Trajneri i kombëtares shqiptare të futbollit, Sylvinho, shfaq besim të plotë në aftësitë e kuqezinjve për të përballuar fazën “play-off” të Botërorit 2026, duke e konsideruar këtë moment si një hap të rëndësishëm drejt realizimit të ëndrrës së madhe amerikane.
Në një intervistë për FSHF, tekniku brazilian ka analizuar rrugëtimin e Shqipërisë në kualifikues, duke theksuar se përvoja e fituar ndaj kundërshtarëve si Serbia, Letonia dhe Andorra ka ndihmuar ndjeshëm në pjekurinë e skuadrës. Sipas tij, këto ndeshje i kanë mësuar lojtarët se si të luajnë përballë kombëtareve të rëndësishme dhe në takime vendimtare.
Sylvinho e ka cilësuar barazimin në Letoni (1-1) si momentin më të vështirë të fushatës kualifikuese, por ka nënvizuar se reagimi i skuadrës më pas ishte i shkëlqyer, me fitore radhazi që siguruan vendin në “play-off”.
“Në ato muaj pashë një skuadër të maturuar, të aftë për të përballuar presionin dhe për të fituar ndeshje deçizive”, u shpreh trajneri.
Sa i përket shortit play-off kundër Polonisë, trajneri e vlerëson kundërshtarin si shumë të fortë dhe me përvojë në këtë fazë, por thekson se edhe Shqipëria tashmë është mësuar të luajë ndeshje ku çdo detaj bën diferencën.
“Janë 90 minuta ku gabimet nuk falen, por unë besoj shumë te lojtarët e mi dhe puna që kemi bërë. Mund të them që tashmë jemi mësuar të luajmë ndeshje të rëndësishme, deçizive, qoftë ndaj Italisë apo ndaj një skuadre pak më modeste. Këta lojtarë kanë filluar të kuptojnë dhe të luajnë ndeshje me kombëtare të rëndësishme, deçizive. Ata kanë bërë shumë mirë, në të treja ndeshjet radhazi, nuk ka qenë e lehtë, kemi fituar dhe kjo na ka sjellë në play-off”, deklaroi ai.
Në prag të përgatitjeve për ndeshjen e marsit, Sylvinho ka konfirmuar se stafi teknik ka nisur punën, duke analizuar performancat e fundit, komunikuar me lojtarët dhe planifikuar vizita për t’i ndjekur nga afër.
Në fund, trajneri i kuqezinjve e bëri të qartë se Shqipëria ka kaluar nga faza e ëndrrës drejt objektivit konkret, kualifikimin në Botërorin 2026. Dhe përgjigjja e tij për pyetjen nëse Shqipëria mund t’ia dalë ishte e prerë: “Patjetër”.
Kupa e Botës 2026 zhvillohet në SHBA, Meksikë dhe Kanada nga 11 qershori deri më 19 korrikun e këtij viti.
Komente











