Një australiane ka sjellë në jetë katërnjake identike, të ngjizura pa ndihmën e fertilizimit artificial, pas një shtatzënie që u përshkrua si "jashtëzakonisht me rrezik të lartë" nga mjekët.
Katër vajzat, të cilat erdhën në jetë përmes ndërhyrjes cezariane në javën e 28-të të shtatzënisë, janë katërnjake monozigotikë, një rast kur një vezë e vetme e fekonduar ndahet në katër embrione.
Spitali bëri të ditur se nëna e vajzave, Jenitar Na'amoana, 34 vjeçe, dhe bashkëshorti i saj, Jortham, ishin tashmë prindër të katër fëmijëve dhe mbetën "jashtëzakonisht të befasuar" kur mësuan se prisnin katërnjakë.
Dr. Alexa Bendall, e cila u kujdes për nënën që nga fillimi i shtatzënisë, tha se katërnjakët identikë ndodhin "vetëm një herë në çdo 15 milionë shtatzëni", por shtoi se "që të gjithë të ndajnë të njëjtën placentë, kjo është e padëgjuar", raporton BBC.
Bendall tha se një shtatzëni e tillë paraqet rrezik shumë të lartë. Për këtë arsye, spitali e shtroi Na'amoana në javën e 25-të të shtatzënisë, në mënyrë që ajo të ishte vazhdimisht nën monitorim.
"Ne gjithmonë thoshim se nëse do të arrinim ta çonim shtatzëninë deri në javën e 28-të, do të ishte një sukses," tha Bendall. "Prandaj fakti që tani kemi katër foshnja të bukura dhe të shëndetshme, të lindura në javën e 28-të e katër ditë, është i jashtëzakonshëm dhe jemi shumë të lumtur që kemi qenë pjesë e kësaj," shtoi ajo.
Vajzat janë pagëzuar me emrat Emily, Harriet, Catherine dhe Alexa, kjo e fundit në nder të mjekes Bendall.
Foshnjat do të qëndrojnë në njësinë e kujdesit intensiv neonatal të spitalit derisa të arrijnë zhvillimin e plotë. Katër fëmijët e tjerë të çiftit janë të moshave nga një deri në 10 vjeç, ndërsa nëna ka nisur së fundmi një fushatë online për mbledhje fondesh, me qëllim blerjen e një furgoni me të paktën 10 vende.
Katërnjakët e ngjizur natyrshëm janë jashtëzakonisht të rrallë. Mjekët vlerësojnë se gjasat për një lindje të tillë janë rreth një në 700,000 lindje.
Komente