WASHINGTON- Ambasadorja e Kombeve të Bashkuara ka tërhequr emrin e saj nga shqyrtimi për postin e Sekretares amerikane të Shtetit, bëri të ditur Shtëpia e Bardhë.

Ndërkohë Hillari Clinton ka bërë të ditur se nuk do të kandidojë për një mandat të dytë në Departamentin e Shtetit. Në një letër drejtuar presidentit amerikan Barack Obama, ambasadorja ka thënë se procesi për miratimin e saj do të ishte “përçarës dhe i kushtueshëm”, njofton NBC News.

Në letrën e shkruar zonja Rice shkruante se ndihej “shumë e nderuar”, për faktin që u konsiderua e denjë për postin e Sekretares së Shtetit, si dhe “me besim të plotë se mund t’i shërbente vendit efektivisht në atë rol”. “Jam e bindur se procesi i konfirmimit do të ishte i gjatë, i kushtueshëm, ndaj jush dhe ndaj prioriteteve tona kombëtare e ndërkombëtare”, i shkroi zonja Rice presidentit. “Ky kompromis thjesht nuk i shërben aspak vendit tonë”, shtoi ajo, duke thënë se “Pozicioni i Sekretares së Shtetit kurrë nuk duhet politizuar”.Rice ka qenë në qendër të kritikave të republikanëve, në lidhje me reagimin e administratës së Obama-s, ndaj sulmit të 11 shtatorit në konsullatën amerikane në Bengazi.Më pas në letër zonja Rice, shkruante se perspektiva e kundërshtimeve në Kongres ndaj konfirmimit të mundshëm të saj, qëndronte pas vendimit të saj për t’u tërhequr nga kjo garë.

Përmes një deklarate Obama shprehu keqardhje për sulmet e padrejta dhe çorientuese ndaj saj gjatë javëve të fundit”. Ai shtoi se vendimi për tërheqje reflekton forcën e karakterit dhe aftësinë për t’u ngritur mbi politikën.

Redaksia online
(lç/sg/shqiptarja.com)