TIRANE- Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Aleksandër Arvizu, është takuar sot me deputetin e Partisë Socialiste, Sajmir Tahiri, i cili në qeverinë e re do të mbajë postin e ministrit të Brendshëm. Takimi i cili zgjati për rreth 90 minuta është zhvilluar në selinë e Partisë Socialiste, dhe mësohet se është diskutuar mbi situatën e sigurisë dhe të rendit publik në vend.
 
Ambasadori amerikan, i shoqëruar nga një ekip drejtuesish të lartë të Ambasadës Amerikane, bisedoi për Tahirin për çështje që lidhen ngushtësisht me rendin publik, luftën kundër krimit dhe trafiqeve ilegale.
 
Ambasadori Arvizu pohoi pas takimit se pritshmëritë për qeverinë e re janë të larta, dhe në betejën për rend e siguri, kabineti i Edi Ramës do të ketë mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-ve.
 
“Ne po vazhdojmë të kemi konsultime me njerëzit që do të jenë pjesë e qeverisë. Natyrisht që Ministria e Brendshme është një aktor kyç. Siç e shihni kemi një staf shumë të madh të ambasadës këtu. Ne folëm për përparësitë programatike, në përpjekje për të përforcuar sukseset që janë arritur, por gjithashtu qeveria e re ka një mandat të fortë, të mbështetur masivisht nga populli. Ka disa pritshmëri në fushën e reformave. Ne duam të jemi plotësisht mbështetës për axhendën e integrimit europian të Shqipërisë. Ka disa aspekte strategjike por edhe çështje operacionale të ditës. Natyrisht varet nga qeveria e re, ata janë të ngarkuar, ne jemi këtu për të qenë një partnere shumë bashkëpunues. Kjo është ajo që po bëjmë, po këshillojmë”, tha Arvizu.
 
Gjatë takimit, dy bashkëbiseduesit, shkëmbyen ide e mendime mbi sigurinë si edhe planet për të ardhmen.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)