Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ngriti në fillim të seancës plenare shqetësimin për mungesën e transparencës në procesin e integrimit europian, duke kërkuar sërish zhvillimin e një debati parlamentar të plotë dhe të hapur mbi këtë çështje.

Në fjalën e saj për procedurë, Tabaku theksoi se procesi i negociatave me Bashkimin Europian nuk mund të trajtohet si një proces teknik i mbyllur, por si një proces thellësisht politik dhe me interes kombëtar, ku qytetarët duhet të informohen dhe të përfshihen. Ajo vuri në dukje se, ndryshe nga praktikat e vendeve të tjera të rajonit, si Serbia, ku pozicionet negociuese publikohen dhe diskutohen, në Shqipëri mungon çdo informacion për publikun dhe për vetë deputetët. Tabaku tha se opozita është e përjashtuar nga ky proces. 

“Ky nuk mund të jetë një proces që zhvillohet me prezantime PoëerPoint. Është një proces politik dhe qytetarët shqiptarë duhet të dinë se çfarë po negociohet në emër të tyre,” u shpreh ajo.

Në vijim të fjalës së saj, Tabaku ngriti pikëpyetje konkrete mbi disa çështje të ndjeshme që lidhen drejtpërdrejt me standardet europiane dhe procesin e integrimit. Ajo përmendi ligjin për portet turistike strategjike, për të cilin opozita ka ngritur shqetësime për mungesë gare dhe cenim të konkurrencës, duke pyetur nëse këto tema janë reflektuar në diskutimet e negociatave me Bashkimin Europian.


Lajmi kryesor:

LIVE TV - Kuvend/ Shtyhen tre interpelancat e kërkuara nga opozita me Nufin, Kumbaron e Koçiun