Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar përmes një videoje në rrjetet sociale në lidhje me rritjen e çmimeve të karburanteve në vend, duke e cilësuar situatën si rezultat të një sistemi të korruptuar ekonomik që dëmton drejtpërdrejt qytetarët shqiptarë.
Sipas Tabakut, pikat e karburantit kanë rritur çmimet në mënyrë të menjëhershme dhe në nivele të larta, edhe pse në bursat ndërkombëtare nuk ka pasur ende një rritje të tillë që ta justifikojë këtë reagim në treg. Ajo theksoi se depozitat e karburantit janë të mbushura dhe se rritja e çmimeve në këto kushte ngre dyshime serioze për spekulim në treg.
Deputetja demokrate kritikoi gjithashtu rolin e institucioneve përgjegjëse, duke u shprehur se Autoriteti i Konkurrencës dhe qeveria po sillen sikur po kontrollojnë situatën, ndërkohë që në realitet nuk po ndërmarrin asnjë veprim konkret për të mbrojtur konsumatorët.
Tabaku nënvizoi se, ndryshe nga Shqipëria, vendet e rajonit kanë ndërmarrë masa për të përballuar rritjen e çmimeve, ndërsa në vend qytetarëve u ofrohet vetëm propagandë.
“Rritja e çmimeve pa u reflektuar ende në bursat ndërkombëtare dhe me depozitat e mbushura është në dëm të drejtpërdrejtë të qytetarëve shqiptarë. Ky është rezultat i një sistemi të korruptuar ekonomik që ka kapur çdo hallkë të tregut, nga pikat e karburantit deri tek çmimet që paguajnë çdo ditë qytetarët,” u shpreh Tabaku.
Në fund të reagimit të saj, Tabaku theksoi se kjo situatë kërkon një ndryshim të thellë të sistemit ekonomik dhe institucional në vend, duke argumentuar se vetëm përmes një sistemi të ndershëm dhe konkurrues mund të mbrohen interesat e qytetarëve dhe të biznesit të ndershëm.
Komente











