Tahiri në Bruksel kërkon pikë të re kufitare me Serbinë

/ATSH/.- Ministrja për Dialogun, Edita Tahiri, gjatë qëndrimit në Bruksel ka zhvilluar takime me zyrtarët e Bashkimit Evropian, ku fokusi i bisedimeve ishte përshpejtimi i zbatimit të gjitha marrëveshjeve të arritura në Dialogun e Brukselit. Takimet u zhvilluan me Anna-Maria Eleni Boura, këshilltare speciale për dialogun nga zyra e Përfaqësueses së lartë të BE-së, Federica Mogherini, si dhe Nicholas Cendrowicz dhe Alexis Hupin, lehtësues në fusha të caktuara të Dialogut.
Në këto takime, ministrja Tahiri vlerësoi përparimet e arritura në dialog në këtë periudhë, me arritjen e marrëveshjeve në çështjen e "Mbrojtjes Civile" dhe të drejtësisë, duke konfirmuar se qeveria e Kosovës menjëherë ka filluar realizimin e detyrimeve të saj zbatuese.
"Këto zhvillime pozitive janë një shtytje e re për këtë proces dhe që duhet të shërbejë për të çuar përpara zbatimin e marrëveshjeve në fushat ku janë evidentuar stagnime dhe zvarritje", ka theksuar ministrja Tahiri.
Ministrja Tahiri u angazhua për çështjen e kodit telefonik për Kosovën, çështjet e energjisë, lëvizjes së lirë, heqjen e barrikadës mbi lumin Ibër, arritjen e marrëveshjes për sigurimin e automjeteve, etj.
Sipas një komunikate të qeverisë, të dyja palët u pajtuan për nevojën e shtimit të angazhimeve në zbatimin e marrëveshjeve, ku për çështjen e kodit telefonik për Kosovën, pati diskutime dhe përfarim qëndrimesh në drejtim të finalizimit sa më të shpejtë të marrjes së Kodit telefonik për Kosovën nga ana e ITU -së.
Po ashtu, në çështjet e energjisë, u diskutuan zgjidhjet për aspekte të caktuara të zbatimit të marrëveshjes për energjinë, ndërsa u vlerësua se sa i përket zbatimit të kësaj marrëveshje ka hapa pozitiv drejt implementimit siç ishte nënshkrimi i dy marrëveshjeve të bashkëpunimit në mes të Autoriteteve të Sistemeve Transmetuese të Energjisë të dy shteteve, gjë që u bë e mundur në saje të këtij dialogu.
Sa i takon, lëvizjes së lirë, ministrja Tahiri paraqiti kërkesën për hapjen e një pikëkalimi të ri kufitar mes Kosovës dhe Serbisë te pika "Kapia e Sfircës" duke njoftuar BE-në se Kryetarët e Komunave të Kamenicës dhe Medvegjës kanë bërë një kërkesë të tillë pranë autoriteteve të shteteve përkatëse. Ajo theksoi se Qeveria e Kosovës është e gatshme të angazhohet në këtë drejtim sepse ky pikëkalim do t'ua lehtësonte lirinë e lëvizjes qytetarëve duke shkurtuar distancën rrugore për më shumë se 100km, ndërsa kërkoi nga BE-ja që këtë çështje ta bisedojë me palën serbe.
Në kuadër të lëvizjes së lirë u diskutuan edhe pengesat që u shfaqën me rastin e ndaljes së autobusëve dhe kamionëve të Kosovës nga ana Serbisë, ku u arrit pajtimi se palët duhet të respektojnë marrëveshjen dhe në rast të nevojës për standarde të reja, çështjet duhet të dakordohen paraprakisht në dialogun e Brukselit.
Ministrja Tahiri foli edhe për veprimet pozitive që po i ndërmerr Zyra e BE-së në Kosovë për revitalizimin e Urës së Ibrit dhe heqjen e barrikadës mbi urë dhe të tjerat përreth, duke shprehur bindjen se plani për veprim do të realizohet në afatin e paraparë.
Duke folur për marrëveshjen për sigurimin e automjeteve që ishte afër nënshkrimit, ministrja Tahiri kritikoi mos gatishmërinë e Serbisë që të nënshkruaj marrëveshjen ku kërkoi angazhime më të mëdha nga BE-ja, sepse për këtë marrëveshje janë investuar gati dy vjet bisedime dhe vonesa e saj po dëmton financiarisht qytetarët e dyja shteteve. Ajo tha se u takon kompanive të sigurimeve nga Serbia ta vejnë interesin e qytetarëve para interesave komerciale të kompanive të veta, ashtu siç kanë vepruar kompanitë e sigurimeve të Kosovës dhe Byroja e Sigurimeve e Kosovës të cilët i thanë po marrëveshjes në fjalë.
Po ashtu, ministrja Tahiri e ngriti si çështje nevojën për pajisje me libra shqip të shqiptarëve të Luginës së Preshevës nga ana e qeverisë së Kosovës për të cilën kërkoi që të realizohet në mënyrë të papenguar nga ana e autoriteteve të Serbisë, mbi parime të reciprocitetit.
Në takime u shtruan edhe çështje të tjera që kanë të bëjnë me cilësinë e procedurave administrative në çështjet e taksave doganore dhe avancimi i disa aspekteve teknike, ku u paraqit nevoja për një takim të shpejtë të Grupit Punues të IBM, si dhe u theksua se takimet periodike vlerësuese për Zyrat ndërlidhëse duhet të mbahen sipas planit për zbatim.
Delegacioni i Republikës së Kosovës kryesohej nga ministrja Tahiri dhe këshilltarët politikë, Dren Zeka dhe Gazmir Raci, njëherësh koordinatorë të fushave në Dialogun e Brukselit si dhe Ambasadorja e Republikës së Kosovës në Bruksel, Mimoza Ahmetaj./Kosovapress/k.s./

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

Vlorë/ Makina plagos të miturin në Lungomare