Të akuzuarit për terrorizëm
Gjykata vendos 30 ditë paraburgim

Të akuzuarit për terrorizëm<br />Gjykata vendos 30 ditë paraburgim
PRISHTINË - Gjykata Themelore e Prishtinës ka vendosur 30 ditë paraburgim për të gjithë të akuzuarit për terrorizëm. Para dy ditësh 40 persona të dyshuar si të implikuar në organizata terroriste dolën para Gjykatës së Prishtinës për t’u njohur me akuzat. Ndërsa vetëm sot është dhënë vendimi i Gjykatës për të dyshuarit duke dhënë edhe masën e sigurisë arrest me 30 ditë burg.

Mësohet se nga 40 personat që kanë dalë para gjykatës vetëm 4-5 prej tyre, kanë pranuar që kanë marrë pjesë në ushtrinë çlirimtare të Sirisë, ushtri kjo e cila sipas tyre nuk konsiderohet si ushtri terroriste.

Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesa e Prokurorisë Speciale të Kosovës dhe ndaj 40 të arrestuarve ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditëve. Ata po hetohen për organizim dhe pjesëmarrja në grupe terroriste, nxitje të urrejtjes përçarëse ose mos durim kombëtar racor, fetar apo etnik dhe rekrutimi për terrorizëm.

Sipas një komunikate të Gjykatës, 40 të pandehurit po hetohen nga Prokuroria për veprën penale ‘organizimi dhe pjesëmarrja në grupe terroriste, nxitja e urrejtjes përçarëse ose mos durimi kombëtar racor, fetar apo etnik dhe rekrutimi për terrorizëm, ndërkaq për të pandehurit Zejadin Berisha, Bekim Halili, Agron Lika, Kujtim Bytyqi, Shaban Dumani, Kujtim Bllaca, Samidin Halimi, Ibrahim Reshiti, Fikret Kërqo, Blerim Syla, Besim Lajqi, dhe Skender Syla edhe për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale Mbajtja në pronësi, kontroll posedim apo shfrytëzim të paautorizuar të armëve.

Kjo masë e paraburgimit llogaritet nga dita e ndalimit, përkatësisht deri në dt. 11.09.2014 nëse më herët kjo masë nuk hiqet.

Sipas Gjykatës, masa e paraburgimit është caktuar pasi që gjykata ka pranuar si të bazuara pretendimet e Prokurorisë Speciale se janë plotësuar kushtet ligjore për caktimin e paraburgimit sepse ekzistojnë rrethanat që tregojnë rrezikun se po të gjenden të pandehurit në liri për t’iu shmangur përgjegjësisë penale kanë mundësi që të arratisen nga vendbanimet e tyre. 

Të largohen nga Kosova duke marrë parasysh rrethanat konkrete se që të gjithë të pandehurit në të kaluarën e afërt kanë bërë udhëtime jashtë Kosovës dhe disa prej tyre kanë shkuar në Siri dhe prapë janë kthyer në Kosovë, si dhe duke marrë parasysh faktin se për veprat penale për të cilat tani janë të dyshuar që të gjithë të pandehurit me dispozitat ligjore parashihet dënimi me burg jo më pak se pesë vite.

”Të gjitha këto rrethana paraqesin rrezik potencial se po që se të pandehurit gjenden në liri ekziston mundësia reale që të njëjtit të largohen nga Kosova për t’iu shmangur përgjegjësisë penale, pasi që të njëjtit janë në dijeni se kundër tyre është duke u zhvilluar procedurë penale për veprat penale të lartëcekura.Po ashtu, po që se të pandehurit gjenden në liri të njëjtit do të ndikojnë në rrjedhën normale të procedurës penale duke ndikuar në bashkë të pandehurit e tjerë në këtë çështje penale duke asgjësuar fshehur dhe falsifikuar prova, si dhe mund të ndikojnë në të pandehurit e tjerë të cilët gjenden në arrati si dhe dëshmitarët, identiteti i të cilëve tani për tani nuk është i njohur për të pandehurit dhe mbrojtësit të tyre për shkaqe të sigurisë. Të gjitha këto rrethana tregojnë se po qe se të pandehurit gjenden në liri ka gjasa se të njëjtit mund të ndikojnë në të pandehurit tjerë të cilët janë në arrati në dëshmitarët duke i ndryshuar, falsifikuar apo fshehur provat e veprave penale dhe në këtë mënyrë do ta pengojnë rrjedhën normale të procedurës penale. Duke u bazuar në mënyrën dhe rrethanat me të cilat dyshohet se janë kryer veprat penale nga të pandehurit, peshën dhe natyrën e rëndë të veprave penale për të cilat dyshohen të pandehurit, për faktin se në rastin konkret kemi të bëjmë me një grup kriminal të organizuar. Të gjitha këto rrethana tregojnë rrezikun se po qe se të pandehurit gjenden në liri ekziston mundësia që të njëjtit të kryejnë veprat penale të natyrës së njëjtë apo të ngjashme”, thuhet në komunikatë.

Kundër këtij aktvendimi mund të ushtrohet ankesa në afat prej 24 orëve në Gjykatën e Apelit të Kosovës.

Gjykata thotë se ndaj të gjithë këtyre të pandehurve Prokuroria Speciale ka marrë aktvendim për zbatimin e hetimeve.

“Tani për tani hetimet zbatohen nën mbikëqyrjen e Gjykatës Themelore në Prishtinë. Kjo gjykatë do të kujdeset që këto hetime të zbatohen në aplikim të plotë dhe të drejtë të dispozitave të Kodit të Procedurës Penale. Gjithnjë për derisa çështja të jetë në kompetencë të Gjykatës Themelore në Prishtinë, kjo Gjykatë do të kujdeset,dhe i siguron palët, se do të procedohet me kohë dhe në aplikim të plotë të dispozitave ligjore”, thuhet në komunikatë. 

Redaksia Online
(a.h/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duket turizmi këtë sezon, krahasuar me një vit më parë?



×

Lajmi i fundit

Hakmarrja e Hezbollahut/ Në Izrael njerëzit nxitojnë drejt supermarketeve, autoritetet japin udhëzime për strehimoret! Inteligjenca parashikon sulm gjatë festës hebreje

Hakmarrja e Hezbollahut/ Në Izrael njerëzit nxitojnë drejt supermarketeve, autoritetet japin udhëzime për strehimoret! Inteligjenca parashikon sulm gjatë festës hebreje