TIRANE – Partia Socialiste ka reagur ndaj deklaratave të kryeministrit Berisha të bëra publike pasditen e sotme gjatë një takimi me gazetarët. Duke e cilësuar “përçatje”, Partia Socialiste përmes anëtares së grupit të punës për Programin e PS, Milena Harito, shprehu keqardhje për këto deklarata.

“Keqardhje për përçartjen e sapopërfunduar të kryeministrit. Një tjetër provë pse duhet me patjetër rotacioni politik në Shqipëri. Një tjetër shembull i degradimit të qeverisë në një klub thashethemesh dhe banalitetesh pa vizion, pa projekt, pa arritje. Kjo qeveria po e lë Shqipërinë më keq se qe gjeti”, tha Harito.

Lidhur me akuzën që kryeministri bëri ndaj premtimit të Ramës për heqjen e taksës ndaj biznesit të vogël, duke e quajtur të pabazë, Harito tha se ky është një synim i PS-së dhe se do të vijojnë me idenë e ndryshimit të sistemit të taksimit.

“Sot Partia Socialistë përsërit: Po, ne do ta heqim taksën e biznesit të vogël, madje në 100 ditët e para të qeverisjes. Po, ne do ta ndryshojmë sistemin e taksimit jo më taksë të sheshtë, por taksim të ndershëm. Kush fiton më pak do të paguajë më pak, kush fiton më shumë do të paguajë më shumë”, theksoi anëtarja e grupit të punës për Programin e PS.

Kurse deklaratave nacionaliste të kryeministrit, PS iu përgjigj se “ne do çojmë para bashkimin kombëtar, jo me nacionalizmin e vjetër”.

“Po, zgjedhjet janë kusht për statusin kandidat dhe çuarjen përpara të procesit të integrimit. Dhe po, ne do ta çojmë përpara idenë e bashkimit kombëtar por jo me rrugët e vjetra të nacionalizmit folklorit, sepse ka një dallim të madh mes nesh dhe atyre që sot keqqeverisin. Ne jetojmë në të sotmen për të ardhmen. Ata jetojnë në të shkuarën për të shkuarën”, përfundoi Harito.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)