DOSJE/ 11 dhjetori 1990: Presidenti Ramiz Aliaj me përfaqësues të studentëve, debat edhe shprehje dashurie: Më thanë se në një depo është vjedhur një arkë me grante! S'më erdhi mirë që nuk m’u bindët

  DOSJE/ 11 dhjetori 1990: Presidenti Ramiz Aliaj me përfaqësues të studentëve, debat edhe shprehje dashurie: Më thanë se në një depo është vjedhur një arkë me grante! S'më erdhi mirë që nuk m’u bindët

Takimi i presidentit Ramiz Aliaj me përfaqësues të studentëve

Ramiz Alia hyn i duartrokitur në sallën ku ishte përcaktuar zhvillimi i takimit i shoqëruar nga ministri i arsimit Skënder Gjinushi dhe sekretari i parë i Bashkimit të Rinisë së Punës së Shqipërisë Lisen Bashkurti. Fillimisht Alia takohet me disa nga pjesëmarrësit në këtë takim, ndërsa më tej mban një fjalim ku bën të ditur vendimet që ka marrë Pleniumi i Komitetit Qendror të Partisë në lidhje me zhvillimet më të fundit në vend.

Ramiz Alia: Si jeni ju mirë jini? Tashti të filloj unë një çikë, do më dëgjoni mua njëherë dhe pastaj të shikojmë të flisni juve. Se desha tju njoftoj përpara se sot kishte një mbledhje të Pleniumit të Komitetit Qendror të Partisë dhe prandaj desha tju njoftoj çfarë ka vendosur Pleniumi i Komitetit Qendror.

Pleniumi i Komitetit Qendror shqyrtoi gjendjen aktuale dhe rekomandoi masat përkatëse për përmirësimin e saj. Lidhur me sa më sipër vendosi:

      E para. Në qershor të vitit 91 të mblidhet kongresi i 10-të i zakonshëm i Partisë

      E dyta. Më 26 dhjetor të këtij viti, d.m.th mbas  dy javësh, të mblidhet në Tiranë Aktivi Kombëtar i Partisë për të përcaktuar platformën elektorale të Partisë dhe për të aprovuar listën e kandidatëve të saj për deputetë në Kuvendin Popullor.

      E treta. Pleniumi liroi nga funksioni anëtarët e Byrosë Politike shokët Muho Asllani, Simon Stefani, Lenka Çuko, Foto Çami, Hajredin Çeliku, dhe shokët Qirjako Mihali dhe Pirro Kondi nga detyra e kandidatit të Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë

      E katërta. Ju rekomandua Kryetarit të Këshillit të Ministrave që në përputhje me situatat e tanishme ti propozojë Presidiumit të Kuvendit Popullor ndryshimet e nevojshme në Qeveri.

      E pesta. Pleniumi shprehu mendimin se është në dobi të demokratizimit të mëtejshëm të jetës së vendit dhe pluralizmit krijimi i organizatave politike të pavarura në përputhje me ligjet në fuqi.

      Salla duartroket gjatë.

Tashi desha t’ju them edhe disa fjalë të tjera. Ky ishte vendimi. Të them unë tashi disa. Unë personalisht dhe gjithë udhëheqja e kemi ndjekur çdo hap tuajin gjatë këtyre ditëve. Qysh në fillim unë jam shprehur për dialog, për bisedime, për diskutime me juve. Bile qysh të shtunën nuk refuzova, por përkundrazi, në ora 1 e gjysëm, pas mesnate, u takova me një delegacion tuajin. Të nesërmen prita në zyrë edhe Mimozën, dhe biseduam gjerë e gjatë me njëri-tjetrin.

Ju ftova të tërëve për qetësi, në mënyrë që shqetësimet edhe kërkesat tuaja, të drejta të zgjidheshin vetëm në rrugën e diskutimit normal demokratik. Edhe tani që po takohem me ju, jam i të njëjtit mendim, që çdo gjë, e theksoj çdo gjë me qetësi, me mirëkuptim, në interes të atdheut dhe të të gjithë popullit. Në çdo rast duhet ti pritet rruga ndërhyrjes së elementëve keqdashës ose provokator, që nuk ja duan të mirën, as popullit, as rinisë, as zhvillimit të vendit, as lirisë së atdheut as demokratizimit të vërtetë të popullit e të atdheut tonë. Rruga  e demokratizimit nuk është bulevard. Këtë duhet ta kemi parasysh të tërë të rritur edhe të rinj. Nevojitet kulturë, nevojitet tolerancë, nevojitet rregull dhe durim. Demokracia nuk pranon as kushte, as imponime, as detyrime. Prandaj edhe unë nuk ju kam vënë as kushte, as ju kam imponuar dhe as ju kam detyruar. Ajo kërkon dialog, kërkon argumentin, kërkon  logjikë, në interesin e përgjithshëm, kërkon respekt për shokun, respekt për të drejtën. Demokracia kërkon norma mirësjelljeje dhe të etikës. Në qoftë se nuk respektohen këto rregulla të lojës, i hapet rruga anarkisë, gjë që është e rrezikshme e dëmshme për të gjithë. Këtë duhet ta kenë parasysh të gjithë njerëzit tanë, sidomos kur flitet për pluralizëm, qoftë për pluralizëm mendimi, qoftë për pluralizëm organizimi, atë që quhet pluralizëm partiak. Çdo njeri tek ne, çdo qytetar i ndershëm i vendit tone, duhet të ketë në plan të parë interesat e atdheut, interesat e popullit. Mund të kesh vërejtje për të kaluarën ose për të sotmen. Mund të kesh mendime për një çështje ose një tjetër, për socializmin ose për partinë, por çdo gjë duhet të vihet në kandarin e fateve të atdheut, të lirisë edhe të pavarësisë së tij. Të mos harrojnë se për Shqipërinë gjithnjë qëndron rreziku i lirisë dhe i pavarësisë. Situatat politike i dini i ndiqni. Mos i merrni si shakara. Prandaj ne na lypset  uniteti, neve na lypset të ecim të bashkuar, ne na duhet të punojmë krah për krah me njëri-tjetrin. Unë shpreh besimin tim të patundur dhe bindjen time të plotë te rinia jonë, te gjithë rinia jonë, edhe te rinia studenteske, në radhë të parë, që është pjesa më e mençur, më me kulturë, që është një pasuri e madhe e popullit tonë. Shpreh bindjen tek klasa punëtore, te tërë populli ynë, që luftën për demokratizim që ka ndërmarrë partia ne do ta çojmë përpara pa u ndalur. Procesi i demokratizimit kërkon kontributin e secilit, të madh e të vogël, punëtorë, fshatar, studentë, por asgjë s’bëhet brenda një dite. Për më tepër duhen patur parasysh traditat tona. Drejt Europës ne duhet të shkojmë, por duhet të shkojmë me pasurinë tonë kulturore. Të mos harrojmë, ne duhet të shkojmë me traditën tonë, duhet të shkojmë me origjinalitetin tonë dhe jo si kopje e keqe e të tjerëve. Pikërisht për këtë arsye duhet të punojmë të tërë më vëmendje, duhet ti masim hapat që hedhim, duhet të jemi të kujdesshëm, pa u ndalur aspak në rrugën tonë që kemi nisur, që është rruga e interesave të atdheut, të socializmit, të popullit tonë Këto kisha t’ju thoja kështu në fillim. Tashti do dëshiroja të dëgjoja në qoftë se keni juve dhe çfarë keni juve për të më thënë.

 ***

Arben Demeti: Kam një pyetje.

Ramiz Alia: Urdhëro. Kush jeni ju?

Arben Demeti: Unë quhem Arben Demeti, asistent pedagog në inxhinierinë elektrike jam dhe komunist.

Ramiz Alia: E mirë vazhdo, s’ka rëndësi ajo. Për mua ka rëndësi kush je.

Arben Demeti: Pse Pleniumi mori këto masa që Ju na i rekomanduat, ku u mbështet, më hollësisht, sidomos lirimin e disa anëtarëve të Byrosë Politike?

Ramiz Alia: Po. Pleniumi i Komitetit Qendror diskutoi, e para se se jemi përpara zgjedhjeve që do të bëhen, së dyti, kjo që ndodhi me studentët është padyshim një shqetësim për partinë, që ishte e domosdoshme të shikonte këtë situatë kupton apo jo, sepse situatat mund të zhvillohen në rrugë të ndryshme, këtë e kuptoni? Gjithmonë ka dy rrugë, në çdo fenomen.

Arben Demeti: Ose më shumë

Ramiz Alia: Më pak, dy ka. Të tjerat eliminohen, ngelen dy, rryma pozitive rryma negative ( qesh), meqë je i elektrikes ti. Prandaj në këtë çështje, kupton, Komiteti Qendror diskutoi, kupton, edhe natyrisht, gjykoi të nevojshme që të mblidhesh Aktivi Kombëtar i Partisë, për çështjen e platformës për zgjedhjet sepse partia do të dalë me kandidatët e vet dhe duhet të ketë platformë elektorale. Për kongresin e partisë, gjithashtu, duhet sipas normave dhe rregullave të bëheshin. Përsa i përket lirimit të këtyre shokëve të Byrosë Politike, lirimi i tyre është i lidhur, kupton, edhe me të kaluarën, me të meta, dobësi në punë në të kaluarën e tyre, kupton, është i lidhur përgjithësisht edhe me situatën aktuale. Ka patur vërejtje, kemi patur neve vërejtje, edhe nga partia, edhe nga rinia, edhe nga masat. Kanë shprehur, po pse mbeten në byro, ta zëmë u hoq prej këtej ta zëmë Muho Asllani, u shkarkua nga sekretar i Durrësit, por mbeti në Byronë politike, ose ku di unë, shoku Simon Stefani u hoq nga ministri i brendshëm mbeti në Byronë Politike. Tani i rishikuam edhe njëherë këto kupton, si i thonë fjalës kupton, muri sluan, burri luan, ë.

Arben Imami: Pika e fundit, vendimi i fundit, ajo që ka lidhje me pluralizmin politik. A mund të shpjegoni diçka më qartë dhe më gjatë, d.m.th ç’kupton partia me këtë?

Ramiz Alia: Tashti, pluralizmin politik ne e kuptojmë në bazë të këtij vendimi që përveç subjekteve të emërtuara në Ligjin për zgjedhjet mundet të paraqiten edhe subjekte të tjera, të cilat natyrisht duhet të respektojnë normat ligjore që ekzistojnë. Subjekte të tjera mund të jeni, juve kërkoni të jeni një subjekt i pavarur për shembull, edhe rinia studenteske mund të jetë një subjekt i pavarur kupton ti, në qoftë se dëshiron brenda Organizatës së Bashkimit të Rinisë, ose në qoftë se nuk dëshiron jashtë Organizatës së Rinisë. Pra si një subjekt i pavarur politik. Kjo është.

Arben Imami: Çfarë e pengon aktualisht partinë tonë që ti propozojë Kuvendit Popullor formimin e partive të reja?

Ramiz Alia: Nuk e pengon kjo.

Skënder Gjinushi: Kushtetuta e lejon.

Arben Imami: Kushtetuta nuk e lejon në një pikëpamje, që thuhet se, ai ligj kushtetues të cilin ju vetë propozuat për tu abroguar në të ardhmen.

Ramiz Alia: Cili ligj?

Arben Imami: Ligji për udhëheqjen dhe rolin udhëheqës vetëm  të Partisë. Përderisa ne nuk kemi rol të vetëm udhëheqës të Partisë, ose shpresojmë së afërmi të mos kemi. Përderisa ne nuk kemi një ligj, mesa di unë, se njohuritë tona janë të kufizuara

Ramiz Alia: Edhe ajo është., mungojnë edhe njohuritë tuaja.

Arben Imami: Përgjithësisht na mungon informacioni. Pra ne nuk kemi një ligj ku shprehimisht të thotë ndalohet…

Ramiz Alia: Nuk ka. S’ka asnjë ligj ku shprehimisht të thuhet ndalohet një parti politike.

Arben Imami: Atëherë për ç’arsye pengohet, nuk e kam fjalën pengohet, por nuk është e mendimit Partia e Punës, që krahas saj mund të jepnin kontributin e tyre edhe parti të tjera , që do të punonin dhe do të luftonin me pikëpamjet e tyre për atdhe, për Shqipëri.

Ramiz Alia: Shiko lidhur me këtë çështje pikëpamja e partisë tonë në radhë të parë është nisur dhe niset gjithmonë nga tradita e vendit tonë, në kuptimin që mbi të tëra, ne shikojmë çështjen e unitetit të popullit. Nuk duhet të harrojmë, kupton, që ne jemi një vend i vogël. Nuk duhet të harrojmë kupton, që juve jeni të tërë të rinj, kupton, por populli jonë ka luftuar, ka luftuar ashpër. ( ndërhyrje nga salla: ka luftuar ashpër)

     Ndërhyrje nga salla: Vazhdon të luftojë

Ramiz Alia: Po po, po ka luftuar ashpër. Ka derdhur gjak të madh. Unë që jam një çikë më plak dhe jo një çikë por shumë më shumë se juve, se jam babai juaj, më kupton, por 28 mijë dëshmorë është 3 përqind e popullsisë së Shqipërisë. Të mos ta harrojmë edhe se 1 milion ishte Shqipëria. Në ndërtimin e vendit, kupton, vendi i rrafshuar për tokë ka qenë, moçalet e Shqipërisë të vinin deri në Lushnjë. 38 vjet jetonte shqiptari, jo larg por në vitin 1945, kaq ishte mosha mesatare, tani është 72 vjet mosha mesatare. Pra në tërë këto rrethana, kupton, populli ynë fitoi pikërisht pse ishte i bashkuar. Kundër vendit tonë dërgoheshin banda diversantësh. Ju si keni jetuar këto.

Arben Imami: Ne e dimë .

Ramiz Alia: Ju i keni lexuar. Është ndryshe me lexu. Ti je artist, aktor. Kur i luan mundohesh të futesh në rol dhe kështu, sa herë që keni një pjesë mundohesh të futesh në rol. Bëni përpjekje kolosale, studioni, futeni në rol etj etj. Edhe me siguri futeni në atë rol kupton, mbasi njiheni mirë e mirë, kupton, por një realitet objektiv është ky kupton se është bërë një luftë shumë e madhe kjo. Për ne në kushte të caktuara historike një nga faktorët që ne kemi fituar ka qenë ky unitet i madh i popullit tonë rreth një ideali, rreth një qëllimi. Ky ideal, ky qëllim përfaqësohej nga Partia, përfaqësohej nga të gjitha organizatat shoqërore. Kupton Tani, nuk dua të përmend, që ideali ynë, ky ideal i unitetit kombëtar, kupton, ka qenë promotori i lëvizjes së Shqipërisë përpara. Tashi neve po theksojmë, kupton, çështjen e demokratizimit të vendit. Në demokratizimin e vendit çështja e pluralizmit është një çështje themelore. Në ç’kuptim? Në kuptimin e demokracisë të mendimit, të shprehjes së lirë të mendimit të njerëzve. Shprehja e lirë e mendimit të njerëzve, ne mendojmë kupton, që në kushtet tona, në realitetin shqiptar, kupton, që kemi gjithë këto lloj organizatash të ndryshme, kupton, nuk pengohet, që mendimi i lirë i njerëzve të shprehet në forma nga më të ndryshmet. Sigurisht nuk do të kishte kuptim demokratizimi në qoftë se ne themi kupton se ky mendim kupton ka qenë ekselenc i shprehur. Tani përkundrazi po themi që duhet më tepër. Juve më keni dëgjuar disa herë që unë kam ngritur të hapen gojët. Ëëë, e keni parasysh?

      Salla: Po, po

Ramiz Alia: E keni parasysh! Asnjë fjalim nuk është mbajtur të mbyllen gojët. Fjalimet që kam mbajtur unë, kanë qenë të hapen gojët. Unë po flas për atë çka unë kam thënë dhe gojët duhet të hapen. Tani gojët duhet të hapen, por të mos harrojmë që duhet në interes të popullit, në interes të atdheut, në interes të lirisë, pavarësisë së tij. Këtë duhet të kemi kujdes të tërë.

      Reagim nga salla: Pa dyshim

Ramiz Alia: Mirë, mirë, unë jam i bindur që pa dyshim, por kini parasysh se ka kupton ka edhe me dyshim. Ka mendime të tjera, është logjike që të ketë edhe mendime të tjera. Tani, në vendimin e Pleniumit të Komitetit Qendror sot, natyrisht Partia nuk jep urdhra për këtë punë, shprehu mendimin kupton që në këto kushte mundet të ndihmojë në demokratizimin e mëtejshëm të vendit edhe paraqitja e organizatave të veçanta, kupton, pluraliste në sistemin tonë.

Blendi Gonxhe: D.m.th nuk ka kufij?

Ramiz Alia: Unë nuk them dot, unë nuk them asnjë kufij, them, derisa flitet organizim pluralist ai nënkupton çdo gjë, çdo gjë nënkupton. Tashi këtë çështje, natyrisht ka ligje, sepse nëse kërkon një parti të paraqitet me një program fashist në bazë të ligjit nuk lejohet. Në Ligj ka disa pika.

Tefalin Malshyti: Ne kemi ardhur këtu tju takojmë si President dhe jo si sekretar i Partisë, sepse në Letrën tonë kërkojmë takim me Presidentin Ramiz Alia dhe si President flasim pra me ju. Këto janë vendimet e Partisë, vendimet e pleniumit. Janë shumë të sakta, shumë të drejta dhe për këtë nuk ka asnjë dyshim. Megjithatë, siç e thatë edhe ju vetë, që ky është një vendim dhe nuk dihet se kur do të shpallet ligj dhe këtë dihet e ka në dorë Kuvendi Popullor dhe jo Partia. Prandaj ne duhet të diskutojmë në këtë plan, dhe jo në planin e partive. Pra duhet të diskutojmë në planin presidencial si të thush, shtetëror, dhe që këto të bëhen vendim, këto pika, me një fjalë ne këtë gjë duhet të sqarojmë.

Ramiz Alia: E di ti Kushtetutën?

Tefalin Malshyti: Kushtetutën me aq sa ashtu kena lexuar me fjalë

Ramiz Alia: E ke lexuar nenin 54 të Kushtetutës? E lejon.

Tefalin Malshyti: Jo nuk e kam lexuar

Ramiz Alia: Ashtu, domethënë s’je në korent. Nenin 54 të Kushtetutës kush e ka lexuar?

Zef Brozi: Shoku Ramiz, unë e kam lexuar. Jam jurist.

Ramiz Alia: Je jurist, e ke lexuar?

Zef Brozi: Në nenin 54 të Kushtetutës thuhet se shteti përkrah shtetasve (ndërhyn Ramiz Alia disa herë), se unë nuk po e them fjalë për fjalë, u lejohet të krijojë ( ndërhyn Ramiz Alia: ….shtetasve u lejohet të krijohen shoqata, organizata politike, kulturore, shoqërore, shkencore etj. etj.) shoqata, organizata politike, kulturore, shoqërore, shkencore etj etj, të cilat vazhdon për qëllimin e tyre etj etj, dhe ndalesa është kjo: “nuk u lejohet krijimi i shoqatave dhe partive me karakter fashist, anti-demokratik, luftënxitës, racist etj. »

Ramiz Alia: E kuptove ju këtë?

Zef Brozi: Unë duke interpretuar këtë nen…

Ramiz Alia: Këtë nen interpretoj dhe unë. Mendoj që ky Vendim i Komitetit Qendror nuk ka nevojë për asnjë interpretim tjetër mjaft është ai nen i Kushtetutës.

Zef Brozi: Ligji e lejon

Ramiz Alia: E dyta, Ligji elektoral të cilin ju duhet ta keni lexuar thotë se subjekte politike janë Partia e Punës së Shqipërisë, Organizatat Sindikale, e çarë janë këto me radhë, dhe shoqata të tjera të njohura me ligj.

Shinasi Rama: Subjekte elektorale..

Ramiz Alia: Subjekte elektorale…

Shinasi Rama: … elektorale…

…..këto nuk janë parti në kuptimin e një instituti  politik…

……çështja e pluralizmit si shtrohet nga këta shokët këtu….

Ramiz Alia: Jo, nga ti si shtrohet…leri ata të tjerët

Shinasi Rama: Çështja e pluralizmit është një çikë e mangët.

Ramiz Alia: Si është?

Shinasi Rama: Ju thatë që për një arsye të ndjekim traditat e mira të popullit. Dua t’ju kujtoj se gjithmonë në momentet më kyçe të historisë së popullit tonë ka pasur pluralizëm. Po të doni po ju sjell një shembull që nga lashtësia, por po ndalem në Kuvendin e Lezhës qysh në kohën e Skëndërbeut. Ai ishte pluralizmi më i saktë dhe më i parë i sanksionuar i fisnikëve shqiptarë. Po të vazhdoj edhe më mbrapa, të ecim për së mbari…..ju mund të qeshni, por këto që po them unë janë argumente.

Ramiz Alia: Nuk qesh. Unë dëgjoj me vëmendje të madhe dhe me respekt çdo të ri i cili kupton flet shpreh mendimet e tija, edhe kur këto janë të gabuara. Unë jam mësuar të bisedoj me gjithë far lloj njerëzish. Edhe me ato që kanë të drejtë edhe me ato që s’kanë të drejtë. Dhe kam durim shumë dhe ty do të dëgjoj deri në fund. E fillove me princat në kohën e Skëndërbeut, që s’kishte parti në atë kohë, por s’prish punë, vazhdo.

Shinasi Rama: Shiko pluralizmi  nuk fillon tek partia. Pluralizmi fillon tek e drejta me mendu ndryshe.

Ramiz Alia: Shumë e drejtë.

Shinasi Rama: Pra ishin princa ose fshatar ato ishin njerëz dhe kishin mendimet e tyre. Pra nuk po flasim për partitë, por për pluralizmin. Po të kthehemi tek Lidhja e Prizrenit 1878 do të shohim që po ashtu pati një pluralizëm mendimesh, me një qëllim të përbashkët, çlirimin e Shqipërisë, autonominë  e saj, në qoftë se ju preferoni saktësinë e termave. Po ashtu po të kthehemi edhe në kohën e Ismail Qemalit në atë qeveri të krijume aq me urgjencë u ruajt pluralizmi i mendimeve dhe ideve, sepse kryeministër ishte imzot Kaçorri, nën-kryeministër ishte Imzot Kacorri dhe në të njëjtën kohë nën-kryeministër ishte Aqif Pashë Elbasani dhe Mullai  i Madh. Pluralizmi në Shqipëri vazhdon me një traditë të mrekullueshme, të cilën mund ta lexojmë në të gjitha regjistrimet e parlamentit, në Bisedat e Parlamentit ..bisedimet e parlamentit shqiptar. Kjo është një periudhë shumë e ndritur, të paktën për demokracinë në vendin tonë, është një periudhë e tillë kur një libohovas si Avni Rustemi, çohet e ven kandidaturën e vet në prefekturën e Kosovës edhe një Ekrem Bej Libohova detyrohet me mbet pa vend për deputet dhe shkon e ven atë në çifligun e gruas. Pra populli injorant ose pa injorant.

Ramiz Alia: Kush është injorant? Jo injorant mos i thuaj popullit.

Shinasi Rama: Një minut ju lutem,

Ramiz Alia: Mos i thuaj popullit injorant.

Shinasi Rama: Unë nuk dua të bëj insinuata unë po flas, se jam një çikë i ngjirur. Po ju them, një gjë se është folur që populli ynë ishte 80 përqind analfabet. Fjala analfabet dhe fjala injorant, d.m.th i paditur. Pra në qoftë se do ta shohim në sensin e padijes do të themi që këtë padije kulturore, të ashtuquajtur kulturore, popullit tonë i mungonte. Të vazhdojmë me pluralizmin e partisë popullore dhe të opingës në kohën e Fan Nolit. Ashtu siç jeni ju i ndërgjegjshëm, siç jam edhe unë, që në një bankë ka rastis me u ul edhe nji satrap si Zogu edhe nji demokrat si Fan Noli. Megjithatë korrektesa ka kenë korrektesë deri në një farë mase. Pra pluralizëm ka pas. Nuk do përmendim rastet e më përparshme, kërkesat e veçanta. Të vazhdojmë manej na. Asht thanë që në periudhën e Ahmet Zogut që nuk ka pas pluralizëm. Kjo është e vërtetë dhe është periudha e satrapit të madh, despot, njeriu që e shpuri vendin tonë në mjerimin më të zi. Për këtë ne jemi gjithë të ndërgjegjshëm. Por megjithatë, i shtyrë nga nevojat e tij personale, në vitin 1936, nën flamurin e neo-shqiptarizmës, u krijua një e ashtuquajtura partia e të rinjve, e cila iu kundërvu të vjetërve. Pra  në shenjën e një pluralizmi negativ që ishte shërbëtori i një mbreti, pluralizmi u shfaq edhe këtë herë në Shqipëri. Gjatë luftës Nacional Çlirimtare është bërë nga udhëheqja e partisë dhe për këtë jemi në dijeni të gjithë. Por mesa di unë, mesa di unë të paktën, në gazetë shënohej të paktën, që për një periudhë të gjatë kohe partia ka qenë ilegale, sepse ai që ka udhëheq luftën e popullit tonë për një periudhë kohe ka qenë  Fronti. Ju keni qenë në atë kohë gjeneral, jeni gjeneral..keni qenë gjenerali më  i ri…

Ramiz Alia: Nënkolonel. Asnjëherë nuk ka qenë gjeneral. Mos më ngatërro.

Shinasi Rama: Lërë atë punë se unë kam lexue dokumentat. Ti ke qenë kolonel

Ramiz Alia: Nënkolonel kam qenë, nënkolonel

Shinasi Rama: Kolonel keni qenë dhe unë e kam pa të shkrume. Po ja u them unë kolonel. Komisar i Divizionit të 7-të.

Ramiz Alia: Tashi ti do me më tregue edhe çfarë kam qenë. Nën kolonel kam qenë

Shinasi Rama: Tashti të vazhdojmë me pluralizmin.

Ramiz Alia: Vazhdo.

Shinasi Rama: Pra tradita e pluralizmit në Shqipëri është një traditë, e cila nuk është pre asnjëherë deri në vitin 1946. Pse nuk është pre dhe ç’pasoja pat premja? Jam me mendimin tuaj, e shprehët dhe e formuluat shumë saktë. Që në ‘20-‘30 vitet e para partia i vuri gjoksin punës dhe bëri të pamunjtën dhe ashtu është.

Ndërhyn Salla: Populli, edhe populli.

Ramiz Alia: Si?

Shinasi Rama: Nji minut, unë po flas, partia i vuri gjoksin…

Ramiz Alia: Mirë e ke ti.

Shinasi Rama: Partia i vuri gjoksin por populli i dha jetën partisë dhe partia i dha  në të njëjtën kohë, atë që ju thoni se partia është truri dhe mendja e popullit, por mesa duket, me këto të rejat po na dalin ndryshe. Të mos bëjmë insinuata, unë nuk kam ndërmend me fol ashtu.. dua të them këtë…

Ramiz Alia: Kjo që po thua ti djalë i mbarë është tamam insinuatë. Kjo s’duhet bërë, kjo s’duhet bërë. Me ca po del këtu, s’ka qenë kështu. Është kështu?

Shinasi Rama: Mos u kapni mbas fjalëve të mija.

       Një debat ndërmjet tyre me fjalë që këmbehen….

Ramiz Alia: Jo, jo, jo. Një minut. Unë jo rastësisht mora fjalën i pari që tju shpjegoj se demokracia kërkon edhe durim, edhe tolerancë edhe mirësjellje. Unë po përpiqem të respektoj mirësjelljen, tolerancën, durimin. Edhe pse? Sepse vlerësoj mendimin e të tjerëve, qoftë edhe kur s’jam dakort prapë e vlerësoj. Fol moj Mimoz nuk është kështu? Edhe bashkë biseduam..(ndërhyrje nga salla).. Prandaj them se duhet ashtu, folur drejtë, më mirë thojeni drejt mendimin që keni. Të thashë unë kam dëgjuar gjithë far lloj gjërash. Kam një eksperiencë personale, politike, domethënë qysh në moshë fare të re. Kupton edhe një çik më i vogël mund të kem qenë

Arben Imami: Padyshim që ju e keni këtë

Ramiz Alia: Kam më shumë eksperiencë, por nuk e them për të imponuar mendimin tim ju lutem, e them…

Zë nga salla: E kemi kuptuar këtë, dhe ne ju duam (shkëmbime fjalësh..)

Ramiz Alia: Shumë mirë atëherë kjo më gëzon që ju keni respekt dhe më doni. Ju faleminderit shumë. Vijon pjesa e dyte

 /Memorie.al

J.GJ./xy/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja