Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, është ndalur sot në Zagreb ku ka zhvilluar një takim me homologun kroat, Gordan Jandrokoviç, me fokus të qartë mbështetjen për integrimin europian të Shqipërisë.

Takimi u zhvillua në ambientet e Parlamentit të Kroacisë, në kuadër të vizitës së Peleshit për të marrë pjesë në Samitin Parlamentar të Iniciativës së Tre Deteve, një forum që bashkon vendet e Adriatikut, Balltikut dhe Detit të Zi për bashkëpunim ekonomik, energjetik dhe infrastrukturor.

Peleshi falënderoi Kroacinë për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Shqipërisë në rrugën drejt Bashkimit Europian, duke e cilësuar eksperiencën kroate si një model konkret për procesin e negociatave. Ai kërkoi më shumë shkëmbim ekspertize mes dy vendeve, sidomos në këtë fazë kyçe të integrimit.

Nga ana tjetër, dy kryetarët e parlamenteve vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira mes Shqipërisë dhe Kroacisë, duke theksuar se ka ende hapësirë për t’i çuar më tej. Lidhjet historike dhe bashkëpunimi në politikën e jashtme u konsideruan si bazë e fortë për partneritetin strategjik.

Në planin ekonomik, Peleshi dhe Jandrokoviçnënvizuan rritja e ndjeshme e shkëmbimeve tregtare, që në vitin 2024 kanë arritur rreth 200 milionë dollarë. Palët ranë dakord që duhet shtyrë më tej bashkëpunimi në sektorë si energjia, infrastruktura, mbrojtja, bujqësia, shkenca dhe turizmi. Një vëmendje e veçantë iu kushtua trajnimit profesional në turizëm dhe mbrojtjes së mjedisit, sidomos nga ndotja bregdetare.

Në takim u diskutua edhe për sigurinë dhe stabilitetin në rajon, bashkëpunimin në kuadër të NATO-s dhe organizatave ndërkombëtare, si dhe mbështetja e përbashkët për Ukrainën në përballjen me agresionin rus.

Të dy zyrtarët gjithashtu vlerësuan rolin e komunitetit shqiptar në Kroaci, i cili shihet si një urë lidhëse e rëndësishme mes dy vendeve.