TIRANË - Fjalën në seance parlamentare e mori edhe ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri. Fillimisht ai akuzoi Berishën, se kur dje ishte në qeveri vinte dhe çfarë nuk thoshtë për buxhetin e tij. Më tej tregoi historinë e policit Festim, që punon në MB dhe edhe pse ka shpëtuar gjallë prej masakrës së Urës Vajgurore, ku sakrifikoi jetën jeton në mjerim dhe historia e tij është një nga shumë të trishtat në Policinë e Shtetit, që sipas Tahirit ka qenë më e nëpërkëmbura, me fonde gjithmonë në ulje, me krerë që bënin pazare me krimin dhe tradhëtonin kolegët. Tahiri theksoi se buxheti i policisë 2014 është më i madhi që ka qenë ndonjëherë dhe policët në fund të viti kanë dy rroga më shumë. Tahiri ka nxjerrë në shesh 26 milionë dollarë borxhe të MB, të trashëguara nga qeveria paraardhëse, një fond emergjencash vetëm 560 dollarë për gjithë vendin dhe për çudi në 22 janar 2011, një ditë pas masakrës së 21 janarit, qeveria shpërblen gardistët me 2 milionë dollarë. "Për vdekjet", dotë theksonte ministri Tahiri.

TAHIRI: BERISHA KËTË BUXHET PO TË ISHTE I TIJ DO TA QUANTE MË TË MADHIN
"Jam i sigurt që me buxhetin tonë do thoshtë është buxheti më i madh në histori etj. Në opozitë më vjen keq të dëgjoj se sa pak seriozë është kur u drejtohet shqiptarëve. Se si mund të flasë një ish-kryeministër për ditë zie. Akoma më pak e kuptoj se si mund të kapërcejë te FMN, synetllëku, çmenditë. Do ishte i mirëpritur të kishim diskutim konstruktiv mbi buxhetin, oponencë reale dhe alternativë. Kush u shfaq me një alternativë të vetme nga opozita?", komentoi Tahiri, duke shtuar se "askush prej jush nuk foli për sigurinë publike, të pronës, rendin, apo policinë e shtetit, buxhetin e Policisë së Shtetit. Kaq pak ju mundojnë çështje, që kanë të bëjnë me qeverinë? Kaq të vështirë e keni t’i thoni falemnderit që e rritët buxhetin e Policisë si kurrë më parë?".

TAHIRI: POLICIA, 26 MILIONË $ BORXHE, NË 22 JANAR 2011 -  2 MILIONË $ SHPËRBLIM GARDISTËVE
"Si ka mundësi që i latë Ministrisë së Brendshme 26 milionë dollarë borxhe, se shqiptarët nuk e dinin këtë në 23 qershor, se kushedi ç’do t’u bënin. Si ka mundësi që në 22 janar një ditë pas miratuat shpërblim 2 milionë dollarë për grupin e zjarrit të Gardës së Republikës dhe nuk shlyet borxhet. Shpërblim vdekjes. Po të gjenit mundësi ta bënit pak më të mirë jetën e Festimit? Kush do përgjigjet për këtë që s’keni bërë? Kush do dalë nga ju?
1 lek s’u keni dhënë fëmijëve që lindin ka 5 vjet. Ne s’e kemi hequr. Saliu ka kurajo e thotë pse e hoqët? Ky që s’e jepte. Qeveria e vetme që ka gënjyer edhe të palindurit". "Ju që përbetoheni për statusin e Nëpunësit Civil në 8 vjet i latë borxh Ministrisë së Brendshme 2,2 milionë dollarë prej gjyqeve të pashlyera, dëmshpërblim për ata që keni larguar nga puna. Kaq shpejt u latë ju nga çfarë keni bërë në 8 vjet.

TAHIRI: FONDI I EMERGJENCAVE KA MBETUR ME 560 DOLLARË NË TOTAL PËR ÇDO FATKEQËSI
"Fondin e Emergjencës civile ku e hëngrët deri në maj? Po hallin e atyre që u përmbytën në Shkodër, Lezhë, rrugët e bllokuara nga bora e kishte ndonjë prej jush? Që s’latë asnjë lek nga Fondi i Eemergjencës Civile. Kjo është çështje hetimi dhe po vazhdojmë. Buxheti total 560 dollarë fond total për gjithë shtetin, për zona të tëra. Do Zoti mos ndodhë ndonjë fatkeqësi. Cili do dalë nga ju këtu do t’u përgjigjet shqiptarëve. E të thotë: Na falni. Si do bëjmë?
Rezervat e shtetit kush i boshatisi? Ato me vaj, sheqer, miell? Një shtet u la si pas lufte".

TAHIRI: JU TREGOJ POLIC FESTIMIN, I MBIJETUAR NGA MASAKRA E URËS VAJGURORE
Ministri Tahiri kujtoi rastin e Festimit, një oficeri policie pranë Ministrisë së Brendshme, i cili ka një grua pa punë dhe një vajzë të paarsimuar, po pa punë. "Nuk e dija që përshëndesja sa herë hyj e dal nga zyra njeriun që ka përcjellë thuajse çdo ministër, ka një ndër historitë më të dhimbshme, që lufta me krimin i ka kursyer jetën, por lufta me krimin i ka lënë vetëm frymën. I shpëtoi masakrës së Urës Vajgurore. Ata që e torturuan e braktisën për të vdekur po të mos donte fati që të ishte ende gjallë, e ku shteti nuk duket gjëkundi, duke vënë në pikëpyetje jetën që ta kurseu fati". Ministri kujtoi se Festimi merr vetëm 36.000 lekë në muaj, jeton me qira. Edhe Festimi nga frika se po ngrite zërin për të drejtën mund të pushohesh nga puna nga dallkauku që të qëllon për shef apo ministër. Varfëria të mban peng me torturat e përditshme më shumë se torturat me krimin. Me shpresën se një ditë do marrësh vetë kurajon e do Zoti nuk të heqin nga puna. Arroganca ka vrarë përuljen para sakrificës. Pushteti mbyll sytë para sakrificave të mëdha se ka punë të mëdha. Lutu Doktor për veten, se s’ke më kohë të lutesh për shqiptarët", tha Tahiri, duke shtuar se "duhet të nderojmë ata që jetën e ka dhuratë të dytë nga Zoti se jetën e ka dhuratë. Ironia e deshi t’i hapë derën Flamurit, fodullëkut hipur mbi Benz dhe paguante më shumë taksa se vetë ministri. Lutu Doktor për vete dhe për Flamurin njësoj jeni, fabula barcelatesh të hidhura po njësoj. Historia e tij një prej historive të trishta të institucioneve. Në ka një institucion të poshtëruar, keqtrajtuar si Policia e Shtetit. Nuk e di pse s’rri rehat, por ndoshta ke hall më keq se Flamuri".

TAHIRI: NË 23 QERSHOR SHQIPTARËT NDALËN MASAKRËN TUAJ
"Nuk ka tallje më të pashpirt se ajo që është bërë me Policinë e Shtetit. Është tallja dhe harresa juaj me punonjësit. Duket sikur e bëj për politikë me ironi brenda. Por dua t’ju falenderoj vërtet ju e mbi të gjitha deputetin Sali Berisha. Kaq sa ka folur sot s’ka folur në 8 vjet. Sa kemi bërë ne për 100 vjet, e ajo që po bëjmë ne për policinë nuk e keni bërë në 8 vjet që qeverisni. Pse nuk dilni të jepni llogari për çfarë keni bërë e s’keni bërë dhe na e keni lënë pa mirësjellje minimale, që të na e bënit me dije e jo më me përgjegjësinë e opozitës. Menduat se në 23 qershor shqiptarët iu ndalën masakrën që kishit nisur; me nënshtrimin e shtetit ligjor, me çmontimin e drejtësisë, me bizneset familjare".

TAHIRI: 5 MAKINAT DHURATË NGA BANKA BOTËRORE I LATË PA SHOFERË
"5 makina të reja të dhuruar nga Banka Botërore, as buxhet për 5 shofera nuk latë. Kanë dy vjet makinat kalben, se i latë pa buxhet për shofera. Kaq makutë e kaq të verbër sa s’e kishit mendjen. Në ka një gjë që duhet t’ua mbyllë gojën para shqiptarëve është situate e Policisë së Shtetit", tha ministri Tahiri.

TAHIRI: NË KRYE TË POLICISË BËNIN PAZARE ME KRIMIN, TRADHËTONIN KOLEGËT
"Në krye të policisë u vunë njerëz që bënin pazare me krimin, tradhëtonin kolegët dhe i lanë në mëshirë të krimit, vratë pritshmëritë e qytetarëve se ky vend mund të ishte i sigurt. Krijuat korsinë preferenciale për disa njerëz që ishin soji e sorollopi juaj se ishit ju mbi ligjin. 75% e punonjësve të PSH paga nën pagën minimale në shkallë vendi. Buxheti për policinë ka qenë vazhdimisht në uljë që nga 2005: ishte 6,3% më i ulët në 2011, 1,8 më i lartë në 2012, dhe 1,8 më i ulët në 2013. Buxheti i 2014, mbi dy rroga shtesë, 47.000 në muaj për një instruktor policie. Më të madhen ndonjëherë për MB dhe Policinë e Shtetit".

Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)