TIRANE- Deputeti socialist, Saimir Tahiri, ka denoncuar faktin se PD, në bashkëpunim me kompaninë Belle Air, janë duke ofruar bileta falas për emigrantët e studentët jashtë vendit me kusht që ata të votojnë Berishën. Për të vërtetuar këtë gjë, atyre u kërkohet që të fotografojnë votën e tyre. “Djemtë e vajzat, motrat, vëllezërit, kunetërit, baxhanakët e pushtetit të Saliut të në selitë diplomatike shqiptare, në bashkëpunim me kompaninë Belle Air, monopoli më spektakolar i Lul Bashës, kanë filluar të ofrojnë bileta falas për emigrantët e studentët shqiptare, duke i detyruar të votojnë për Sali Berishën dhe ta provojnë këtë duke fotografuar votën e tyre. Sali Berisha bën mirë ta ketë të qartë se PS, unë dhe kolegët e mi, trupa e komisionerëve dhe vëzhguesve të PS, vetë mbështetësit dhe votuesit e PS, nuk do lejojnë asnjë votues të fotografojë votën”, akuzon Tahiri.

Duke deklaruar se ndërsa ata sekserët e votave që kanë dyndur ambasadat, bëjnë mirë ta shënojnë që sot se pas 23 qershorit, iu vjen dita të bëjnë hesapet me drejtësinë për rrjepjen e parave të emigrantëve dhe për çdo veprim të paligjshëm që duke menduar se sot i bëjnë nder pushtetit të Saliut, do i hapin punë të mëdha vetes. Tahiri ka premtuar se pas 23 qershorit Belle Air do hetohet për përfshirjen në këtë manipulim, por edhe për shkak të faktit se është kthyer në një kompani monopol, falë Lulzim Bashës. Ai ka thënë se Berisha nuk mund ta mbajë pushtetin me bileta të blera, pasi më 23 qershor atij do t’ja presë biletën PS. Ndërkohë, ai e ka mbyllur me një thirrje gjithë drejtuesve të shkollave dhe institucioneve të tjera, që të mos bëjnë presion, pasi do të përballen me ligjin.

Redaksia online
(sg/shqiptarja.com)