Të rinjtë në biznes, Rama: Leku
nuk sjell idetë, idetë sjellin lekun

Të rinjtë në biznes, Rama: Leku<br />nuk sjell idetë, idetë sjellin lekun
Bukuroshe Sinanaj është një e re, e cila drejton sot biznesin e saj, tashmë të konsoliduar.
 
Por nuk ishte kështu në fillim. Nga një atelie e thjeshtë mode, me idenë e saj të guximshme dhe mbështetjen e fondit të qeverisë për start-up, sipërmarrja e saj, sot quhet “Recycle Jeans” dhe ka 3 të punësuar, mes tyre një këshilltar të imazhit, si dhe shumë bashkëpunëtorë të jashtëm.
 
Sipërmarrja e re shfrytëzon si lëndë të parë materiale jeans të përdorura, të cilat i kthen më pas në produkte të tjera të shumëllojshme dhe me fantazi.
 
Ambicien për të zgjeruar biznesin e saj në të ardhmen, Bukuroshje Sinanaj e ndau me Kryeministrin Edi Rama, i cili së bashku me Ministren e Ekonomisë Milva Ekonomi vizituan këtë biznes.
 
Drejtuesja e re shpjegoi se aktualisht produktet e saj po ecin shumë mirë në treg dhe kërkesat për to janë rritur ndjeshëm.
 
“Jemi goxha mirë me pjesën e prodhimit dhe shitjeve në këto kohë. Në këto momente kemi një porosi prej rreth 400 çantash,”-tha ajo. Ndërsa tregoi sesi ideja e saj mori jetë falë vullnetit dhe dëshirës për të bërë diçka ndryshe.
 
“E gjithë ideja ka lindur duke qenë sesi çdo i ri që i përdor shumë xhinset dhe unë nuk doja t’i hidhja ato që kisha grumbulluar. Ishin bërë shumë. Menduam dhe një gjë që të jetë dhe ekologjike dhe xhinset të rijetësohen. Fillimisht e kemi nisur me çanta, pastaj sigurisht që ideja evolon. Se njerëzit mund të duan diçka ndryshe. Është një gjë shumë kreative.”
 
Kryeministri e vlerësoi shumë interesante gjetjen e saj dhe u shpreh se idetë e guximshme të të rinjve, që duan të jetojnë me punë të ndershme dhe falë vullnetit të tyre, do të kenë gjithmonë mbështetjen e qeverisë.
 
“Ne kemi dhe 50 kompani të vogla që kanë filluar, siç ke filluar ti, që me atë fondin e start up-eve që kemi vënë në dispozicion, për t’i nxitur të rinjtë për t’i thënë që nuk është leku që sjell idetë, janë idetë që sjellin lekun.
 
E kush ka ide, nuk ka shans që të mos arrijë dot të jetë një njeri që përmes punës së vet, duke vënë idenë e vet në jetë të fitojë dhe të ardhurat.
 
Ka shumë të rinj kreativ në Shqipëri. Kështu që ne absolutisht që do i mbështesim dhe më shumë, se kemi bërë shumë në këtë aspekt, por ajo që është për t’u bërë është shumë më tepër akoma. Rëndësi ka që të jenë shembujt që të mund të shohin njerëzit konkretisht.”
 
Sipërmarrësja e re u shpreh se mbështetja që mori ishte një ndihmesë e madhe për ta zgjeruar biznesin. “Ato fondet e para janë shumë të rëndësishme. Janë trampolina për t’u bërë e madhe. Është shumë e rëndësishme dhe nisma e fondit të qeverisë.”
 
Heqja e taksës për biznesin e vogël, është gjithashtu një tjetër stimul i rëndësishëm, për të cilin Kryeministri thotë se krijon një klimë shumë të favorshme për ata që duan të vetëpunësohen. “Ti ke pasur mundësi ta fillosh këtë biznes pasi ne kemi hequr taksën. Pra, nuk ke taksë.
 
Ti paguan thjesht për taksa lokale dhe sigurime shoqërore e shëndetësore. Kështu që, nga kjo pikëpamje je shumë e relaksuar.
 
Ne kemi afro 50 mijë biznese të reja të regjistruara më shumë se në 2013, në Shqipëri. Pjesa më e madhe e tyre janë biznese të vogla që kanë përfituar nga zerimi i taksës.
 
Është një situatë shumë më e favorshme për ata që duan të vetëpunësohen. Se vetëpunësimi është  A-ja për t’i dhënë çdo njeriu një mundësi.”


dy.b/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria dy medalje bronzi në Lojërat Olimpike, e kujt është merita?



×

Lajmi i fundit

Shqipëria kërkonte ekstradimin, Durim Bami lirohet 2 muaj pas arrestimit në Dubai! Rivalët ofruan 1 mln euro për ‘kokën’ e tij

Shqipëria kërkonte ekstradimin, Durim Bami lirohet 2 muaj pas arrestimit në Dubai! Rivalët ofruan 1 mln euro për ‘kokën’ e tij