Askush nuk i di ende plotësisht pasojat nga rrjedhja e fundit e dokumenteve sekrete amerikane. Disa analistë janë të shqetësuar se kjo mund tërheqë vëmendjen nga bisedimet e nivelit të lartë në Japoni mbi sigurinë dhe krizat botërore. Anëtari i Gardës Kombëtare Ajrore, Jack Teixeria mbetet në paraburgim. Ai përballet me të paktën dy akuza penale për publikimin e dokumenteve sekrete të qeverisë amerikane.
Ajo që çoi në veprimet, që dyshohet se i ka bërë pjesëtari i Gardës Kombëtare me një gradë të ulët, duhet t’i nënshtrohet një hetimi të hollësishëm, tha senatori republikan Lindsey Graham për programin "This Week" të kanalit ABC.
“Jam i habitur që një individ në atë nivel mund të ketë patur qasje të nivelit kaq të lartë në dokumentet sekrete. Pra, pyetja është se si ai i mori dokumentet dhe pse e bëri atë? Disa njerëz duhet të pushohen nga puna për këtë”, tha ai.
Senatori Graham paralajmëroi kritikët e administratës së Presidentit Biden të mos e lavdërojnë personin e dyshuar për rrjedhjen e dokumenteve sekrete.
“Kemi ushtarë nga Xhorxhia dhe zona të tjera, të cilët sot shërbejnë jashtë vendit dhe janë më pak të sigurt për shkak të veprimit të anëtarit të Gardës Kombëtare. Nuk ka asnjë justifikim për këtë. Anëtarët e Kongresit, që sugjerojnë se është në rregull të publikohen informacione sekrete, sepse ato përshtaten me kauzën tyre politike, duhet ta kuptojnë se kjo është jashtëzakonisht e papërgjegjshme dhe se e vë Amerikën në rrezik serioz”, tha senatori Graham.
Shtetet e Bashkuara janë angazhuar me aleatët e tyre pas rrjedhjes së dokumenteve sekrete, tha Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken gjatë një vizite të shkurtër në Vietnam të shtunën.
“Ne e kemi bërë të qartë angazhimin tonë për mbrojtjen e informacioneve të zbulimit dhe angazhimin ndaj partneriteteve tona të sigurisë. Ajo që kam dëgjuar, të paktën deri tani, është një vlerësim për hapat që po ndërmarrim dhe incidenti nuk ka ndikuar në bashkëpunimin tonë me vendet e tjera”, tha ai.
Sekretari Blinken tani ndodhet në Japoni për takimin e ministrave të jashtëm të shtatë vendeve më të zhvilluara në botë, G7. Disa analistë shqetësohen se rrjedhja e dokumenteve sekrete amerikane mund të lërë në hije bisedimet e këtij takimi, i cili pritet të përqendrohet në tema të rëndësishme si lufta në Ukrainë dhe tensionet mes Kinës dhe Tajvanit.
“Mendoj se këtë radhë takimi i G7-ës mund të shërbejë si një provë që do të tregonte nëse ai mund të shkojë përtej të qenit një forum ekonomik, duke u bërë edhe një organ i ri konsultativ për sigurinë”, thotë analisti Park Won Gon nga Univeristeti Ewha Womans.
Bisedimet tre-ditore të ministrave të jashtëm, të cilat filluan me një darkë pune, i paraprijnë një takimi të udhëheqësve të vendeve të G7-ës muajin e ardhshëm në Hiroshima./VOA