Kur presidenti amerikan Joe Biden të takohet me presidentin kinez, Xi Jinping, nuk priten lëshime nga pala amerikane. Nuk pritet as publikimi i ndonjë deklarate të përbashkët me tone entuziaste. Takimi i shumëpritur i presidentëve të dy superfuqive botërore do mbahet të hënën. SHBA-ja ka thënë se Kina përbën kërcënimin më të madh ekonomik dhe ushtarak për Amerikën.
Në të njëjtën kohë, zyrtarët amerikanë kanë theksuar se duan të shmangin konfliktin. Në vijim sjellim një vështrim se çfarë shpreson të arrijë secila palë nga takimi i parë i udhëheqësve ballë për ballë, që do të mbahet në ishullin Bali në Indonezi:
Synimet e SHBA
Në thelb, zoti Biden dhe zyrtarë të tjerë amerikanë po përpiqen të kuptojnë se cilat janë qëndrimet e vërteta të presidentit Xi. Në një konferencë shtypi pak para se të largohej nga Uashingtoni, presidenti Biden tha se donte të “përcaktonte … cilat janë linjat e kuqe të të dyja palëve, të kuptonte se çfarë ai beson se është në interesat kritike kombëtare të Kinës, dhe në interesat kombëtare të Shtetet e Bashkuara”.
Ky mision është bërë edhe më i rëndësishëm që nga përfundimi i kongresit të Partisë Komuniste në Pekin, gjatë të cilit Presidenti Xi siguroi një mandat të tretë duke e fuqizuar edhe më tej pozitën e tij. Zoti Biden u tha gazetarëve të dielën se ai “ka pasur gjithmonë diskutime të hapura” me zotin Xi, dhe kjo ka bërë që të dyja palët të jenë të qarta për qëllimet e njëra-tjetrës.
Presidenti i SHBA-së do t'i përcjellë udhëheqësit kinez shqetësimet e Shtëpisë së Bardhë në lidhje me praktikat ekonomike të Kinës. Tajvani, është e sigurt që do të jetë një nga temat dhe zoti Biden synon t'i theksojë homologut kinez se SHBA-ja do të jetë gati për të mbrojtur ishullin e vetëqeverisur nëse sulmohet nga Kina.
Presidenti amerikan gjithashtu do t’i bëjë të qartë shqetësimet e tij në lidhje me praktikat e Pekinit për të drejtat e njeriut, siç ka bërë edhe në komunikimet e tyre të mëparshme. Udhëheqësi amerikan do ta përdorë gjithashtu takimin për të bërë presion për një qëndrim më agresiv nga Kina ndaj pushtimit rus të Ukrainës. Udhëheqësi kinez është përmbajtur kryesisht nga kritikat publike për veprimet e Vladimir Putinit, ndërkohë që ka refuzuar të ndihmojë në mënyrë aktive Moskën me armë.
“Ne besojmë se çdo vend në botë duhet të bëjë më shumë për t’iu kundërvënë Rusisë, veçanërisht ata që kanë marrëdhënie me Moskën, për t'i dhënë fund kësaj lufte dhe për t'u larguar nga Ukraina”, tha këshilltari amerikan për sigurinë kombëtare, Jake Sullivan.
Zyrtarët amerikanë thonë se janë të interesuar për të parë se ku mund të bashkëpunojnë dy superfuqitë. Megjithëse ka shumë fusha në të cilat zoti Biden dhe zoti Xi nuk pajtohen pothuajse fare, Shtëpia e Bardhë ka renditur disa çështje ku mund të arrihet pajtim, duke përfshirë shëndetësinë, politikat kundër narkotikëve dhe ndryshimet mjedisore.
Dëshirat e Kinës
Presidenti Xi ende nuk ka dhënë një listë temash për bisedimet me presidentin amerikan, por Pekini dëshiron që SHBA të veprojë ndryshe në lidhje me tregtinë dhe Tajvanin. Ndoshta pika më e rëndësishme është se mbledhja e Grupit të 20 vendeve më të industrializuara në Bali dhe takimi me zotin Biden i japin udhëheqësit të fuqishëm të Kinës mundësinë për ta paraqitur imazhin e vendit të tij si lojtar global dhe veten si një figurë historike që po rikthen rolin e Kinës në një forcë ekonomike dhe politike.
Kina ndjek “politika gjithnjë e më të sigurta të jashtme dhe të sigurisë që synojnë ndryshimin e status quo-së ndërkombëtare”, shkruan në revistën “Foreign Affairs” Kevin Rudd, ish-kryeministri australian i cili është president i “Shoqërisë së Azisë”. Kjo ka tensionuar marrëdhëniet me Uashingtonin, Evropën dhe fqinjët aziatikë të Kinës, por presidenti Xi nuk është i shqetësuar dhe duket se do të jetë më ambicioz jashtë vendit.
Takimi është “një ngjarje e rëndësishme e diplomacisë së kreut të shtetit drejt Azisë së Paqësorit”, tha zëdhënësi i ministrisë së jashtme, Zhao Lijian. Ai tha se presidenti Xi do të “mbajë një fjalim të rëndësishëm” mbi rritjen ekonomike. Zoti Zhao i bëri thirrje administratës së presidentit Biden të “ndalojë politizimin” e tregtisë dhe të pranojë sovranitetin e Pekinit mbi Tajvanin, ishullin e vetëqeverisur demokratik që u nda me Kinën në vitin 1949 dhe nuk ka qenë kurrë pjesë e Republikës Popullore të Kinës.
Pekini dëshiron që Uashingtoni të heqë tarifat e vendosura nga ish-presidenti Donald Trump në vitin 2019 dhe të heqë kufizimet në rritje për qasjen kineze tek mikroprocesorët dhe teknologji të tjera amerikane. Zoti Biden nuk ka hequr shumicën e masave të paraardhësit të tij dhe listës ia ka shtuar frenimin e qasjes në teknologji që zyrtarët amerikanë thonë se mund të përdoren për zhvillimin e armëve.
Qeveria e presidentit Xi ka shtuar përpjekjet për të frikësuar qeverinë e presidentit tajvanez Tsai Ing-wen duke fluturuar avionë luftarakë pranë ishullit dhe duke gjuajtur raketa në det.
Pekini ndërpreu bisedimet me Uashingtonin për sigurinë, bashkëpunimin për ndryshimet mjedisore dhe çështje të tjera pasi Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, Nancy Pelosi vizitoi Tajvanin në gusht në shenjë mbështetjeje për qeverinë e tij.
Një tjetër synim për presidentin Xi: Të mos infektohet me virusin “COVID-19”.
Grupi i 20 vendeve më të industrializuara do të jetë udhëtimi i dytë jashtë vendit i udhëheqësit komunist kinez brenda 2 vjet e gjysmë, ndërsa qeveria e tij zbaton një strategji të ashpër “Zero infektime me COVID-19”, politikë kjo që mbylli qytetet dhe mbajti shumicën e vizitorëve jashtë Kinës.
Presidenti Xi e ndaloi atë moratorium duke marrë pjesë në një samit të shtatorit me Vladimir Putinin dhe udhëheqësit e Azisë Qendrore. Por ai anashkaloi darkën dhe paraqitjen para fotoreporterëve ku udhëheqësi rus, Putin dhe të tjerët nuk mbanin maska./VOA