë, kurrë mos e bëftë të kesh inat një shpitar, mund të bëjë një vrasje. Dhe ky person qenka i lidhur me ish-Prefektin e Beratit?
Erjona Rusi: Askush nuk po thotë që mund të ketë lidhje. Ju mendoni se dikush tjetër mund të ketë përdorur telefonin tuaj?
Bujar Hoxha: Telefoni im nuk përdoret nga askush veç Bujar Hoxha.
Erjona Rusi: Dakord zoti Hoxha ju kërkoj ndjesë për shqetësimin. Ka dalë thjesht emri dhe numri juaj nga burimet e Prokurorisë.
Bujar Hoxha: Edhe një herë, emri dhe numri im i telefonit mund të përdoret në 5, 10, 20 persona me vepra penale. Prandaj ka një kod që përpara se të jepen këto lajme duhet të më kontaktojnë mua sepse telefoni im është 24 orë hapur. Të kontaktojnë, të flasin dhe pastaj nëse ka të vërtetë se Bujar Hoxha në 24 vite biznes ka shkelur qoftë edhe një gjë të vogël të këtij vendi atëherë unë jap llogari për këtë.
Erjona Rusi: Dakord keni të gjithë të drejtën tuaj në Prokurori nëse do të iu pyesin të jepni dëshminë tuaj për çdo gjë dhe ne natyrisht jemi të gatshëm të publikojmë çdo informacion që do të dalë në rrugë zyrtare nga Prokuroria apo çdo institucion tjetër që hedh poshtë këtë informacion që nesër, që brenda 5 minutave. Thashë nuk ka asgjë të qëllimshme, unë iu kërkoj ndjesë për shqetësimin, prandaj ju morëm sapo doli lajmi, për të qenë korrekt për të patur këtë reagim.
Bujar Hoxha: Unë iu mora vetë sepse më del që i keni rënë dy herë telefonit.
Erjona Rusi: Po iu kemi rënë 3 herë.
Bujar Hoxha: Unë nuk jam përgjigjur sepse kam pasur takim. Jam në një shtet të huaj në këtë moment që po flasim bashkë. Nëse doni takonfirmoni ejani në zyrën time. Dhe mua menjëherë që më dalin numra që më kanë rënë, marr çdo lloj numri. Nuk kam asnjë kompleks në këtë punë. Dhe unë iu mora vetë apo jo?
Erjona Rusi: Po po kjo është e saktë.
Bujar Hoxha: Pikërisht. Dhe dy-tre numra të tjerë që i kishin rënë përpara jush, mora ata pastaj iu mora ju.
Erjona Rusi: Dakord zoti Hoxha, përpara se të dilnim në transmetim, keni komunikuar me regjinë, ju kemi shpjeguar edhe çështjen, besoj kemi qenë korrekt bashkë. Donim të dinim një reagim, për të mos dhënë një lajm të njëanshëm. Përkundrazi, ju telefonuam disa herë, ju dhamë mundësinë. Unë ju kërkoj ndjesë, për shqetësimin, e kuptoj që keni qenë i zënë, dhe falënderoj shumë që na morët, por regjia ju mori në telefon dhe iu bëri të ditur se për çfarë bëhej fjalë. Nuk është asgjë e qëllimshme më besoni. Institucionet përkatëse do të iu kontaktojnë dhe ju keni të drejtën të sqaroni dhe të pastroni të gjithë këtë.
Bujar Hoxha: Patjetër unë nuk kam çfarë pastroj sepse jam kaq i pastër sa xhami i pastruar. 

foto
( Në foto: Bujar Hoxha)

dyqani i bujar hoxha
(Në foto: Biznesi i Bujar Hoxhës)

ilir hyseni
(Në foto: Ilir Hyseni)

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Albcontrol 39,7 milionë lekë për pajisjet e Kullës së Kontrollit në Aeroportin e Vlorës

Albcontrol 39,7 milionë lekë për pajisjet e Kullës së Kontrollit në Aeroportin e Vlorës