Kreu i shteti serb, Boris Tadic, i ka kërkuar përfaqësuesve të serbëve në veri të Kosovës që ti bëjnë thirrje qytetarëve serb të tërhiqen sa më parë nga barrikadat.

“Në këtë situatë vetëm ekstremistët kanë dobi dhe në një atmosferë të këtillë, problemet nuk zgjidhen dot”, u ka thënë Tadic gazetarëve në Beograd. “Çdo përshkallëzim në Kosovë rrezikon interesin e Serbisë dhe se gabimet e viteve 90 nuk guxojnë të përsëriten më”.

Tadic u kërkoi gjithashtu edhe forcave të KFOR-it që "të ndërpresin aksionin për heqjen e barrikadave, sepse rrezikon jetët e njerëzve".

Ndërkohë nënkryetari i Partisë Radikale Serbe, Dragan Todorovic, tha se thirrja e presidentit serb Boris Tadic për heqjen e barrikadave në veri të Kosovës “është e pakuptimtë dhe skizofrene”. Sipas tij në këtë formë serbët mbrojnë mbijetesën e tyre në Kosovë.