Tahiri: Në këtë sallë këto 48 orë të
vjen turp të rrish, duartroket opozita

Tahiri: Në këtë sallë këto 48 orë të<br />vjen turp të rrish, duartroket opozita
Ministri Tahiri kryefjalën e diskutimit të tij në foltoren e Kuvendit e kishte për fjalorin e turpshëm që po përdoren në seancë “Në këtë sallë 48 orët e fundit te vjen turp të rrish”- tha Tahiri duke i bërë thirrje të gjithë atyre të ndershmëve jashtë parlamentit se nuk ka vetëm këtë kategori por dhe të ndershëm që e duan këtë vend.
 
Në fakt, përpara se të them dy fjalë për buxhetin, dua të them dy fjalë për një gjë tjetër, që sipas meje ka shumë lidhje me buxhetin, por shkon pak përtej buxhetit të një viti, dhe madje unë besoj shkon direkt te qytetarët. Në 48 orët e fundit, ky parlament ka dhënë, intensivisht madje, një shfaqje banale që mua më bën me shumë turp. Dhe jo vetëm mua, brenda kësaj salle. Me plot të drejtë, shumë prej nesh brenda kësaj salle janë bërë me turp.

Për shfaqjen që ka dhënë ky parlament, 48 orët e fundit dhe jo vetëm. Ne kemi një meritë të pashmangshme, për rrënjosjen thellë në vetëdijen e çdo qytetari, se në këtë parlament nuk rrinë më njerëz të ditur, që vendosin për fatet e vendit, por njerëz të padenjë të përfaqësojnë qytetarët. Seancat e parlamentit janë kthyer në të neveritshme, për shkak të një grupi të vogël njerëzish, që me ç’bëjnë e me ç’thonë këtu në këtë foltore, bëjnë me turp edhe shumë të tjerë, burra e gra të ndershëm në këtë sallë, që besojnë vërtetë tek parlamentarizmi, te demokracia, te fjala e lirë e te misioni që na kanë dhënë shqiptarët për të vendosur gjëra të mëdha, që do ndikojnë jo pak fatet e qytetarëve në dekadën që vjen! Këtu dëgjohet fuqia e zërit, por jo forca e arsyes.

Shihen fuqia e muskujve, por jo forca e vlerave. Vlen akuza dhe shpifja, por jo drejtësia. Kërkohet balta, llumi, vreri, por nuk thërritet në emër të shpresës. Flitet për qytetarët, por vetëm për qytetarët nuk mendojnë. Ajo që ndodh këtu, është për turp. Për turpin tonë të përbashkët përballë qytetarëve. Degradimi i njeriut, në sallën e dijes dhe të ndriçimit e ka kthyer në arenë të turpshme gladiatorësh. Ku po shave del në TV, po fyeve, po akuzove, po shpife, po të sillesh si rrugaç, po të shkulësh karrige, po të shkulësh tavolina, po të shkulësh mikrofonë, bëhesh personazh! Injoranca të tërheq në fushën e vet dhe pikërisht mu aty fiton! Kështu thonë, dhe kështu është.

Dhe ky parlament ndër vite e ka provuar! Kush mendoni se beson se ka ndonjë fije seriozitet, mes sherreve dhe fyerjeve kur pastaj dalin në këtë foltore dhe flasin për taksat, për të ardhurat, për shpenzimet, për investimet, për ekonominë, për buxhetin, për rendin po të doni, për sigurinë, për arsimin, për mirëqenien sociale! Për të varfrit, për sipërmarrësit, për spitalet, për shkollat, për pabarazinë, për pandëshkueshmërinë, për drejtësinë?!... Kush mendoni se beson më, jashtë mureve të kësaj salle se kanë mbetur ende burra e gra në këtë sallë që e kanë seriozisht betejën për të bërë Shqipërinë më të mirë!?.. Eshtë shumë vështirë në fakt,  për njerëzit. Është tepër e vështirë për njerëzit jashtë kësaj salle ta besojnë! Për turpin tonë.

Kështu është parlamentarizmi sot. Seanca të turpshme, ku banaliteti më i madh, është lajmi më i madh! Vulgariteti i madh, mburraveci i madh, shumë pak përulje, shumë pak respekt, shumë pak të vërteta, shumë pak punë. Por nuk jemi njëlloj. Nuk jemi njëlloj dhe ti qytetari i mirë, që sot me të drejtë je neveritur duke dëgjuar parlament, që të ka ardhur në majë të hundës e të duket sikur nuk ke ç‘i bën, dije që nuk jemi njëlloj në këtë sallë! Sepse ka shpresë! Ndaj mos humb besimin. Sepse këtu në këtë sallë ka burra dhe gra, të ndershëm. Sot me thinja, sepse i kanë shërbyer vendit ndër vite, që nga fillimet e demokracisë, me ndershmëri e vullnet në kohë të vështira kur Shqipëria ishte buzë greminës.

Ashtu siç ka kolegë të mi plot, të rinj e të reja, që besojnë se pikërisht këtu, brenda kësaj salle, brenda turpit tonë të përbashkët, mes fyerjeve dhe shpifjeve pikërisht këtu është dhe forca jonë, për t’u ngritur mbi gërmadha, mbi llumin e ditës dhe për të parë se Shqipëria e bukur ekziston, se njerëzit me vlera dhe në këtë sallë ekzistojnë, se të vërtetat dhe në këtë sallë ekzistojnë, se morali ekziston, se vlerat janë edhe këtu edhe aty me ty, se njeriu që di të jetë njeri për tjetrin ekziston, dhe brenda kësaj salle. Se në këtë sallë ka dhe njerëz të ndershëm! O qytetar që me të drejtë je neveritur nga ç‘sheh këtu brenda, në qoftë se mendon se në këtë sallë, ulet këmbëkryq pandershmëria, dije që ndershmëria rri brenda kësaj salle. Në qoftë se mendon me të drejtë  se në këtë sallë injoranca është ulur këmbëkryq, dije se rri dhe kultura, dhe dija ulur në këtë sallë! Në qoftë se mendon se në këtë sallë, pabarazia, padrejtësia, amoraliteti, janë ulur këmbëkryq, dije se rrinë dhe vlerat. Këtu në këtë sallë rri dhe pasioni, rri dhe e vërteta, rri dhe vullneti për ta bërë parlamentin pasqyrën më të mirë të ndershmërisë dhe pasionit për ta bërë Shqipërinë atë që duam. Në qoftë se ke humbur shpresën, hap sytë dhe dallo. Injorantët duan ta tërheqin në fushën e tyre sepse është pikërisht aty ku fitojnë. Sepse në këtë sallë nuk ndihen të barabartë, sepse në fushën e injorancës, injoranca fiton.

Ndaj ngrihu e mendo, të dallosh cilët janë ata që na bëjnë me turp, e cilët janë ata që kanë nisur këtë betejë, për të bërë Shqipërinë që duam. Unë, kolegët e mi dhe shumë të tjerë këtu, burra dhe gra, nuk pajtohemi dot me  këtë turp kolektiv që prodhon kjo sallë. Ndaj qytetar mos e humb shpresën. Mbi të gjitha ju të rinjtë e të rejat, që jeni rritur në këto dy dekada, duke parë sa për turp është kjo sallë dhe sa shumë vulg arrin të prodhojë. Ne sot duhet të flisnim për buxhetin e shtetit. Për ekonominë e përditshme të qytetarit për të gjithë vitin që vjen.

Dhe sipas buxhetit policia do ketë më shumë investime, për ta bërë vendin më të siguritë. Opozita sot duhet të vinte e të fliste këtu duke na thënë nëse do realisht më shumë që të luftohet kriminaliteti mund ta thotë duke votuar buxhetin. Për të luftuar krimin dhe korrupsionin dhe opozita duhet të thotë me votë nëse është dakord kështu sie kemi sjellë në buxhet duke rritur investimet e policisë që të arrijmë  rezultate solide  në luftë ndaj krimit dhe korrupsionit dhe opozita duhet të thotë është dakord apo jo?! Për të ngritur Byronë Kombëtare të Hetimit, për të ndrequr më shumë strukturën e policisë, për të çuar shërbimin e saj tek qytetari, për të rritur transparencën, për të luftuar abuzimin me detyrën edhe korrupsionin më së pari brenda  policisë. Dhe opozita duhet të votojë duhet të flasë më votë nëse është pro që të bëhen të gjitha këto apo është kundër. Për të luftuar kultivimin dhe trafikun e drogës, dhe opozita me vote për këtë buxhet, duhet të thotë pro  që të luftohet kultivimi dhe  trafikimi i drogës apo është kundër. Po pse jo për të bërë zero taksat për biznesin e vogël.

Opozita duhet të votojë nëse është pro që të hiqen taksat për biznesin e vogël apo jo. Për të rritur investimet në bujqësi, për fermerët, tokën dhe prodhimin. Opozita duhet të votojë në fund të kësaj seance dhe të thotë pro që të rriten  që të rriten investimet për fermerin apo është kundër. Për më shumë shkolla të reja, spitale të reja dhe opozita duhet të thotë në fund është pro që të ketë më shumë shkolla të reja apo është kundër.

Është pro që të ketë më shumë spitale apo është kundër. Dhe mbi të gjitha për reformën në drejtësi që nuk e zini fare me gojë. Që të bëjmë reformën në drejtësi, të pastrojmë të korruptuarit në prokurori e gjykata, dhe t’i japim mundësi shqiptarëve të jenë të barabartë përpara ligjit dhe t’i japim mundësi shqiptarëve që në gjykatë të fitojnë drejtësi jo sipas xhepit, as sipas muskujve. Por sipas ligjit. Dhe opozita duhet të thotë me votë për këtë buxhet nëse është pro apo kundër që të bëjmë reformën në drejtësi. Këto duhet të ishin debatet sot, e jo shfaqja e padenjë e turpit që neverit me plotë të drejtë të rritur e të mitur. Kush pret që gropën ku ishte zhytur Shqipëria, ta zhbënim menjëherë, e ka kot. Gënjen veten dhe njerëzit. Mos harroni kurrë në ç'pikë ishte Shqipëria para pak më shumë se  dy vitesh. Në ekonomi ku edhe e drejta për të bërë biznes, kalonte në kanalet e klientelizmit e korrupsionit. Në arsim, ku shkollat private dhe diplomat ishin piramida e fshehur e dijes dhe kulturës, që ka rrënuar jo pak në fakt dhe  e pasojat do ia dëgjojmë më vonë. Në shëndetësi, ku ilaçet kushtonin më shumë se vetë sëmundja?

Kur administrata ishte njësh me partinë në pushtet, e ku kërkush i ri apo e re në këtë vend nuk mund të bënte para as nuk mund të bëhej  dot njeri po të mos kaloje nga zyrat e partisë. Ku informaliteti, paligjshmëria dhe kriminaliteti, kafshonin shtetin dhe shoqërinë, e ku kërkush nuk kishte luksin të ndjehej i sigurtë. Askush nga ne sot nuk thotë dot se Shqipëria është lule. Por e sigurtë është se jemi në rrugën e duhur. Ndaj kur të votoni, mos e pyesni veten a është kjo Shqipëria që duam, por pyeteni a është kjo rruga për Shqipërinë që duam dhe sigurisht që është.

Edhe ti qytetari që na dëgjon, pyet veten a është kjo rruga për të pasur ekonominë familjare që dua, shkollën që dua, spitalin që dua. Fermeri që na dëgjon pyet veten a është ky buxheti që rrit investimet për prodhimin që dua. A është kjo rruga, për Shqipërinë që dua, për shtetin që dua. Sigurisht kjo është. Edhe pse mes baltës së shpifjeve dhe akuzave, duhet shumë kurajë ta dallosh.



Tahiri: Në këtë sallë 48 orët e fundit te vjen turp të rrish. Parlamenti ka pasur shfaqje të turpshme. 
Helidon Bushati: Bëhesh ti me turp?
Tahiri: Në këtë sallë ka edhe njerëz të ndershëm.
Bushati: Ti dhe Brisi do ta shpëtoni Shqipërinë. Bravo!
Bedri Hoxha: Bravo! (ngrihen në këmbë e duartrokasin). 


Redaksia online
(s.m/shqiptarja.com)

 

  • Sondazhi i ditës:

    Sa i përhapur është korrupsioni në Shqipëri?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/ Asllani dhe Calhanoglu festojnë titullin në rrjetet sociale, turku: Ça bone zemra

VIDEO/ Asllani dhe Calhanoglu festojnë titullin në rrjetet sociale, turku: Ça bone zemra