TIRANË - Ministri i Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri ka falënderuar Greqinë për kapjen e tre të arratisurve nga burgu i Drenovës në Korçë.

Dhe posaçërisht me anë të letre Tahiri ka falenderuar homologun e tij grek, ministrin e Rendit Publik dhe Mbrojtjes së qytetarëve të Greqisë, Nikolas Dendias "për angazhimin maksimal dhe bashkëpunimin e shkëlqyer të autoriteteve greke dhe forcave të sigurisë së shtetit fqinj në operacionin për kapjen e tre elementëve shumë të rrezikshëm, të arratisur nga burgu i Drenovës në rrethin e Korçës".
 
Ministri shqiptar i Punëve të Brendshme ka theksuar se "ngjarja e fundit është një dëshmi tjetër e bashkëpunimit dhe vullnetit të përbashkët për të luftuar me të gjitha mjetet e ligjshme dhe vendosmëri krimin në të dyja vendet tona dhe krimin ndërkufitar në veçanti".

Ministri Tahiri ka shprehur edhe një herë angazhimin e tij personal dhe institucional për thellimin dhe zgjerimin e bashkëpunimit në të mirë të sigurisë, stabilitetit dhe paqes në rajon e më gjerë.

Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)