Të gjitha reagimet e politikës për
 arrestimin e Armando Prengës

Të gjitha reagimet e politikës për<br /> arrestimin e Armando Prengës
TIRANE -  Përplasja masive e armatosur para komisariatit të Laçit, ku mbetën të plagosur 7 persona dhe ku i përfshirë rezulton edhe deputeti socialist tashmë i arrestuar Armando Prenga ka sjellë reagimin e politikës.

Kryeministri Edi Rama u tregua i ashpër kur tha se askush nuk është mbi ligjin, dhe aq më pak deputeti. Përmes një statusi në Facebook, kreu i qeverisë tha se ndëshkimi për këtë ngjarje do të jetë i plotë ligjor. “Koha e të paprekshmëve ka ikur bashkë me Saliun”, - shkruan Rama. Më tej, përmes nje deklarate zyrtare nga selia rozë, deputetja socialiste Olta Xhaçka tha se pas kësaj ngjarje të turpshme siç ajo e cilësoi, deputeti Prenga humbi të drejtën morale për të qenë pjesë e Partisë Socialiste. Edhe kryeparlamentari Ilir Meta kërkoi zbardhjen e menjëhershme të ngjarjes dhe vënien e përgjegjësve para ligjit.

Edhe më i ashpër ishte reagimi i liderit të opozitës Lulzim Basha për të cilin kjo ngjarje tregon se shteti ligjor ka rënë. Për kryedemokratin Basha, pavarësisht se armën e përdori një bandit-deputet, siç ai shprehet, fajtori i vërtetë është shefi i mazhorancës Rama që bëri deputet Armando Prengën “pikërisht për këtë cilësi që ka: vret dhe pret”.

Te gjitha reagimet 

Ora 16:40
Basha: Distancimi i PS-së pas presionit

Lideri i opozitës, Lulzim Basha ka reaguar sërish pas deklaratës së Partisë Socialiste e cila distancon nga partia deputetin e Armando Prenga dhe i bën thirrje organeve të drejtësisë të hetojnë ngjarjen e Laçit. Por, Basha në reagimin e tij shprehet se reagimi i PS-së erdhi 10 orë me vonesë dhe pas presionit të opozitës dhe ndërkombëtarëve.

Deklarata e Bashës:
10 orë e mbajti mbi ligjin deputetin e tij, Edi Rama, pasi kishte lënë disa të plagosur me armë në derë të Komisariatit. E mbrojti, i dha imunitet, urdhëroi terr informativ për krimin e shumëfishtë . Nuk ishte një sjellje e turpshme siç thotë tani kryepërgjegjësi. Ishte një kasaphanë, një shkrehje e përgjakshme armësh e të përzgjedhurit të tij mu brenda në komisariat. Kur presioni u rrit, kur opozita dhe qytetarët denoncuan, kur partnerët ndërkombëtarë u interesuan, vetëm kur e pa se nuk kish nga tia mbante, vetëm atëherë nisi zbatimi i ligjit.

Ndaj është i papranueshëm dhe i pabesuëshëm qëndrimi i tij. Sepse e përzgjodhi Armando (Edmond) Prengën, e mori me të shkuar të njohur kriminale, me precedentë të tmerrshëm, e bëri deputet, e vërsuli kundër kundërshtarit politik në Kuvend, e dekoroi publikisht duke i dhënë mbi ligjin dhe kundër ligjit edhe Lagunën e Patokut, por del e tallet duke përmendur ligjin. Ligji u ndalua, dhe ligji ndalohet të funksionojë kur nuk i volit Edi Ramës.

Mbi ligjin e kundër ligjit sundon sot krimi dhe kriminelët e bërë njësh me pushtetin. Mbi ligjin e kundër ligjit e mbrojti Edi Rama, Arben Ndokën e Pjerin Ndreun. Mbi ligjin e kundër ligjit e la narkotrafikantin Pllana të strehohej në veturën e deputetit të tij Mark Frroku. Mbi ligjin e kundër ligjit e la të arratisej Arben Frrokun pasi e përdori për fushatë. Mbi ligjin, kundër ligjit dhe jashtë ligjit është sot Sajmir Tahiri i denoncuar publikisht si kumbari i bandave të drogës. Mbi ligjin është edhe ortaku i tij Meta, të cilin vetë avokatët e huaj të qeverisë e kanë shënuar si përfitues rryshfetesh miliona euro në aferën e CEZ-it.
Por ka një ligj që ai nuk e ndal dot. Sovranin që do t’i tregojë derën krimit dhe sundimit të krimit.

Ora 14:20 Xhaçka: Prenga humbi të drejtën morale të jetë pjese e PS
Në një deklaratë zyrtare për mediat, deputetja e Partisë Socialiste Olta Xhaçka tha se deputeti Armando Prenga i humbi të drejtat morale të jetë pjesë e PS. Ajo tha se Partia Socialiste nuk është është strehë për kë shkel ligjin.

“Kemi mbyllur kapitullin e pandëshkueshmërisë. Patia Socialiste dënon sjelljet e turpshme në Laç”, tha Xhaçka.

Ora 13:40 Basha: Armët i përdori një deputet-bandit, por fajtor është Rama
Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, e cilësoi si rënie të shtetit ngjarjen e rëndë në Laç. Nëpërmjet një dalje publike për mediat, kreu i partisë më të madhe opozitare fajësoi për këtë ngjarje kryeministrin Edi Rama

Ky është fundi i shtetit ligjor në vend. Pavarësisht se armët i përdori një deputet-bandit, autori dhe përgjegjësi është kryeministri i vendit. Rama e bëri deputet Armando Prengën pikërisht për këtë cilësi që ka: vret dhe pret”, tha Basha.

Sipas kreut të opozitës, Rama ka ndërtuar një “mekanizëm kriminal që e përdor sipas interesave të tij”. 

Autori është deputet, pjesë e një grupi të inkriminuar, me rekorde për vepra të rënda penale, në një parlament që drejtohet nga Ilir Meta, që pak kohë më parë manipuloi një hetim ku akuzohej për porositjen e vrasjes së dy deputetëve, dhe tani është nën akuzë për marrje rryshfeti në shuma të mëdha, me prova e fakte të njohura botërisht”, thotë Basha.

Kjo do të jetë një tjetër arsye për protestat që opozita ka paralajmëruar në shtator. Basha u bëri thirrje shqiptarëve që të dalin në protestë kundër asaj që ai e quajti kapje të shtetit nga bandat.

“Edi Rama nuk na ka lënë zgjidhje tjetër, përvese të ngrihemi në këmbë.
I madh e i vogël, prind e qytetar, të rinj e të reja. Do të ngrihemi e do ti japim fund këtë pushteti tërësisht të inkriminuar. Sovranit i ka ardhur ora ta heqë këtë zgjedhë nga qafa
”, thotë Basha 

Ora 13:30 Meta: Të zbardhet ngjarja, përgjegjësit para ligjit
Kreu i Kuvendit Ilir Meta ka kërkuar zbardhjen e menjëhershme të ngjarjes në Kurbin dhe vënien para ligjit të personave përgjegjës.
 
Përmes një komunikate të shpërndarë për mediat nga zyra e shtypit pranë Kuvendit, thuhet:  Pasi eshte njohur me ngjarjen e mbremjes se djeshme ne Lac, gjate se ciles mbeten te lenduar disa shtetas, si dhe deklaraten e Policise se Shtetit mbi rrethanat dhe personat e perfshire ne te dhe ndalimin nga organet e zbatimit te ligjit te deputetit Armando Prenga, Kryetari i Kuvendit kerkon nga institucionet pergjegese zbardhjen e menjehereshme te saj, si dhe vendosjen perpara ligjit te personave pergjegjes.

Ora 13:10 Rama: Askush mbi ligjin, e aq më pak deputeti 
 “Askush nuk është mbi ligjin dhe aq më pak deputeti!” Me një gjuhë të ashpër është shprehur kryeministri Edi Rama në lidhje me përleshjen me armë në Laç ku u përfshi edhe deputeti socialist tashmë i arrestuar Armando Prenga.

Përmes një statusi në rrjetin social Facebook, kreu i qeverisë thotë se ndëshkimi për këtë ngjarje do të jetë i plotë ligjor. “Koha e të paprekshmëve ka ikur bashkë me Saliun”, - shkruan Rama.

Ora 09:55 Basha: Terr informativ me urdhër të Ramës, ja lënë fajin dikujt tjetër
Lideri i opozitës Lulzim Basha akuzon se Policia e Shtetit është duke u munduar të manipulojë ngjarjen duke mos bërë me faj deputetin Armando Prenga për përleshjen para komisariatit në Kurbin. Përmes një statusi në rrjetin social Facebook, kreu demokrat Basha thotë se ky “terr informativ” (duke iu referuar mungesës së informacioneve të detajuara në lidhje me ngjarjen) vjen me urdhër të kryeministrit Rama. 
 
 

Terri informativ i urdheruar nga Rama dhe zbatuar nga Tahiri mbi ngjarjen kriminale ku Armando Prenga plagosi me arme...

Posted by Lulzim Basha on Saturday, 5 September 2015



Ora 09:50 Berisha: Armando Prenga plagosi me armë 4 persona
Ish-kryeministri Sali Berisha i është referuar denoncimit që një qytetar i ka adresuar në rrjetin social Facebook, duke shkruar se deputeti Prenga ka qëlluar me armë para komisariatit të Kurbinit duke lënë të plagosur 4 persona. Deputeti demokrat ka publikuar mesazhin e plotë që sipas tij i është dërguar nga qytetari, ku flitet për tentativë të Policisë së Shtetit për të fshehur ngjarjen.
 
 

Qytetari dixhital informon: Zjarr mbi qytetaret ne komisariatin e Kurbinit nga deputeti, Armandi i Partise. 4 te...

Posted by Sali Berisha on Saturday, 5 September 2015
 

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A mendoni se protestat mund ta forcojnë pozicion politik të PD-së?



×

Lajmi i fundit

Spahiu: Amnistia për Saljanin duhet të kërkohej nga Berisha kur bëri pakt me Ramën dhe jo mbas ‘pilafit’

Spahiu: Amnistia për Saljanin duhet të kërkohej nga Berisha kur bëri pakt me Ramën dhe jo mbas ‘pilafit’