TIRANË - Pas akuzave të PD-së për gjendjen e rendit në vend, ka reaguar edhe ministri i Brendshëm, Sajmir Tahiri. “Nuk vlen përgjigja për PD dhe debati politik sa vlen reformimi i sistemit”, ka shkruar ministri Tahiri në profilin e tij në Facebook.

“Sot për herë të parë, deklasifikohet komunikata e Policisë së Shtetit. Deri dje ishte sekret”, shkruan Tahiri.

Sipas ministrit të Brendshëm, “Ministri i Brendshëm, Kryeministri, Kryetari i Parlamentit, Presidenti i Republikës, Prokurori i Përgjithshëm dhe Drejtori i SHISH merrnin një kopje ditore të klasifikuar, ndërkohë që media merrte ekstraktin e ngjarjeve më të rëndësishme”.

Sipas Tahirit, “nga sot, komunikata do jetë publike për të gjithë. Duke respektuar të dhënat private, ngjarjet në hetim të  vazhdueshem dhe të dhëna të tjera që duhet të përbëjnë sekret. Kjo është reforma jonë për të garantuar transparencë maksimale ndaj publikut. Kjo është përgjigja jonë. Reformimi i sistemit!”.

“Kam dëgjuar nga opozita të akuzojnë se fshehim 40 % të kriminalitetit. Nuk marrin mundimin ta provojnë akuzën e tyre. Nderkohë që tani e rritën dozën sipas oreksit të mashtrimit. Nga 40% e çuan 100%. Përsëri askush nuk jep një provë të vetme.

Të paktën tani shpresoj do heshtin, nëse kanë filtër etik, moral e përkushtim ndaj të vërtetës”, shkrun në fund të reagimit të tij, ministri i Brendshëm, Sajmir Tahiri.
 
Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)