Duke nisur fjalën Rama tha se, qeveria ka krijuar një program krejt të ri për vitin ardhshëm dhe po bën një transformim rrënjësor të taksave, që është shpallur që përpara zgjedhjeve.
Sipas kryeministrit, taksat do të ulen për mbi 95 për qind e atyre personave që kountribuojnë në buxhetin e shtetit. Kryeministri Rama tha se kompanive të mëdha do t’u hiqet barra e arbitraritetit dhe korrupsionit.
“Do ketë transformim të politikës së taksave. Më parë ai që kishte më pak, paguante më shumë se ai që fitonte më shumë. E kundërta do të ndodhë më buxhetin e 2014. Kush fiton më pak do paguajë më pak dhe taskat do ulen për mbi 95% të atyre që kontribuojnë për buxzhetin e shtetit, qoftë të ayre që kanë një punë në shtet, qoftë atyre që kanë një punë në privat, qoftë ata që kanë një biznes të vogël.
Taksa mbi tatimin e kompanive të mëdha do rritet, pasi fitojnë më shumë, e paguajnë më shumë. Por nuk do tërritet mbi atë që paguanin. Pasi kompanitë e dinë shumë mirë se ishte 10 %, por paguanin shumë më tepër. Mesatarja e tyre në fund të vitit ishte 22 %.
Edhe për kompanitë do të ulet barra sepse do paguajnë 15 % shtetit, buxhetit, që shërben për t’i shërbyer më mirë qytetarëve, dhe do t’u hiqet barra e pagesës së korrupsionit dhe pushtetit”, tha kryeministri Edi Rama në nisjen e fjalës së tij.
Sipas Ramës, “ne kemi marrë sot përgjegjësinë të admistrojmë një shtëpi të zhytur në borxhe. Ne kemi marrë përgjegjësinë shumë të madhe që t’i shlyejmë borxhet ndaj kompanive. Nuk mund të rëndojmë familjen tonë duke i futur duart nëpër xhepa, por në sajë të marrëveshjes me FMN”.
“Flasin ata që e morën çmimin e naftës 600 lekë dhe kur e lanë shtëpinë rrëmujë, ky çmim ishte 1800 lekë (të vjetra). Për 10 lekë që shtohen, jo vetëm që nuk ka asnjë impakt të drejtpërdrejtë mbi çmimet, por përkundrazi shtohen për të financuar shërbimin ndaj qytetarëve për një mjedis më të pastër.
Është botërisht e njohur se është një taksë që dekurajon lëvizjen me makinë në qytet, në të mirë të shëndetit, duke përdorur menyrat alternative. Do të shtohen mundësitë për të rritur sipërfaqen e gjelbër, dhe për të përmirësuar shërbimet shëndetësore”, deklaroi kryeministri Edi Rama.
Kryeministri shtoi se: “Jemi duke shkuar drejt shërbimit shëndetësor, pa pagesë direkte, pra falas. Por e kemi thënë se ky shërbim shëndetësor paguhet. Çështja është si do të paguhet. Në kontributin për të ardhurat, kush ka më shumë do paguajë më shumë”.
“Kemi thënë se do heqim taksën e ilaceve, do ta heqim, nga 1 janari nuk do jetë. Por sigurisht të gjitha këto lehtësime, kërkojnë një mënyrë financimi. E kemi provuar në 50 vjet sistemin pa taksa, nuk funksion. Kjo është një çështje që meriton të diskutohet.
Vetëm në 100 ditë kjo qeveri ka garantuar realizimin e disa zotimeve tona konkrete. Kemi 4 vjet përpara për të dhënë llogari për çdo zotim pas 4 vitesh, por e ndjenim të dobishme të bënim këtë që po bëjmë tani”, tha Rama.
ARBEN AHMETAJ: HISTORIA E RRITJES SË ÇMIMEVE NGA TAKSAT NUK ËSHTË E VËRTETË
Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Arben Ahmetaj, tha se me sistemin e ri të taksave të propozuar nga qeveria Rama-Meta, përfitojnë mbi 95 % e shqiptarëve. Ahmetaj tha se “historia e rritjes së çmimeve nga taksat nuk është e vërtetë”.
“Përfitimet nga ky sistem taksash janë të mëdha për qytetarët. Marrim çmimin e bukës, i cili nuk rritet asnjë lek, përkundrazi do të ulët pasi biznesi i vogël do paguajë një taskë më të ulët. Gjithë ajo gënjeshtër e madhe që do rrëzojë koncesioniet nuk është e vërtetë. Asnjë sektor i ekonomisë nuk preket. Shpenzojnë për naftën ata që kanë domosdoshmëri të lëvizin me makinë. Industritë që përdorim më shumë naftën, themi se gjithë kostoja është 2.7% në gjithë portofolin e vet. Gjithë historia e rritjes së çmimeve nuk ekziston, nuk është e vërtetë”, tha Ahmetaj.
Ministri Ahmetaj tha se qeveria e re trashëgoi një situatë të vështirë ekonomike e financiare, ndërsa theksoi se mazhoranca po mban premtimet e bëra gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit 2013.
“Sistemi i Berishës i shkatërroi shqiptarët, dhe e kupton se ky sistem që ne kemi prezantuar lehtëson barrën për familjet e zakonshme. Ne po mbajmë premtimet duke ulur çmimin e ilaceve. Biznesi i vogël do të ndihmojë të punësuarit. Ulja e ngarkesës mbi pagat, menjëherë do të ndihmojë qindra kryefamiljarë. Efekti i kësaj takse në trafik, në shërbimet shëndetësore, është i menjëhershëm, frika që kërkon të mbjellë Sali Berisha, është një frikë nga mbajtja e premtimeve”, u shpreh ministri i Zhvillimit Ekonomik, Arben Ahmetaj.
LEFTER KOKA: TAKSA E KARBONIT, DO SHKOJË PËR MJEDISIN DHE SISTEMIN SHËNDETËSOR
Ministri i Mjedisit Lefter Koka, tha se qeveria e mëparshme keqadministroi sistemin e taksave, duke shtuar se me të ardhurat nga sistemin i ri i taksave do të investohet për përmirësimin e situatës mjedisore në vend.
“Partia Demokratike u largua nga pushteti pasi keqadministroi buxhetin dhe sistemin e taksave. Berisha nuk ka qenë aq transparent sa thotë me koncesionet. Sot ne e kuptojmë që mjedisi shqiptar ka një problematikë shumë të madhe, ne i kemi mbetjet kudo. Për të hyrë në Europë ne duhet të përmirësojmë këtë kriter. Duhet të taksojmë ata që shkaktojnë ndotje, dhe të shtojmë hapësirat e gjelbra. Taksa e karbonit është një nga taksat e nevojshme. Shumë sëmundje, shumë problemtatika vijnë nga ndotja e ajrit. Duhet t’ju garantoj se përgjegjëshmëria e kësaj qeveria për të hartuar një politike fiskale e cila do të rëndojë shumë pak ata njerëz që janë në nevojë, u vjen në ndihmë pjesës më të madhe të shqiptarëve. Berisha kërkon të dezinformojë dhe të deformojë realitetin”, tha ministri Koka.
EDI RAMA: DO REALIZOJMË SHËRBIM SHËNDETËSOR TË BARABARTË PËR TË GJITHË
Kryeministri Rama tha se me pakeën e re fiskale përfitojnë mbi 95% e qytetarëve shqiptarë, më shumë shërbime shëndetësore pa tarifa. Rama tha se nga 1 janari 2014 do të hiqen taksat dhe tarifat për ekzaminimet e shtatzanisë, apo diganostikimet e kancerit.
“Duke filluar nga 1 janari ne do të vëmë në jetë disa zotime që janë shumë të rëndësishme në vendosjen e bazave të sistemit shëndetësor të barabartë për të gjithë, për të realziuar që vitin e ardhshëm kontrolle falas për 800 mijë njerëz mbi moshën 40 vjeç, të cilët janë ata që përndryshe nuk e bëjnë dot një vizite mjekësore. Duke filluar nga 1 janari do të hiqen taksat dhe tarifat për ekzaminimet e shtatzanisë, apo diganostikimet e kancerit. Këto janë të lidhura me atë 10 lekëshin për të cilin po bëhet kjo zhurmë”, u shpreh kryeministri.
Kreu i qeverisë ndërkaq u ndal edhe rritja e pagave të punonjësve të policisë, duke u shprehur se ky është një investim për të rritur sigurinë e gjithësecilit.
“Kjo paketë e re është muri që ngrihet për të ndaluar përfundimisht rrënimin, dhe guri i themelit për të mundësuar rritjen ekonomike për familjet. Kemi rritur rrogat të policisë. I kemi rritur jo thjesht për të shpërblyer me rrogë ata që janë në vijën e parë në luftën që kemi hapur pa asnjë kompromis me korrupsion. Por do të rrisim edhe rrogat e të tjerëve në vijim. Është një investim për të rritur sigurinë e gjithësecilit. Është një investim të cilit të gjithë bashkë do t’ia shohin rezultatet në harkun e vitit të ardhshëm. Do shohin si do përmirësohet efektiviteti i punës së policisë”, tha Rama.
Redaksia online
(es/ac/shqiptarja.com)