Tahiri: E vërteta për makinën time!

Tahiri: E vërteta për makinën time!
Saimir Tahiri është ministri më i sulmuar i kësaj mazhorance nga ana e opozitës, e cila e lidh emrin e tij me trafikun e drogës. Akuzat e rënda u përshkallëzuan në fillim të këtij sezoni politik, ku demokratët paraqitën si argumenta deklaratën e një ish-zyrtari të anti-drogës, që deklaron se automjeti i personal i ministrit të Brendshëm është përdorur për trafik droge.

Gjatë intervistës së dhënë për “Top Story” të Sokol Ballës në Top Channel, Tahiri duke folur në lidhje me makinën Audi A8, me targa AA 003 GB, nënvizon gatishmërinë e tij për t’u vënë në dispozicion të hetimeve të Prokurorisë.

“Pas akuzave të opozitës ndaj meje, si asnjë tjetër në qeveritë e kaluara, kam shkuar në Prokurori dhe i kam thënë kryeprokurorit se jam në dispozicion të tij dhe le të më hetojë për gjithçka. Diçka që nuk e kanë bërë të tjerët. Ia kam shitur kushërinjve të mi mjaft të largët dhe, në dijeninë time si ministër i Brendshëm, zotërinjtë që akuzohen nga opozita si kryetrafikantët e drogës nuk kanë qenë kurrë të proceduar, në hetim, të arrestuar apo të gjykuar për trafik droge”, tha Tahiri.

E për të shpjeguar të vërtetën e makinës me targa AA 003 GB, Tahirit i është dashur sërish të rikthehet në kohën kur pushteti ishte në duart e demokratëve.

“Makina është në emrin tim për një fakt të thjeshtë, që është edhe dëshmi e pushtetit që kemi lënë pas. Në opozitë, unë kam denoncuar fëmijët e kryeministrit si të korruptuar dhe jam dënuar me 4 milionë lekë gjobë në Gjykatën e Shkallës së Parë dhe me 2 milionë lekë gjobë në Apel nga ai gjykatësi i famshëm Gjin Gjoni. Në atë kohë do të duhej të më merrnin të gjithë rrogën time vjetore, që të paguaja gjobat e vendosura prej tyre. Edhe për kë? Për dy fëmijët e Sali Berishës, të cilët janë bërë të famshëm për këdo, të gjithë i njohin si Xeni dhe Gita, dhe që nuk kanë shkuar asnjëherë në jetën e tyre në Prokurori. Më bllokuan llogaritë bankare, hipotekën e shtëpisë dhe mundësinë e ndërrimit të targave të makinës. Edhe pasi u bëra ministër më duhej të paguaja gjobat pas vendimit të gjykatës dhe për këtë aplikova për të marrë një kredi, që të shlyeja koston time të të bërit opozitë. Deri në miratimin e kredisë, unë shita makinën dhe është barrë ligjore e blerësit që të ndërrojë pronësinë. Ata nuk kanë mundur, sepse makinës nuk i ndërrohet pronësia për këtë shkak, ndaj dhe makina figuron ende në emrin tim. Gjatë kësaj kohe ajo është përdorur edhe dy herë të tjera prej meje. Edhe këtu dua të theksoj dëshminë e të qeverisurit tonë dhe qeverisjes së atyre. Nëse do të veproja si ministrat e qeverisë së mëparshme, do të merrja makinat e qeverisë dhe do të lëvizja nga të doja, por zgjodha të huazoja sërish këtë makinë për të shkuar me pushime me familjen time. E mora ndaj kushërinjve të mi të largët dhe mendoni se kam bërë trafik droge me familjen time mbi makinë?”, ishte i gjithë shpjegimi i Tahirit në lidhje me pronësinë e makinës. /Marrë me shkurtime nga Top Channel/

Redaksia Online
(f.s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A mendoni se protestat mund ta forcojnë pozicion politik të PD-së?



×

Lajmi i fundit

Champions League/ Juventus monumental, me dhjetë lojtarë përmbys 2-3 Leipzig! Lille mposht Real Madridin, Aston Villa fiton me Bayern! Shënon Gjimshiti, tri pikë Liverpool

Champions League/ Juventus monumental, me dhjetë lojtarë përmbys 2-3 Leipzig! Lille mposht Real Madridin, Aston Villa fiton me Bayern! Shënon Gjimshiti, tri pikë Liverpool