Tahiri: Deklaratat e kreut të 
SHISH, cenim i sigurisë kombëtare

Tahiri: Deklaratat e kreut të <br />SHISH, cenim i sigurisë kombëtare
Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, u shpreh sot gjatë raportimit në komisionin parlamentar të Sigurisë se kreu i SHISH, Visho Ajazi Lika shkeli ligjin.
 
Tahiri tha se deklaratat e tij në komision, kanë cenuar sigurinë kombëtare të vendit.
 
Sipas tij, është shqetësues fakti që informacionin për pajisjen e përgjimit kreu i SHISH e ka ndarë me Presidentin dhe jo me kryeministrin.
 
"Jam vënë në dijeni që drejtori i SHISH ka gjykuar që një informacion ta ndajë me Presidentin dhe jo me Kryeministrin. Ndoshta ky ka qenë vlerësimi i drejtorit të SHISH për cilësinë e informacionit. Mund të ketë qenë një informacion me cilësi aq të dobët sa mund të ndahej me Presidentin por jo aq serioz sa mund të ndahej me Kryeministrin. Kjo është në vlerësimin e tij. Unë nuk kam marrë asnjë dijeni nga drejtori i SHISH për një informacion të tillë. Nuk jam informuar nga drejtori i SHISH. Besimi i ndërsjellë mes institucioneve do e donte që siç tha drejtori i SHISH mori një informacion dhe pastaj e vërtetoi në google se çfarë ishte pajisja. Tha dhe deputeti që e ka parë në internet. Këto janë lojëra rrjetesh sociale dhe internet dhe nuk kam kohë të merrem me to. Nuk besoj se siguria ndërtohet duke parë në google dhe internet pajisje. Nuk mund ta fsheh që do kisha preferuar që drejtori i SHISH të kërkonte informacion nga policia e shtetit apo unë si Ministër dhe në rast se do ta vlerësonte të nevojshme mund të informonte dhe prokurorin dhe të gjithë autoritetet e tjera të larta shtetërore që në bazë të ligjit është i detyruar ti informojë. Por kjo mbetet në vlerësimin dhe çmimin e tij. Kam bindjen që Komisioni i Sigurisë do t'i vlerësojë mirë ato që u thanë këtu nga drejtori i SHISH. Unë kam bindjen që më shumë shkelin sigurinë ato që u thanë këtu nga Drejtori i SHISH sesa shqetësimi juaj i pavërtetë për një pajisje", u shpreh Tahiri.

​Tahiri: Policia s’ka kapacitete për të përgjuar, pajisja e italianëve
Pas drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Haki Çako, edhe Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri u shpreh se Policia nuk ka pajisje përgjimi.
 
Gjatë raportimit në komisionin parlamentar të Sigurisë, Tahiri tha se Policia bën përpjekje maksimale për të reformuar sigurinë, por nuk disponon pajisje përgjimi.
 
“Policia e Shtetit nuk ka patur dhe as nuk mund të ketë asnjë pajisje përgjimi të telefonatave, mesazheve apo datave. Policia e Shtetit nuk ka shkelur ligjin në ccështjen që kërkoni dhe për këtë mbaj përgjegjësi unë. Policia e Shtetit bën detyrën e saj në përpjekjen maksimale për të reformuar sektorin e sigurisë dhe mbi të gjitha për t’i dhënë qytetarëve një standard të ri shërbimi e sigurie. Kemi reformuar Akademinë e Sigurisë, pasi kishte 10 vjet që nuk ekzistonte”, u shpreh Tahiri.

Tahiri sqaroi se pajisja për të cilën bëhet zhurma, është pronë dhe në përdorim nga italianët. Sipas tij, pajisja përdoret për qëllime trajnuese. Ai theksoi se çdo aludim tjetër është thashethemnajë mediatike. 

S'kam thënë që Policia disponon pajisje përgjimi. Kam thënë se pajisja është e partnerëve italianë, në pronësi dhe përdorim të tyre e përdoret për qëllime trajnimi. Është përdorur për trajnim. Policia e Shtetit ka një program trajnimesh për t’i bërë punonjësit e policisë të përgatitur. Trajnimet fillojnë nga mënyra e sjelljes, komunikimi, përdorimi i mjeteve personale, nga përdorimi i teknikës hetimore. Të gjitha këto janë çështje të cilat në Ministrinë e Brendshme janë prioritet dhe nuk mendojmë se krimi luftohet me injorantë, por me punonjës policie të ditur dhe profesionistë. Policia e Shtetit përdor çdo pajisje të ligjshme. Dhe mund të vini edhe vetë t’i shikoni për të motivuar punën e Policisë”, tha Tahiri.

Ai sqaroi se pajisja ka ardhur në mënyrë të ligjshme në vijim të zbatimit të marrëveshjes së vitit 2007-ë, e firmosur nga Ministri i Brendshëm i asaj kohe, Bujar Nishani me Ministrinë e Brendshme italiane. "Pajisja ka ardhur në mënyrë të ligjshme, në bazë të një marrëveshje të vitit 2007, të nënshkruar nga Bujar Nishani. Marrëveshja ndërmjet Ministrisë së Brendshme shqiptare e asaj italiane, është marrëveshje që rregullon bashkëpunimin mes dy agjencive ligjzbatuese. Neni 5 i saj përcakton se, mundësia për trajnime, shkëmbim infrastrukture për forcimin e kapaciteteve. Trajnimet përfshijnë edhe trajnimet me këtë pajisje. Kanë ndodhur dhe do të ndodhin sepse krimi luftohet me profesionalizëm", u shpreh Tahiri. 

Ministri i Brendshëm tha se Prokuroria nuk është penguar në punën e saj hetimore. "Policia e Shtetit nuk ka penguar kurrë asnjë veprim hetimor të punës së Prokurorisë", theksoi Tahiri. 

Ligjshmërinë e hyrjes së pajisjes në territorin e Shqipërisë, Tahiri tha se e përcakton Prokuroria. "Bëni durim të shikoni hetimet e Prokurorisë. Do tu japë përgjigje të gjitha shqetësimeve që ju ngrini. Është mirë të presim përfundimin e hetimeve dhe të mos hamendësojmë. Komisioni të mjaftohet me përfundimet e hetimeve të Prokurorisë. Të presë hetimin. Përsa kohë ky komision e ka tejkaluar këtë kompetencë, pasi mbi një hetim penal ngre tymnaja", shtoi ai. 

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Militantë të Berishës protestojnë kundër Ramës në Londër

Militantë të Berishës protestojnë kundër Ramës në Londër