Piloti i ri i garave të shpejtësisë, Lirim Zendeli ka fituar garën Formula 2023 USF Pro 2000 të zhvilluar dje në SHBA. Piloti shqiptar ka lënë pas të gjithë kundërshtarët, duke fituar në kategorinë e tij. Pas triumfit, djaloshi që jeton në Gjermani ka festuar me flamurin shqiptar.
Përballja nuk ishte e lehtë për shqiptarin, që e pa veten qysh në fillim nën sulmin e Browne dhe Pizzit, duke humbur vendin e parë përkohësisht. Zendeli pas xhiros së nëntë mori sërish kryesimin për mos e lënë më deri në fundin e garës. Zendeli e mbylli me 3.58 sekonda më shpejt se kundërshtarët, duke treguar se po bën rritje të kategorinë e të rinjve në Formula 1.
Pas garës Zendeli tha se gara ishte e vështirë. "Gara ishte vërtet e vështirë. Ishte konfuze në fillim sepse shoku im i skuadrës kishte kontakte me Michael [d'Orlando], kështu që unë isha lider dhe rashë në vendin e tretë. Pata një xhiro të parë të shkëlqyer, kështu që mund të vendosesha dhe të shihja se si po shkonin gjërat, por më pas efekti i rrëshqitjes ishte thjesht shumë i madh dhe nuk mund të shpëtoja. Bëra xhiro perfekte pa gabime, por gjithsesi nuk mjaftoi që mos e humbisja vendin përkohësisht. Në fund kundërshtari bëri një gabim dhe prej andej xhirot e fundit ishin pak më të lehta për mua. Jam vërtet i lumtur për fitoren", tha Zendeli.