Në takimin me dyert të mbyllura ishin të pranishëm edhe dy nënkryetarët e Partisë Demokratike, Edi Paloka e Edmond Spaho, Sekretari i Përgjithshëm i PD, Arben Ristani dhe bashkryetari i Komisionit për Reformën Zgjedhore, Oerd Bylykbashi.
Në këtë takim, kreu i PD, Lulzim Basha ka këmbëngulur se me Edi Ramën kryeministër nuk ka asnjë shans për të fituar zgjedhjet. Kreu i opozitës ka renditur një për një të gjitha vështirësitë e opozitës për t’ia dalë të fitojë zgjedhjet e 18 qershorit. Fillimisht, Basha mbajti me shpresa bazën për zgjedhje të parakohshme.
Më pas deklaroi për muaj me radhë se zgjedhjet e ardhshme parlamentare do të zhvilloheshin pa Edi Ramën kryeministër. Tashmë po artikulon një tjetër mesazh çoroditës për elektoratin e PD, duke kërkuar shtyrjen e zgjedhjeve.
Bojkoti
në kushtet e mosrealizimit të skenarit për shtyrjen e zgjedhjeve, opozita po planifikon bojkotit e procesit. Burime brenda takimit të djeshëm bëjnë me dije se Basha ka informuar aleatët për kushtin e panegociushëm të votimit elektronik. Por aleatët e kanë konsideruar kushtin si maksimalist dhe që nuk ka bazë reale që të realizohet, vetëm nëse shtyhen zgjedhjet për një vit apo më tepër.
Ata kanë pohuar se opozita rrezikohet të heqë dorë nga ky kusht për shkak të presionit ndërkombëtar dhe pamundësisë së realizimit. Megjithatë, Basha ka qenë i vendosur në qëndrimin e tij, duke paralajmëruar bojkot të Kuvendit dhe më pas të zgjedhjeve. Linja e Bashës është mbështetur fort jo vetëm nga Edi Paloka, Ristani dhe Spaho, por edhe nga kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu dhe aleatët e tjerë parlamentarë. Ndërkaq, në ditët në vijim, Basha dhe aleatët do të vijojnë takimet me përfaqësinë e huaji diplomatike në Tiranë.
Basha
Pas takimit me aleatët, Lulzim Basha u shpreh se qëndrimi i unifikuar i opozitës parlamentare është se në këto zgjedhje nuk mund të vendosin kriminelët, por do të vendosin qytetarët. “Në këto zgjedhje nuk mund të vendosë varfëria dhe korrupsioni qeveritar përmes shitblerjes së votës, por do të vendosë vullneti i qytetarëve.
Zgjedhjet janë në rrezik për shkak të krimit dhe korrupsionit, për shkak të moszbatimit të ligjit të dekriminalizimit, problemit të madh të shndërrimit të Shqipërisë në një parajsë të narko-trafikut, shitblerjes së votës e cila jo vetëm nuk është ndëshkuar sipas ligjit por është amnistuar nga Rama, mos garantimit të votës së qytetarëve. Opozita ka paraqitur një platformë prej 17 majit dhe prej atëherë deri më sot, Edi Rama ka sabotuar çdo përpjekje për të adresuar këto probleme të qytetarëve”, u shpreh Basha.
Kushtëzimi
Lulzim Basha paralajmëroi dje se opozita do të kushtëzojë çdo veprim të mëtejshëm me çuarjen përpara të reformës zgjedhore, e cila jep qytetarëve fuqinë për të vendosur qeverisjen e ardhshme. “Çdo akt tjetër, çdo veprim tjetër është sekondar përpara garantimit të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
Pra, opozita parlamentare sot është dakordësuar që çështja numër një, problemi numër një që kanë Shqipëria dhe shqiptarët sot janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Dhe e gjithë energjia jonë, i gjithë fokusi ynë sot, i gjithë aksioni politik sot brenda dhe jashtë Parlamentit do të jetë për të diktuar zgjedhje të lira dhe të ndershme si interesi i çdo shqiptari, jo vetëm i opozitës, jo vetëm i të djathtës, por i çdo shqiptari”, pohoi kryetari i opozitës.
Pro propozimit të LSI
Kryetari i PD, Lulzim Basha, mbështeti dje propozimin e LSI për listat e hapura. “Për sa i përket sistemit zgjedhor, Partia Demokratike nuk është pengesë për listat e hapura. Personalisht jam shprehur për çdo sistem që fuqinë do ia kalojë qytetarit.
Qoftë lista të hapura, maxhoritar apo po të doni ta bëjmë me ligj të detyrueshme që partitë politike kandidatët për deputetët ti zgjedhin me votim të drejtpërdrejtë nga anëtarësitë e tyre apo edhe nga qytetarët. Kur kam folur për hapjen dhe për fuqizimin e qytetarëve, këtë kam parasysh; që kandidatët të mos caktohen nga kryetarët por të caktohen nga anëtarët, mundësisht nga qytetarët”, tha ai.
dy.b/shqiptarja.com