Takimi maratonë 5 orë Rama-Basha
që solli finalizimin e marrëveshjes

Takimi maratonë 5 orë Rama-Basha<br />që solli finalizimin e marrëveshjes
Edi Rama dhe Lulzim Basha zhvilluan një takim maratonë prej pesë orësh me dyer të mbyllura në ambientet e Pallatit të Kongreseve këtë të enjte, për detajimin e pikave të marrëveshjes së arritur një natë më parë.
 
Takimi nisi në orën 10:00 të paradites dhe përfundoi rreth orës 15:20. I pari nga takimi doli kryeministri Edi Rama i cili edhe pse i buzëqeshur, shmangi komentet për mediat.
 
I pyetur se kur do të jetë data e zgjedhjeve, Basha u përgjigj shkurtimisht: "Shumë shpejt do të bëhet publike".
 
Por aleati i Bashes, Nard Ndoka ne nje bisede ne studion e Report Tv zbulon daten e mundshme te zgjedhjeve. Ai tha se me e munshmja ne diskutim eshte 25 Qershori.
 
Por data 25 Qershor eshte e pranueshme dhe sipas konstitucionalisteve. Kristaq Kume ne nje bisede per Report Tv theksoi se nëse zgjedhjet caktohen në 25 qershor, e diela e fundit e qershorit dhe afatit që përcakton Kodi për zgjedhjet, atëherë mjafton një ridekretim nga Presidenti dhe një dispozitë e përkohshme në Kodin Zgjedhor.

Zhvillimet pas arritjes së marrëveshjes Rama-Basha
 
Ora 16:30 Basha mbledh pasdite Kryesinë e PD
Kryetari i PD, Lulzim Basha në orën 17:00 do të mbledhë Kryesinë e partisë për të njoftuar detajet e arritjes së marrëveshjes me kryeministrin Rama.
 
Mbledhja e Kryesisë së PD vjen pas arritjes së marrëveshjes mbrëmë dhe takimit pesë orësh sot në Pallatin e Kongreseve ku u diskutuan detajet, por ende nuk është vendosur zyrtarisht data e zgjedhjeve.
 
Pas takimit me Kryesinë, Basha mund të ketë edhe një deklaratë për mediat.
 
Ora 15:30 Takimi 5 ore Rama-Basha, datat qe u diskutuan per zgjedhje
 
Ora 15:20 Përfundon pas 5 orësh takimi Rama-Basha në Pallatin e Kongreseve
 
Ora 15:15 Burime: Ende s'ka datë për zgjedhjet
 
Ora 15:10 Vijon prej 5 orësh takimi Rama-Basha
 
Ora 13:50 Rama thërret me urgjencë Kryesinë e PS në 17:00
Kryeministri Edi Rama ka njoftuar një mbledhje urgjente të kryesisë së PS, pas arritjes së marrëveshjes me kryetarin e PD, Lulzim Basha.
 
Mbledhja e kryesisë së PS është njoftuar për në orën 17:00. Ndërkohë, në këto momente, vijon takimi prej katër orësh në Pallatin e Kongreseve, mes Edi Ramës dhe Lulzim Bashës në prani edhe të stafeve të tyre, për materializimin e marrëveshjes së dakordësuar "McAllister". 
 
Ora 13:30 Burime: Po negociohet edhe për datën 25 qershor
 
Ora 13:20 Pas përfundimit të takimit me Ramën, Basha njofton takim me Kryesinë
 
Ora 13:00 Vijon prej 3 orësh takimi Rama-Basha ne Pallatin e Kongreseve
 
Ora 12:40 Burime: Zgjedhjet, data që po negociohen: 9 dhe 16 korrik
Data 9 ose 16 korrik po diskutohen si të mundshmet për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare.
 
Burime pranë takimit Rama-Basha në Pallatin e Kongreseve, pohojnë se vijojnë negociatat për dakordësimin e një date të gjithëpranuar nga aktorët e vendimmarrjes.
 
Ndërsa të mundshme cilësohen datat 9 ose 16 korrik. Kjo e fundit përcaktohet edhe në paketën e David McAllister, ofertë të cilën Rama dhe Basha e pranuan mesnatën e kaluar.
 
Ora 12:30 PAA: Të mundshme në 16 ose 23 korrik
Por ka qenë përfaqësuesi i PAA, Thoma Miço i cili deklaroi pas mbledhjes së Kolegjit Zgjedhor, se datat 16 dhe 23 korrik, janë të mundshme për mbajtjen e zgjedhjeve.
 
"Si datë për zgjedhjet e theksova datën 16 dhe 23 korrik. Në mënyrë që mos shkelet as Kushtetuta", tha Miço,
rama basha
(Automjeti i Kryeministrit para pallatit të kongreseve)
 
Ora 10:00 Rama-Basha tjetër takim pas marrëveshjes
Edi Rama dhe Lulzim Basha kanë nisur sërish një takim në Pallatin e Kongreseve, me qëllim materializimin e marrëveshjes së arritur mesnatën e kaluar.
 
Maxhoranca dhe opozita hodhën dje një hap të rëndësishëm drejt zgjidhjes së ngërçit politik, ndërsa momenti që tërhoqi vëmendjen e të gjithëve ishte shtrëngimi i pazakontë i duarve mes Lulzim Bashës dhe Edi Ramës, i vlerësuar gjerësisht si një gjest pozitiv.
 
Për rreth tre orë, Rama dhe Basha u takuan kokë më kokë te kryesia e Kuvendit, pasi më herët ishte zhvilluar edhe një tryezë e partive politike parlamentare.
 
Rama dhe Basha u dakordësuan për paketën "McAllister plus"
Më në fund pas 90 ditësh krizë politike dhe pas tre orësh takim kokë më kokë, kryeministri Edi Rama dhe kryetari i PD, Lulzim Basha kanë arritur marrëveshjen e shumëpritur nga të gjithë, shqiptarë dhe ndërkombëtarë.
 
Pas përfundimit të takimit, Lulzim Basha dhe Edi Rama kanë dalë së bashku nga Kryesia e Kuvendit, ndërkohë që kryetari i PD ka dhënë lajmin e madh, që marrëveshja është arritur.
 
Basha deklaroi se marrëveshja e arritur, bazohet te paketa e "McAllister+" ndërkohë që nesër do të detajohet.
 
"Kemi një marrëveshje të bazuar në paketën “McAllister+” që është propozuar ga SHBA. Ajo do të detajohet në 24 orët e ardhshme dhe vetëm pas detajimit do të kemi një komunikim publik", tha Basha.
 
Ndërkohë që Edi Rama deklaroi "Sa më takon mua më lejoni që të jem 100% dakord me atë që tha kreu i opozitës".
 
Asnjë nga të dy nuk dha detaje mbi datën e zgjedhjeve, ndërsa në fund dy liderët e shumicës dhe të opozitës u larguan me një shtrëngim miqësor duarsh, që rrallë herë ka ndodhur mes politikanëve në Shqipëri.
 
Pas lajmit për arritjen e marrëveshjes, Lulzim Basha u drejtua për te çadra e lirisë për të dhënë lajmin.
 
Nga çadra, Basha deklaroi se nesër do të nisim përgatitjet për t'u dhënë shqiptarëve zgjedhje të lira.


d.b/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Austri/ Orteku vret 2 skiatorë në alpet e Tirolit, kërkime dhe për një të tretë

Austri/ Orteku vret 2 skiatorë në alpet e Tirolit, kërkime dhe për një të tretë