Takoi Frrokun në spital?Meta:
Sqarohu, Braho: Eshtë sajesë

Takoi Frrokun në spital?Meta:<br />Sqarohu, Braho: Eshtë sajesë
TIRANË - Pas kërkesës së Ilir Metës drejtuar kreut të Komisionit të Sigurisë Spartak Braho për të sqaruar opinionin publik në lidhje me një takim mes tij dhe Mark Frrokut ka reaguar Braho. Ai ka mohuar që të ketë takuar Frrokun dhe thotë se kjo është një sajesë e mediave.


Braho përmes një njoftimi të shpërndarë për mediat thotë se nuk ka asnjë lidhje vizita e tij në spital me një takim të mundshëm me deputetin Frroku duke thënë se ai ishte në spital për probleme të tijat personale.

Sipas Brahos e gjithë kjo është një sajesë e mediave që kanë si qëllim dezinformimin. 

Deklarata e plotë e Spartak Brahos
"Jam befasuar dhe kam ndjerë keqardhje e neveri që ndonjë media vazhdon të mbetet përhapëse e lajmeve dizinformuese, mision ky që jo vetëm nuk i ka hije një televizioni, por i katandis ato në si mos më keq e në përdorim klientelist të soj e sorollopësh intrigantë e aspak profesionalë. Nuk e di dhe për llogari të kujt këto televizione transmetuan pamje dhe sekuenca filmike në qendër të të cilave vendosesha unë duke dalë nga dera kryesore e Spitalit Gjerman të kardiologjisë dhe që kjo pamje u komentua si ‘vizitë e dyshimtë e Brahos në këtë spital, pasi aty ndodhej i shtruar i akuzuari Frroku!’.
 
Ndonëse as nuk ia vlen të merresh me sqarimin e këtij dyshimi që hedh në eter kova e ndryshkur propagandistike për të bërë gjoja “lajm”, prania ime në këtë spital ishte tërësisht për arsye shëndetësore, e planifikuar dhe e dokumentuar ditë më parë ku kontaktova mjekun përkatës të laboratorit në katin e parë.
Kanë rast ‘investiguesit seriozë’ të shkojnë të kontrollojnë kamerat e sigurisë së spitalit të cilat regjistrojnë çdo gjë, policët përkatës në shërbim dhe të zbulojnë lajmin e saktë, që s’është lajm fare. Është e vërtetë se praninë e Frrokut në atë spital e kam marr vesh vetëm kur dola nga ambientet e spitalit dhe për çudinë time pashë që disa kamera televizive po më filmonin. Nuk iu dhashë rëndësi pasi bashkëshoqëruesi më sqaroi se prania e tyre lidhej me faktin se në ambientet e kateve të sipërme të spitalit ndodhej i shtruar Mark Frroku.
 
Me kaq lidhej qenia ime dhe lajmi i saktë zotërinj drejtues, pronar, gazetar të disa mediave që fabrikuat lajm kot. Kini kujdes mos i kriminalizoni televizionet shqiptare dhe veten e tuaj. Ky sugjerim s’ka të bëjë me korrigjimin e bindjeve tuaja, por me etikën, korrektesën dhe profesionalizmin shpeshherë të munguar.
 
Mjaft djem, investigues! Bëhuni seriozë e të ndershëm, se na sëkëlldisët kalamajt, miqtë e shokët, sikur ç’ka ndodhur e ç’keni zbuluar. Muhabet kot që i interesoi vetëm ndonjë gazete si “RD”. Mos harroni se në gjendje arresti me polic te koka është Mark Frroku e Tom Doshi. Unë isha tek dera spitalit, as në ndonjë aeroport apo hotel e në duar mbaja vetëm letra! Qesharake!” - shkruan Braho.


Meta kërkesë Brahos të sqarojë situatën

Kryetari i Kuvendit Ilir Meta i ka kërkuar kreut të Komisionit parlamentar të Sigurisë Spartak Braho që të sqarojë publikisht nëse janë ose jo të vërteta pretendimin e ngritura në media për një takim mes tij dhe deputetit Mark Frroku në një spital privat në kryeqytet.
 
Përmes një njoftimi zyrtar të shefit të Kabinetit të Kryetarit të Kuvendit, Sokol Dervishaj, thuhet se kërkesa e Metës ndaj Brahos ka ardhur pas lajmit në disa media se sipas burimeve të tyre deputeti i LSI-së Braho është takuar me kolegun kristian demokrat në spitalin privat ku Frroku ndodhet pas problemeve me zemrën.
 
Veç shprehjes publikisht të qëndrimit të Brahos, Meta i kërkon ministrave Tahiri dhe Naço si dhe kryeprokurorit Llalla që të nisin hetimet për të vërtetuar nëse ka ndodhur ose jo takimi i pretenduar.
 
Në përfundim të njoftimit, Meta citohet të ketë shprehur se “deputetët duhet të jenë të parët që repsektojnë ligjet dhe vendimet e gjykatave, aq më tepër kur kemi të bëjmë me një deputet që është kryetar i Komisionit parlamentar të Sigurisë Kombëtare”.
 
Deputeti Mark Frroku ndodhet në një spital privat në kryeqytet, pas problemeve që shfaqi me zemrën, ndërkohë burime për A1 Report bëjnë me dije se deputeti do t’i nënshtohet një koronarografie. Frroku la ambientet e paraburgimit në institucionin e vuajtjes së dënimit numër 302, pasi ndodhet nën masën e “arrestit me burg” për akuzat e autoriteteve belge në vrasjen e një shqiptari dhe të akuzës shqiptare për fshehje të pasurisë.

Dje Frroku u njoh ne spital me akt-ekspertizen e sendeve te sekuestruara ne banesen e tij, te cilen ia cuan prokuroret. Ndaj edhe mediat kane qene te pranishme prane spitalit ku eshte shtruar Frroku. 

Njoftimi i plotë për shtyp nga Kuvendi i Shqipëris:
Sot paradite pasi është njohur me lajmin në disa media, se sipas burimeve të tyre deputeti Spartak Braho është takuar me deputetin Mark Frroku në një spital privat në Tiranë, Kryetari i Kuvendit i ka kërkuar deputetit Spartak Braho të sqarojë publikisht opinionin publik lidhur me të vërtetën.
Po kështu sot paradite, Kryetari i Kuvendit i ka kërkuar ministrit të brendshëm Saimir Tahiri, Ministrit të Drejtesise, Nasip Naco dhe Prokurorit të Përgjithshëm të verifikojnë e hetojnë sipas rregullave dhe ligjeve në fuqi, nëse ky takim i pretenduar nga media ka ndodhur.
Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta nënvizon me forcë se deputetët duhet të jenë të parët që respektojnë ligjet dhe vendimet e gjykatave, për më tepër kur kemi të bëjmë me një deputet që është Kryetarë i Komisionit Parlamentarë të Sigurisë Kombëtare.



Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Organet e drejtësisë refuzojnë komisionin 'Antikorrupsion', si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Përmbytjet në Vlorë, biblioteka e qytetit e mbuluar nga balta! Drejtoresha: Dëme të mëdha, kati i parë i librave komplet i shkatërruar

Përmbytjet në Vlorë, biblioteka e qytetit e mbuluar nga balta! Drejtoresha: Dëme të mëdha, kati i parë i librave komplet i shkatërruar