PRISHTINË, 27 Shkurt/ATSH/.- Ministrja për Dialogun e Qeverisë së Kosovës, Edita Tahiri, gjatë qëndrimit të djeshëm në Bruksel, ka zhvilluar takime pune në selinë e Parlamentit Evropian, ku është pritur nga zv. Presidentja e Parlamentit Ulrike Lunacek, njëherësh dhe raportuese për Kosovën në këtë institucion, si dhe me eurodeputetë të tjerë.
Sipas KosovaPress, Tahiri theksoi se Kosova meriton mbështetje më të madhe nga BE-ja, duke kërkuar që sa më shpejtë të nënshkruhet dhe ratifikohet marrëveshja e stabilizim-asociimit për Kosovën dhe të hiqen vizat për qytetarët e Kosovës. Ajo kërkoi gjithashtu që Kosovës ti jepet sa më shpejt statusi i kandidatit për anëtarësim në BE.
Gjatë bisedës me eurodeputetët, Tahiri foli edhe për prioritetet dhe përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për thellimin e reformave evropiane.
Ajo thekoi se në programin e ri të qeverisë 2015-2018, prioritetet e tyre janë përmbushja e kritereve për integrim euroatlantik, ku forcimi i sundimit të ligjit dhe zhvillimi i një ekonomie të qëndrueshme dhe punësimi janë prioritete kryesore.
Tahiri gjithashtu konfirmoi angazhimet e Qeverisë për të jetësuar vizionin euro-atlantik të Kosovës, si dhe falënderoi Komitetin për Politikë të jashtme të Parlamentit Evropian për miratimin e rezolutës për Kosovën, që pritet të miratohet nga PE në muajin mars.
Në kuadër të argumentimeve ajo ka përmendur edhe angazhimet e qarta të Kosovës për ndërtimin e fqinjësisë së mirë dhe promovimin e bashkëpunimit rajonal, gjë e cila, sipas saj, po dëshmohet edhe me dialogun e Brukselit.
Në veçanti, ajo nënvizoi se njohja e Kosovës nga pesë vendet anëtare që nuk e kanë bërë deri tani, do të ishte një kontribut i fuqishëm për paqen dhe stabilitetin në rajon dhe në Evropë, e sidomos në këtë kohë të dinamikave të reja gjeopolitike.
Nga ana tjetër, eurodeputetët kanë vlerësuar se Kosova ka bërë përparime rrënjësore në rrugën drejt Bashkimit Evropian. Sipas tyre, edhe Parlamenti Evropian, që nga fillimi ka qenë shumë i zëshëm në qartësimin e perspektivës evropiane nga ana e institucioneve të BE-së që janë përgjegjëse për zgjerim. Ata thanë po ashtu se Parlamenti Evropian edhe përmes Rezolutave ka njohur arritjet dhe ka treguar mbështetjen për Kosovën.
Eurodeputetët gjithashtu siguruan se mbështesin plotësisht integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian dhe kanë vlerësuar se shpejtimi i procesit të integrimit të vendeve të Ballkanit perëndimor, ku përfshihet dhe shtetit i Kosovës i shërben paqes dhe stabilitetit në rajon./m.m/






