Kryeparlamentari i Kosovës, Jakup Krasniqi dënoi dhunën e serbëve në veri dhe plagosjen e dy ushtarëve gjermanë të KFOR-it.

“Plumbat e sotëm qëlluan vetëm disa ditë pas deklaratës së ministrit të Punëve të Brendshme të Serbisë për ripushtimin e Kosovës, madje pa përjashtuar edhe luftën e armatosur. Kjo politikë intervencioniste serbe nuk është vetëm përzierje në punët e brendshme të shtetit tjetër, por kërcënim i drejtpërdrejtë i integritetit territorial dhe sovranitetit të vendit tonë”, u shpreh Krasniqi. “Kjo lojë me zjarrin, por edhe durimi e toleranca duhet të kenë një kufi. Duke qenë Beogradi zyrtar burimi i gjithë problemeve në veri të Kosovës, thërras bashkësinë ndërkombëtare që të ushtrojë ndaj tij ndikimin e saj, për të shpërndarë strukturat ilegale dhe kriminale atje, të financuara dhe të mbështetura nga Serbia, me qëllim të kthimit të rendit dhe sigurimit të jetës së qetë e të lirë për qytetarët”.

Ndërkohë presidenti i Serbisë, Boris Tadic, ka kërkuar ndërprerjen e menjëhershme të konfliktit ndërmjet pjesëtarëve të KFOR-it dhe qytetarëve serbë në fshatin Jagnjenicë.

“I ftoj zyrtarët e KFOR-it, EULEX-it dhe përfaqësuesit politikë të serbëve, në qetësimin momental të situatës dhe sigurinë e plotë të lirisë së lëvizjes, vetëm nëpërmjet dialogut dhe pa përdorim të dhunës”, tha Tadic.“Jetët e qytetarëve tanë dhe të pjesëtarëve të institucioneve ndërkombëtare duhet gjithsesi të ruhen”.