Ministri i Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri dhe Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, thirrën në një takim drejtuesit e institucioneve të sigurisë në vend. Gjatë takimit bëhet me dije se diskutimet u përqendruan në koordinimin e gjithë kapaciteteve institucionale për të hetuar pasuritë me burim kriminal. Me propozim të ministrit Tahiri u ra dakord për ngritjen e një grupi teknik pune, për të shqyrtuar mundësitë e hartimit të një Memorandumi Bashkëpunimi për shkëmbim të shpejtë të informacionit në raste hetimesh.
-Gjatë takimit mes drejtuesve të Institucioneve të Sigurisë për hetimin e pasurive kriminale
Ministri Tahiri gjatë takimit mësohet se ka theksuar se duhet ndërtuar katalogu i suksesit, për të përçuar mesazhin se askush nuk do të gëzojë pasurinë e fituar në mënyrë të paligjshme. Në takim morën pjesë ministri i Financave, Shkëlqim Cani, Drejtori i Policisë së Shtetit, Artan Didi, Drejtori i Shërbimit Informativ Shtetëror, Visho Ajazi (Lika), Drejtoresha e Përgjithshme e Doganave, Elisa Spiropali, Drejtori i Zyrës Kundër Pastrimit të Parave, Gent Gazheli, Drejtoresha e INUK, Dallëndyshe Bici, Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Artur Zoto, përfaqësues nga Hetimi Tatimor, nga ILDKP-ja.
-Gjatë takimit mes drejtuesve të Institucioneve të Sigurisë për hetimin e pasurive kriminale
Prononcimi i ministrit të Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri, pas takimit:
"Bashkëpunimi ndërmjet institucioneve tona rregullohet deri më sot nga një memorandum që deri diku ka nevojë për t'u riparë për sa kohë daton disa vite më përpara", tha Tahiri.
Sipas tij, kërkohet një ritëm i ri në kuadër të kësaj lufte, prandai shtoi Tahiri, "ne vendosëm që një grup i përbashkët pune ndërmjet agjencive të marrim në rishikim instrumentat e bashkëpunimit të memorandumit nga njëra anë dhe ndryshimet potenciale në kuadrin ligjor nga ana tjetër, siç vendosëm që të gjithë agjensitë ligjzbatuese të rakordojnë mbi baza mujore, hetimet e përbashkëta në kuadër të luftës kundër krimit ekonomik dhe financiar, pastrimit të parave dhe për të kulmuar, dhe ajo ditë do të vijë shumë shpejt, në hetimin e pasurive të pajustifikuara", theksoi ministri Tahiri.
"Ne jemi shumë të vendosur që bota e krimit të mos i gëzojë paratë që ka fituar nga aktiviteti kriminal, dhe kjo është gotitja më e rëndë që duhet t'i japim botës së krimi", përfundoi ministri Tahiri.