TIRANE- Salla e seancave plenare ka hapur pasditen e sotme dyert për të pritur të rinjtë. Kreu i Kuvendit Ilir Meta, tha se pjesëmarrja e të rinjve në këto aktivitete, synon në rritjen e interesit të qytetarëve për të kontrolluar punën e bërë nga deputetët, të cilët përfaqësojnë interesat e tyre.

“Dua t’ju falënderoj për interesin që keni treguar për të vizituar sot Kuvendin e Shqipërisë në këtë Natë të Bardhë që është nata e hapjes së institucioneve kryesore ndaj të gjithë qytetarëve që kanë dëshirë për t’i vizituar, sepse këto janë institucione të zgjedhura nga ju dhe nga të gjithë qytetarët. Natyrisht që duhet të jenë në funksion jo vetëm të interesave tuaja, por njëkohësisht duhet të jenë sa më të hapura, sa më transparente, sa më të kuptueshme në mënyrën sesi ato funksionojnë, sepse në këtë mënyrë edhe ne bëjmë më mirë atë detyrat për të cilat jemi zgjedhur, por edhe llogaridhënia funksionon më mirë. 28 dhe 29 nëntori janë dy ditë të jashtëzakonshme për mbarë kombin tonë. Dita e Pavarësisë dhe e krijimit të shtetit tonë, i cili dje bëri 101 vjet, njëkohësisht edhe 29 nëntori, një ditë tjetër e jashtëzakonshme, Dita e  Çlirimit dhe e rifitimit të pavarësisë pas pushtimit nazi-fashist.

Natyrisht që të dyja këto ditë janë të rëndësishme, sepse na kujtojnë sakrificat e panumërta që kanë bërë të parët tanë në emër të lirisë, në emër të së ardhmes së vendit tonë, të kombit tonë, në emër të një perspektive më të mirë për gjeneratat e ardhshme dhe sigurisht që për ne është jo vetëm një ditë nderimi, kujtimi për sakrificat e tyre, por edhe një ditë angazhimi për të ardhmen në mënyrë që Shqipëria të jetë vërtet një vend i realizuar europian këtu dhe në mënyrë që ju sidomos, të rinjtë dhe të rejat e Shqipërisë ta shikoni të ardhmen në vendin tonë të përbashkët. Unë besoj se jemi në rrugën e duhur dhe jam i bindur se pjesëmarrja juaj sot këtu, interesi juaj për të vizituar këtë institucion të rëndësishëm të zgjedhur nga qytetarët tanë është një hap në drejtimin e duhur për të rritur kontrollin e qytetarëve dhe sidomos të të rinjve ndaj këtyre institucioneve, që ato të punojnë për të ardhmen tuaj, për të ardhmen e të rinjve dhe të të gjithë qytetarëve tanë. Jemi në një moment pozitiv, atë të hedhjes së një hapi tjetër drejt anëtarësimit të Sqhiëprisë në BE, që do të ishte një sukses shumë i madh për të gjithë qytetarët tanë.

Vetëm dy ditë më parë, Kuvendi miratoi një rezolutë të përbashkët të të gjitha forcave politike në mbështetje të statusit kandidat për Shqipërinë nga vendet anëtare të BE-së që tregoi se pavarësisht nga diferencat, pavarësisht nga debatet që edhe ju i shikoni në media herë pas here, përsëri në momente të rëndësishme mbizotëron fryma e përgjegjësisë së përbashkët për këtë objektiv mbarëkombëtar që është integrimi europian dhe që mbështetet nga shumica dërrmuese e të gjithë qytetarëve shqiptarë, pa dallim bindjesh partiake. Ju jeni gjithmonë të mirëpritur në këtë institucion dhe të gjithë qytetarët që kanë dëshirë sot të vizitojnë Kuvendin e Shqipërisë.

Mendoj se kjo është një ftesë jo thjesht për një natë, por është një mesazh i qartë i hapjes së institucioneve ndaj qytetarëve, ndaj publikut, ndaj shoqërisë civile, ndaj medias, ndaj të gjithë atyre që janë të bindur se në këtë vend institucionet duhet të jenë në funksion të qytetarëve. Institucionet duhet të jenë në funksion të të rinjve dhe të rejave të Shqipërisë. Jemi në një moment pozitiv edhe në Kuvendin e Shqipërisë për krijimin e një klime sa më bashkëpunuese, sa më konstruktive, sa më mirëkuptuese për të theksuar gjërat që na bashkojnë dhe që janë një interes i përbashkët për të gjithë vendin tonë dhe për të gjithë qytetarëve tanë”, tha Meta.

Gjatë kësaj vizite të rinjtë morën informacion për mënyrën se si funksionon Kuvendi i Shqipërisë. Ndërsa kanë marrë përgjigje edhe për pyetjet e tyre.

I pyetur nga një e re, për mundësitë që ka Shqipëria për marrjen e statusit të vendit kandidat në Dhjetor, Meta tha se “Mendoj se janë të gjitha mundësitë, sepse tre kushtet tashmë janë të realizuara me votimin që u realizua këtu përpara zgjedhjeve të 23 qershorit. Zgjedhjet e 23 qershorit që ishin një moment kyç u vlerësuan mjaft pozitivisht nga komuniteti ndërkombëtar. Rekomandimi i Komisionit Europian për Këshillin e Ministrave të vendeve anëtarë është pozitiv. Edhe sot është publikuar një mesazh i komisionerit për zgjerimin Stefan Fyle drejtuar të gjithë vendeve anëtare për të mbështetur dhënien e statusit të vendit kandidat dhe shpresojmë dhe besojmë që kjo gjë do të ndodhë.

Duhet të kemi parasysh që nuk kemi të bëjmë thjesht me një votim me një shumicë dhe një pakicë siç ndodh këtu në Parlamentin tonë, por kjo kërkon një konsensus dhe një votë pro nga të gjitha vendet anëtare. Do të mjaftonte edhe një hezitim qoftë edhe i një vendi të vetëm, sado modest që ai të jetë që kjo gjë të mos ndodhte, por nuk ka asnjë arsye që Shqipëria të mos e marrë statusin e vendit kandidat në muajin dhjetor përpara Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri”.

Gjatë bashkëbisedimit me të rinjtë që vizituan Kuvendin, Meta u ndal në disa momente mjaft pozitive të bashkëpunimit dhe dialogut midis mazhorancës dhe opozitës.

“Këtu në kuvend kemi një Aleancë të Grave Deputete, që drejtohet nga një deputete opozitare, zonja Mesila Doda. Është një element pozitiv. Edhe diçka tjetër pozitive që do të doja të theksoja është se Komisioni i Ligjeve që drejtohet nga zoti Fatmir Xhafaj i Partisë Socialiste dhe Komisioni për Çështjet Sociale që drejtohet nga zonja Albana Vokshi e Partisë Demokratike kanë bërë një punë shembullore lidhur me rritjen e ndërgjegjësimit për të drejtat e fëmijëve, që  padyshim është e rëndësishme. Kemi miratuar një rezolutë me konsensus këtu në Kuvend. Kemi edhe shumë momente të tjera pozitive të bashkëpunimit mazhorancë opozitë,” tha  Meta.

meta ne kuvend me gjimnazistet
meta ne kuvend me gjimnazistet
meta ne kuvend me gjimnazistet
(Foto/Meta me të rinjtë në Kunvend)

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)