Deputetja e Partisë Demokratike, njëherazi kryetare e Këshillit të Integrimit Jorida Tabaku, nga foltorja e Kuvendit, i bëri thirrje mazhorancës që t’i japi më shumë hapësirë opozitës dhe shoqërisë civile sa i takon procesit të integrimit evropian. Sipas saj, për këtë proces duhet një diskutim kombëtar.
Tabaku, gjatë diskutimeve në Kuvend mbi raportin e Këshillit Kombëtar të Integrimit, tha se procesi i integrimit nuk është çështje e një partie apo qeverie, por çështje kombëtare e gjithë shqiptarëve.
“Kjo çështje i bashkon të gjitha palët. Sot duhet të jepnim një mesazh se ky proces nuk është i vetëm i qeverisë, pasi s’ka një pronar, por në këtë proces duhet të përfshihet edhe opozita, për të dhënë mendimin, opinionin, qoftë edhe të gabuar, por duhet ta japi mendimin e saj për procesin e integrimit.
Së dyti, vitin e shkuar parlamenti i Shqipërisë miratoi me 119 vota ligjin për procesin e integrimit. Unë i falënderova të gjithë kolegët e opozitës që në një situatë të vështirë u bënë bashkë për të votuar ligjin, duke gjykuar se rritet roli i Kuvendit në procesin e Integrimit dhe që njëkohësisht rriste edhe rolin e kolegëve ligjvënës në proces, por jo për t’u përjashtuar në diskutime. Procesi i integrimit ka mbetur vetëm në prezantime “Power Point”. Këtu s’flasim për cilësi reformash, këtu s’flasim për ligje që ndryshojnë cilësinë e jetës së shqiptarëve. Këtu flasim për prezantime që bëjnë deputetët në Bruksel dhe jo për reforma integruese.
Më vjen keq që gjatë vitit të shkuar kemi patur votime të njëanëshme të ligjeve që s’kanë rritur rolin e parlamentit, por cunguar dhe zvogëular rolin e opozitës në parlament. Miratimi i ligjit të komisioneve hetimore, rregullorja e Kuvendit e votuar në mënyrë të njëanëshme janë disa prej ligjeve që u miratuan nga mazhoranca duke tkurrur rolin e opozitës.
Bashkëdakordësia ka qenë detyrim kohë më parë për procesin e integrimit. Procesi integrimit tashmë ndodhet në një fazë tjetër. Ndodhet në fazën kur pas përfundimit të procesit screening, duhet të kalojmë në një ndryshim cilësor që duhet të vijë nga ky parlament”, vijoi Tabaku.
Lajmi kryesor: