Tahiri konfirmon, sot me Çakon
Llallën e Ajazin tek Siguria

Tahiri konfirmon, sot me Çakon<br />Llallën e Ajazin tek Siguria
Menjëherë pasi Komisioni i Sigurisë dërgoi një kërkesë në 4 institucione për thirrje në seancë dëgjimore mbi çështjen e përgjimeve, është përgjigjur Ministri i Brendshëm. Sajmir Tahiri konfirmoi menjëherë në Kuvend praninë e tij në këtë thirrje të opozitës, ditën e sotme në orën 13:00.

Por Ministri, në këtë seancë si palë e akuzuar, do të raportojë i fundit. Dëgjesa do të nisë me burimin e shqetësimit, kreun e SHISH Visho Ajazi Lika që do të raportojë lidhur me dyshimet mbi pajisjen e përgjimit të ndodhur në Policinë e Shtetit në orën 10:00. Ajazi do të përgjigjet pyetjes së deputetëve nëse i ka dërguar apo jo kreut të shtetit shqetësim se një pajisje e tillë përgjuese përdoret.

Më pas do të zhvillohet seancë dëgjimore me Prokurorin e Përgjithshëm Adriatik Llalla lidhur me dyshimet mbi pajisjen e përgjimit të ndodhur në Policinë e Shtetit në orën 11:00, i cili pritet të japë përgjigje për pyetjen nëse ka nisur apo jo një hetim ky institucion për këtë çështje.

Pas tij, do të zhvillohet një seancë dëgjimore me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Haki Çako, e në fund raporton ministri Tahiri. Por si shkuan palët politike në një dakordësi të tillë? Pas negociatave të ditës së hënë mes PD-së dhe LSI-së, ndërkohë që PS ishte larguar, u përpiluar një shkresë zyrtare dërguar katër krerëve të institucioneve.

Ndërkohë që PD-së i duheshin ¼ e anëtarëve për të legjitimuar kërkesën, pra 6 deputetë, opozita kishte në këtë komision vetëm 5. Në këtë kërkesë është bashkuar dhe deputeti Ylli Shehu, i cili së fundmi i është bashkuar LSI-së, duke lënë PR-në. Në këto kushte, kjo lëvizje e LSI-së, legjitimoi kërkesën e PD-së. I pyetur nëse ky ishte një vendim personal, apo në konsultim me grupin parlamentar të LSI-së, Ylli Shehu nuk dha detaje për Shqiptarja.com.

Ai nuk ishte në mbledhjen e djeshme në komision, por vetëm ditën e hënë. Kjo do të thotë se ky qëndrim ka qenë i koordinuar një ditë më parë sesa PS të kthehej në tryezën e komisionit, me një ndryshim të qëndrimit, pro raportimit të ministrit.

Komisioni i Sigurisë Kombëtare ka votuar dje kërkesën e demokratëve me të gjitha votat, të cilët një ditë më parë kërkuan që Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, Kreu i Policisë së Shtetit Haki Çako, kryeprokurori Adriatik Llalla dhe kreu i SHISH Visho Ajazi Lika të raportojnë në komision mbi pajisjen e përgjimit, e cila është kthyer në kryefjalë të këtyre ditëve. Por përtej dakordësisë fundore, palët kanë zhvilluar një seancë me debate.

Mospajtimet ishin mbi faktin nëse i duhet çuar kërkesë kryeprokurorit Llalla, pasi sipas maxhorancës, Prokurorin nuk e lejon ligji të flasë në komision për çështje të veçanta. Drejtuesi i komisionit, Flamur Noka u shpreh se pajisja e përgjimit është e paligjshme dhe cenon sigurinë kombëtare. Sipas tij, pajisja të përgjon edhe me telefon fikur dhe kushton 800 mijë euro.

Ndërkohë, deputeti i LSI-së, Luan Rama, ka mbajtur të njëjtin qëndrim si një ditë më parë, duke deklaruar se është dakord që kreu i SHISH të thirret në një seancë dëgjimore i pari. Rama ka kërkuar që policia të respektojë kuadrin ligjor, pasi ka mospërputhje mes deklaratave të ministrit Tahiri dhe Presidentit Nishani. Po ashtu ai ka thënë se implikimi i Interforcës do të ishte një shkelje e rëndë.


Redaksia online
a.n shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Austri/ Orteku vret 2 skiatorë në alpet e Tirolit, kërkime dhe për një të tretë

Austri/ Orteku vret 2 skiatorë në alpet e Tirolit, kërkime dhe për një të tretë