Pas marrjes së mandatit në Shqipëri, ambasadorja e re e Delegacionit të Bashkimit Europian, Sofia Moreira de Sousa, ka nisur takimet me drejtuesit e institucioneve. Një prej tyre ishte ai i sotmi me kreu i SPAK, Klodian Braho, për të cilin përcolli një mesazh të qartë mbështetjeje nga Bashkimi Europian.

Në një postim në rrjetin social X, Moreira de Sousa theksoi se puna e SPAK në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në nivele të larta është thelbësore për forcimin e shtetit të së drejtës në Shqipëri.

“Puna e SPAK në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në nivele të larta është thelbësore për forcimin e shtetit të së drejtës në Shqipëri. Në takimin tim të parë me Kryeprokurorin e Posaçëm, Klodian Braho, rikonfirmova mbështetjen e vazhdueshme dhe të palëkundur të Bashkimit Europian për një SPAK të pavarur dhe efektiv. Vijimi i rezultateve konkrete në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit është një element kyç për përparimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian”, shkroi ajo. 

Bashkimi Europian është një nga mbështetësit më të mëdhenj të SPAK.